Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Havolli: Estigma y acceso limitado a los servicios, desafíos de salud mental

Shëndeti mendor duhet të jetë prioritet i vazhdueshëm për individin, familjen, institucionet dhe shoqërinë, ndërsa paragjykimet dhe vështirësitë në qasjen ndaj shërbimeve mbeten sfida që kërkojnë më shumë angazhim, është thënë në edicionin e tetë të Kongresit Ndërkombëtar “Shëndeti mendor: sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, i mbajtur në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Në këtë kongres, përfaqësues të profesionit të psikologjisë dhe shëndetësisë kanë theksuar rëndësinë e parandalimit, identifikimit të hershëm të çrregullimeve mendore, qasjes së barabartë në shërbime dhe trajtimit që merr parasysh jo vetëm simptomat, por edhe rrethanat personale e shoqërore të individit.

Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe i Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, Ilir Havolli, ka thënë se kujdesi për shëndetin mendor duhet të jetë i vazhdueshëm dhe se shoqëria duhet të investojë më shumë në parandalim, edukim dhe shërbime cilësore.

“Shëndeti mendor është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm, dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, megjithatë ende përballemi me paragjykime, stigmatizime, vështirësi në qasje ndaj shërbimeve personale dhe për këtë arsye kemi përgjegjësi të përbashkët të investojmë më shumë në parandalim, identifikim, edukim dhe ofrim të shërbimeve cilësore. Sepse kujdesi për shëndetin mendor nuk nënkupton vetëm trajtimin e vështirësive, por edhe krijimin e kushteve që çdo individ të zhvillohet, të ndihet i mbështetur dhe të jetojë me dinjitet”, ka thënë Havolli.

Ai ka theksuar se vuajtja emocionale nuk është gjithmonë e dukshme dhe se mbështetja, empatia dhe dëgjimi mund të kenë rëndësi të madhe për personat që përballen me vështirësi të shëndetit mendor.

“Ekziston një e vërtetë që nuk mund ta mohojmë asnjëherë: vazhdimisht nuk mund ta shohim dhimbjen tek një njeri, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Prandaj, shëndeti mendor kërkon më shumë njohuri profesionale, kërkon mirëkuptim, më shumë sesa njohuri personale, kërkon mirëkuptim, empati, dëgjim dhe gatishmëri për të qenë pranë atyre që kanë nevojë. Nganjëherë një bisedë, një dorë e shtrirë në momentin e duhur, apo një profesionist që di të dëgjojë, mund ta bëjë ndryshimin e madh në jetën e dikujt. Ndryshimet shoqërore dhe teknologjike kërkojnë qasje të reja, kërkime shkencore, zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet disiplinave dhe institucioneve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, doktori Ferid Agani ka vënë në pah nevojën për parandalim më të fuqishëm, qasje të barabartë në shërbime dhe trajtim të bazuar në evidencë, duke theksuar se zhvillimet shoqërore dhe teknologjike po sjellin edhe forma të reja të cenueshmërisë.

“Dita Botërore e Shëndetit Mendor na kujton çdo vit se nuk mund të ketë shëndet të plotë pa shëndet mendor. Por ajo duhet të jetë më shumë se një ditë ndërgjegjësimi; duhet të jetë një thirrje për veprim, për parandalim edhe më të fuqishëm: njohje më të hershme të çrregullimeve, qasje më të barabartë në shërbime, trajtim të bazuar në evidencë dhe mbrojtje të dinjitetit e të drejtave të çdo personi që përjeton vuajtje psikike. Ky kongres zhvillohet në një periudhë të përparimeve të jashtëzakonshme shkencore dhe teknologjike, por njëkohësisht edhe të pasigurisë, polarizimit, vetmisë, migrimit dhe pabarazive sociale”, ka thënë Agani.

Ai ka theksuar se çrregullimet mendore ndikojnë jo vetëm te individi, por edhe te familja dhe komuniteti, ndaj trajtimi duhet të marrë parasysh tërësinë e rrethanave të secilit person.

“Ndryshimet e shpejta në mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë krijojnë mundësi të reja, por edhe forma të reja të cenueshmërisë. Ankthi, depresioni, pasojat e traumës, varësitë, dhuna dhe çrregullimet e tjera mendore prekin jo vetëm individin, por edhe familjen, komunitetin dhe e cenojnë zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Prandaj, përgjigjja jonë nuk mund të kufizohet vetëm në identifikimin dhe reduktimin e simptomave, për të kuptuar vuajtjen njerëzore duhet ta kuptojmë fillimisht personin në tërësinë dhe veçantinë e tij, para se të merremi vetëm me simptomat të cilat ai na i paraqet para vetes. Çdo njeri kërkon ndihmë, vjen te ne me funksionimin dhe cenueshmërinë e tij biologjike, por edhe me historinë personale, marrëdhëniet, familjen, mjedisin shoqëror, kulturën, vlerat dhe pyetjet e tij ekzistenciale. Këto dallohen nga njëri në tjetrin”, ka deklaruar Agani.

Në kongres ka folur edhe Donika Shahini Lami nga Oda e Infermierëve të Kosovës, e cila ka vlerësuar punën e profesionistëve në këtë fushë, por ka theksuar se nevojat për mbështetje të shëndetit mendor mbeten të mëdha.

“Po ndihem mirë se është bërë punë e jashtëzakonshme, mirëpo kur po lexoj tema konkrete, kur po lexoj hulumtime konkrete, po vazhdojmë të punojmë drejt për t’ju dalë ndihmë njerëzve. Nevoja është e jashtëzakonshme, një vendim politik, një vendim i ditëve të fundit na tregoi se sa fragjil mund të jetë shëndeti mendor edhe tek ne, që e punojmë këtë profesion, ndër vite e lëre më tek njerëzit që kanë kaluar në trauma, lëre më tek ata që stresi posttraumatik ka marrë forma të ndryshme, po i kalon edhe terminologjinë shkencore”, ka thënë ajo.