Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Kosovo pide a La Haya que libere a los libertadores.

Marzo - 12 de septiembre

Foto de : Driton Pacharada

Qytetarë të shumtë i janë përgjigjur ftesës të shtunën për të marshuar në mbështetje të ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilët janë në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka paralajmëruar se do të ketë pasoja nëse vendimi do të jetë ndryshe, ndërsa ai i Aleancës, Ardian Gjini u shpreh se lufta e UÇK-së ishte për mbijetesë

Rreth 100 mijë qytetarë nga Kosova e më gjerë kanë mbushur sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për t’iu bashkuar Marshit për Liri, ku të shtunën u kërkua lirimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë në pritje të vendimit të Speciales në Hagë në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Verdikti ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të bëhet i ditur më 16 shtator. 

E katër ditë më herët, gjatë fjalimit të tij në protestë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka çuar mesazh për gjyqtarët që do të marrin vendimin për këtë rast.

“Atyre që marrin vendimin në Hagë u themi: mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, ka thënë Hamza, kryetar i subjektit politik që dikur e udhëhiqnin Thaçi e Veseli.

E kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar lirimin e katërshes së UÇK-së duke thënë se ata dhe UÇK-ja kanë luftuar kundër atyre që kryen krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“A e dini kundër kujt kanë luftu këta, UÇK-ja? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushë kamionët me trupa të shqiptarëve. E qysh munden me pasë faj një popull, njerëzit që e kanë kapur pushkën për liri kundër atyre që kanë qenë katilat më të mëdhenj në Evropë?” ka thënë Gjini.

Ai ka shtuar se tregimi i popullit të Kosovës për liri është i pastër, i drejtë dhe se ishte luftë për mbijetesë.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Hysni Gucati u shpreh se një vendim dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ishte goditje e vetë luftës.

“UÇK-ja nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Kërkojmë proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt për të drejtat e çdo të akuzuari. Një e dimë se dënimi i krerëve të UÇK-së nuk do të ishte thjesht goditje ndaj individëve, por ndaj luftës së UÇK-së. Nga ky dënim do të përfitonte vetëm Serbia dhe Rusia”, ka thënë Gucati.

Mes folësve ishin edhe vajzat e luftëtarëve, ajo e dëshmorit Bajram Sulejmani dhe ajo e Salih Mustafës, i cili është dënuar më herët nga kjo gjykatë.

“Kur përmendet UÇK-ja shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë vendosi që më mirë të vdiste në këmbë sesa të jetonte i gjunjëzuar. Kjo ishte UÇK-ja. Nuk ishte pronë e një njeriu, as e një familjeje dhe as e një treve. Ishte përgjigje e një populli që me shekuj luftoi për liri”, u shpreh Lirijona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani.

“Hendeku është aq i madh saqë drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë kurrë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë. Nuk mund të barazojë kurrë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid”, ka thënë Buna Mustafa, vajza e komandant “Calit”.

Marshi u organizua nga platforma qytetare “Liria ka emër”. Organizatorët e tij kanë thënë se po presin që drejtësia do t’i kthejë në shtëpi Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

“Nga këtu, nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga Prishtina i themi botës se Kosova pret drejtësi. Kosova po pret dinjitet. Kosova po e pret Hashim Thaçin, Kadri Veseli, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin të kthehen në shtëpinë e vet”, ka thënë Eliza Hoxha.

“Kush kthehet i fundit nga beteja?! Të gjithë e dini: Çlirimtarët që i presim në tokën e tyre… Këto ditë anembanë Kosovës e kemi parë veç një gjë: Kosova e do UÇK-në. Sa më shumë janë munduar me ligështu, na u ka kthy si feniksi. Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër: UÇK”, ka shtuar Ismail Tasholli.

E pas marshit, në një reagim publik, “Liria ka emër” ka bërë të ditur se në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë. 

“Sot, rreth 100 mijë qytetarë folën me një zë. Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”, u tha në reagimin e kësaj platforme.

Marsi u përshëndet edhe nga Qeveria në detyrë, që ka shprehur mirënjohje për qytetarët që morën pjesë në marsh, për sjellje paqësore, paraqitje dinjitoze e qëndrime të qarta të shprehura gjatë organizimit. Në njoftimin e Qeverisë, u tha se ajo vlerëson në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës, gjë që kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit.

Ndërkaq ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se qetësia dhe dinjiteti i treguar gjatë Marshit për Liri i bën nder sakrificës së atyre që kanë luftuar për Kosovën dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë.

“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë. Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Qytetarët të bindur për aktgjykim lirues

Qytetarët që marshuan në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, kanë shprehur bindjen në pafajësinë e tyre. Shumë prej tyre kanë shprehur edhe vërejtje për punën e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Unë besoj fuqishëm që vendimi ka me kanë liri për çlirimtarët se lufta u kanë e drejtë, e paqtë dhe dinjitoze. Këto deklaratat që i kanë ba prej Dick Martyt e krejt janë veç shpifje e rrena të cilat janë ushqy nga sofrat e Beogradit”, ka thënë Besim Azemi.

“Kanë me u liru. Edhe ishalla i presim më 16 shtator. Gëzim ma të madh nuk ka Kosova”, ka deklaruar Afet Kuqi.

“Kemi ardhë eksta nga Austria që ta përkrahim Ushtrinë Çlirimtare”, ka thënë Remzije Sadiku.

Pos shpresës për aktgjykim lirues, shumë qytetarë janë shprehur të pakënaqur me punën e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Gjykata Speciale ia ka huq me krejt. Këta janë çlirimtarë, kanë me u kthy me emër të Zotit në vendin e tyre më të lirë se kurrë dhe kemi më i pritë më mirë se kurrë”, u shpreh Besim Azemi.

“Nuk jam ndonjë ekspert për me i gjyku ligjet e ato por uroj që ata të dalin faqebardhë se e di që janë bërë gjithmonë gabime për popullin shqiptar. Uroj që kjo gjykatë të jetë e fundit për shqiptarët”, ka thënë Hazir Muqa.

“Presim me u liru dhe po i presim me padurim qytetarët. Puna e gjykatës katastrofë dhe mendoj që duhet me i liru”, ka shtuar Muhamet Gashi.

Sipas tyre, stërzgjatja e procesit gjyqësor pos padrejtësi, është edhe shkelje e të drejtave të njeriut.

“Gjykatë politike, kjo është padrejtësi, iu ka ba që 6 vjet që janë të burgosur atje. Kjo është padrejtësi e madhe”, ka thënë Kemajl Dullovi.

Ky marsh nuk qe i pari që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Marshe ka pasur në Kosovë edhe në prill të 2023-tës para nisjes së gjykimit e edhe në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës sivjet, më 17 shkurt. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, protesta ka pasur më herët edhe në rajon e në Perëndim.

Marshi i së shtunës u mbajt katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të shpallin aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së u patën arrestuar në nëntor të 2020-s. Nga ajo kohë janë mbajtur në paraburgim.