Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Haxhiu: El ELK no se defiende declarando a sus opositores políticos "espías" y "traidores".

Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë thirrje për shmangjen e shënjestrimeve të kundërshtarëve politikë si dëshmitarë apo si “spiunë” e “tradhtarë” për proceset që zhvillohen në Gjykatën Speciale të Hagës.

Një ditë më parë, kjo gjykatë dënoi katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin me 81 vjet burgim. Në Kosovë pati menjëherë protesta e u akuzuan qeveritarë, përfshirë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvallën. Ata u cilësuan si “spiunë”.

“Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare e institucionale. Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës. Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës. Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme. Ajo mbjell frikë, nxit linçim dhe e shndërron dhimbjen në përçarje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook duke shtuar se “vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë”.

Tek ka bërë thirrje për maturi, Haxhiu ka thënë se kushdo që ka të dhëna për njerëz që mund të kenë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar e shtetëror duhet t’i paraqesin ato në organet e sigurisë dhe të drejtësisë.