Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Kurti: Aclarar el destino de los desaparecidos allana el camino para la búsqueda de justicia.

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftë, përveçse i jep fund pritjes së familjeve me ankth e vuajtje, i hapë rrugë edhe kërkimit të drejtësisë.

Kurti të enjten ka vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore (IML). Aty tashmë janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, e që u gjetën në tri lokacione në Zubin-Potok.

“Jemi informuar që prej mbetjeve mortore në Jabukë është marrë edhe ADN-ja, për t’u bërë identifikimi. Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë pra, të forenzikës të cilët i kemi parë vet duke u angazhuar në Kalludër të Zubin Potokut”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti ka thënë po ashtu se ka mundësi që në veri të ketë edhe varreza të tjera masive, duke shtuar se më herët ka qenë territori i paqasshëm për organet e sigurisë dhe të ndjekjes në Kosovë.

Në komunikatë theksohet se që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime. Në 17 gërmime sivjet janë gjetur 30 mbetje mortore.

“Është zbuluar edhe sasi e madhe e armatimit dhe municionit rrotull atyre vendeve ku janë bërë gërmimet, ku janë gjetur varrezat masive. Pra, në njërën anë është aspekti i zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë dhe e identifikimit të tyre, në mënyrë që të përfundoj ankthi dhe vuajtja e familjeve dhe të mund të kenë varrim dinjitoz dhe varret të kenë edhe emër e mbiemër. Në anën tjetër është edhe aspekti i luftimit të krimit, edhe i paqes e i sigurisë, sepse sa më shumë që kemi krime të pazbardhura aq më shumë ka pasiguri dhe aq ma pak ka drejtësi. Andaj, këto janë të gjitha hallkat e ndërlidhura të funksionimit demokratik të shtetit tonë, Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti gjatë qëndrimit në IML.

Kurti ka thënë se është i interesuar që performanca e IML-së të përmirësohet, teksa ka shtuar se duhet të adresohen edhe kritikat apo defektet “që na ka ndodhur në të kaluarën, prej lajmeve të ndryshme të paverifikueshme plotësisht, po shpeshherë dashakeqe për zhdukje të mostrave e deri tek ajo avaria që ndodhi me shpërthimin e zjarrit apo edhe me pretendimet për kushte të papërshtatshme, përbrenda IML-së”.

Ai ka thënë se ekspertiza e IML-së është thelb në shumë procese penale dhe për autoritetet është e rëndësishme që nëpërmjet IML-së të shtohet edhe besimi në sistemin e drejtësisë.

Javëve të fundit, në tri lokacione në Zubin-Potok janë gjetur varreza masive. Janë gjetur mbetje mortore të 23 personave, që përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”.