Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

La UE está dispuesta a organizar pronto una reunión de alto nivel sobre el diálogo entre Kosovo y Serbia.

Albin Kurti y Kaja Kallas

Foto: Archivo

Tri vjet nga takimi i fundit i nivelit të lartë, Bashkimi Evropian nuk ka arritur që të ulë në një tavolinë liderët e Kosovës e Serbisë. Edhe të mërkurën, nga BE-ja kanë deklaruar se janë të gatshëm që të ftojnë një takim të tillë së shpejti, por që për të paraprakisht kanë thënë se duhet vullnet nga të dyja palët

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur gatishmërinë për të organizuar takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sapo palët të shprehin gatishmëri për këtë.

Në një përgjigje për KOHËN, në Bruksel thanë se përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, është e gatshme të organizojë këtë takim, por kanë refuzuar të ndajnë hollësi të tjera.

Sipas përgjigjes, BE-ja do të njoftojë “në kohën e duhur për çdo takim të ardhshëm”.

“Siç ka deklaruar vazhdimisht Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë (HRVP), Kaja Kallas, ajo është ‘e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë’. Ne do të njoftojmë në kohën e duhur për çdo takim të ardhshëm”, thuhet në përgjigje.

Një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i BE-së në Kombet e Bashkuara, Stavros Lamperinos, ka deklaruar se për një takim të tillë duhet të ketë vullnet nga të dyja palët.

“Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve është ndër kushtet esenciale për rrugën drejt BE-së për të dyja palët. Kjo përfshinë implementimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit, si dhe marrëveshjeve të mëparshme që janë arritur e nënshkruar në dialog”, ka thënë Lamperinos.

Besar Gërgi, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, është shprehur se pa një ndryshim të pozicionit të BE-së në këtë proces, nuk mund të pritet ndryshim i qëndrimeve nga Kosova dhe Serbia.

Sipas Gërgit, vazhdimi i bisedimeve mes dy shteteve është i vështirë edhe për shkak të zgjedhjeve të së dielës në Serbi, e fitores eventuale të Listës së Studentëve, që nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj karshi këtyre zhvillimeve.

Arsye tjetër për skepticizmin lidhur me të ardhmen e dialogut, sipas tij, janë edhe synimet e ndryshme që Kosova e Serbia kanë nga ky proces.

“Duke i parë këto qëndrime diametralisht të kundërta dhe të papërputhshme në asnjë mënyrë, as tangjentale, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për BE-në që të gjejë një rrugë përpara. Por, thënë këtë, edhe BE-ja i ka të metat e saj sa i përket procesit të ndërmjetësimit”, ka thënë Gërgi.

Një muaj më parë, Kallas ka takuar ndaras kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në këto takime, Kallas ka shtruar nevojën për ecjen përpara të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, derisa ua ka bërë të ditur detyrimin që kanë ata për zbatimin e marrëveshjeve.

Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në verën e vitit 2023, pak ditë para sulmit në Banjskë.