Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Bashkëbisedim me Ali Aliun (Pjesa IV)

Ali Aliu: Sabíamos que la guerra se avecinaba.

Surroi: Përshëndetje! Po e vazhdojmë bisedën me akademik Ali Aliun. Ky është një episod, i cili fillon me një rrëfim të rëndësishëm të historisë së Kosovës dhe ai është vendosja e një kontakti shumë intensiv me Shqipërinë; formimi i qeverisë sonë të asaj kohe në ekzil dhe përgatitja për një proces të gjatë, i cili do të përfundojë me çlirimin dhe pastaj me pavarësinë e vendit. 
Profesor, mirë se vjen. 
Po e vazhdojmë bisedën aty ku e lamë Janë tri gjëra të cilat mendoj se e karakterizojnë këtë periudhë për të cilën duam të flasim, të tria ndërlidhen me ty. Në takimet tona të Këshillit koordinues të partive politike kemi marrë dy vendime të rëndësishme, gjegjësisht tri. 
Vendimi i parë i rëndësishëm ishte rreth platformës sonë gjithëkombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi, rreth pozicionit që duhet marrë karshi statusit. Dhe në shtëpinë e Fehmi Aganit, nëse nuk gaboj, kemi qenë të mbledhur përfaqësues të partive politike, fillimisht të Kosovës, pastaj disa ditë më vonë edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë dhe kemi konstatuar që kemi tri opsione. 
Pra, opsioni i parë është që Kosova të jetë republikë në çfarëdo rregullimi apo rirregullimi që do të pësojë Jugosllavia - pra konfederatë, federatë etj.; nëse do të bëhet unifikimi në bazë etnike, atëherë kjo duhet t'u ndodhë edhe viseve shqiptare të ish-Jugosllavisë në çfarëdo rirregullimi të atillë dhe nëse ka pavarësi të republikave të ish-Jugosllavisë, Sllovenisë, Kroacisë, etj., atëherë pavarësia do të jetë rruga e Kosovës. 
Në atë mbledhje, në ato qëndrime, patëm vendosur po ashtu, që në Mal të Zi do të ketë një autonomi, e cila planifikohej në Konferencat e Hagës, asokohe me Lordin Carrington; e njëjta gjë për Luginën e Preshevës, ndërsa në Maqedoni shqiptarët e Maqedonisë do të jenë element konstitutiv i republikës së pavarur ose jo të pavarur të Maqedonisë, çfarëdo që të jetë statusi i saj.
Formulimin e këtyre qëndrimeve në fund e ka bërë Ramush Tahiri, i cili ka qenë nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe me këto qëndrime, në të cilat çdonjëri prej nesh natyrisht ka kontribuar, jemi pajtuar të gjithë, këto janë shndërruar pastaj në qëndrime të partive politike shqiptare të ish-Jugosllavisë. 
Kjo ishte shumë më herët sesa të bëhej Ramushi dhëndër i yti. E njihnim Ramushin. Unë e kam njohur si gazetar, si koleg në "Rilindje", pastaj si bashkaktivist në këtë periudhë dhe Ramushi shkon në pikën e dytë të qëndrimeve tona, e është formimi i qeverisë në ekzil, me Bujar Bukoshin në të cilën e Ibrahim Rugovës i kemi dhënë të drejtën diskrecionale që të emërtojë të gjithë edhe publikisht, pos ministrin e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, që duhet të jetë e drejta diskrecionale e tij, që ai të dijë, ne nuk kemi pas nevojë të dimë. 
Pjesë e asaj qeverie bëhet Ramush Tahiri dhe ai merr për obligim, në atë kohë në Bled apo në Kranj, nuk e di ku kanë qenë...

Ali: Në Bled

Surroi: ...ai e merr përsipër që të krijohet një buxhet dhe të krijohet një koordinim për ish-oficerët e Ushtrisë Jugosllave, të cilët do t'i mbanim me rrogë dhe do t'i do të krijonim një embrion të ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
Dhe qëndrimi i tretë është i vetë Rugovës, që ti të shkosh në Tiranë dhe që të vendosesh si përfaqësuesi i Kosovës atje që të jesh...

Ali: Si përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike... ashtu ka qenë, mandej u emërtua si Zyra e Kosovës.

Surroi: Këto të tria shkojnë bashkë në një lëvizje, mendoj unë. Por kjo e treta fillon me një..., aty ku e lamë në episodin e kaluar, e ky është takimi juaj në Vjenë.

Ali: Ne kishim një lidhje me Ambasadën e Shqipërisë në Bon, në kryeqytetin e Gjermanisë. Dhe ishte një person, shqiptar i Kosovës, që kishte një firmë tregtare në Gjermani, një shitore, një hapësirë të madhe, që shiste teknikën e bardhë, i thoshin. Një inxhinier, një burrë i mirë, që e kishte të afërt Bujar Bukoshi. 
Ai mbante lidhje të hershme shumë të afërta me ambasadën. 
Dhe sinjali i parë për një takim na erdh përmes atij personi dhe e pru Bujari, Bukoshi. Këto fjale drejtpërdrejt nga goja e Ramiz Alisë: Kërkonte një takim me Ibrahim Rugovën, ku të dojë Ibrahimi.

Surroi: “Pse po takohesh me krejt botën, po s'po vjen te unë...”

Ali: Po, me të gjithë ata liderë të botës, tash ne jemi një, edhe kështu. 
Edhe e mbaj mend, në... jo në zyrë, po shkuam në kafe. Aty Bujari ia tha këtë Ibrahimit. 
Ibrahimi tha: "Është ende herët për të takuar ndoshta me Ramiz Alinë, por një takim ta bëjmë!"

Surroi: Ai ka pasur një drojë edhe nga Partia e Punës edhe këndej nga bota islame. Të dyja i ka pasur kështu si...

Ali: Tha: Le të caktojnë një datë, një delegacion ata, do ta caktojmë edhe ne”. Tashti ta them shkurt. Tha: “Do të shkoni, meqë ju dy e dini, do të shkoni ju dy në emrin tim”. Dhe shkoi kjo informatë.
Mbas disa ditëve, na erdhi një informatë që një delegacion i Ramiz Alisë, filan ditë, në filan vend, propozon të takohet me delegacionin tonë. Na erdhi ngushtë, e mbaj mend, brenda ditës. Edhe ne u nisëm, gjetëm një lidhje për në Stuttgart... nga Zagrebi gjithnjë udhëtonim, Shkup-Zagreb, dhe mbërrijmë diku në mbrëmje me Bujarin.
Edhe na priste ky personi që ishte lidhja me ambasadën. Na priste në aeroport e mbaj mend me një veturë të madhe të bardhë. Atë person e takoj edhe tash herë mbas here. Ai është dhëndër i Gjermanisë, ka një grua gjermane që është po ashtu e përfshirë në politikë... nganjëherë vjen edhe në Prishtinë... 
Na priti i mirë. Është një njeri i gëzuar gjithnjë, i qeshur kështu plot reflekse pozitive, edhe u nisëm drejt Vjenës..

Surroi: Kush ju priste atje nga Shqipëria?

Ali: Do të tregoj rrugën pak... se me këtë shoferin më kujtohet një detaj. 
Se unë rrinja përpara, Bujari mbrapa. E mua shpesh me zë vetura mbrapa. Kur i jap vetë veturës, jo... po edhe kur rri në karrige përpara, jam më i qetë. 
Edhe e mbaj mend që një herë e pashë aty 215, shpejtësinë. Edhe thashë, "More, unë këtë shpejtësi e kam parë kur aterrojnë aeroplanët poshtë... 300, 250 kjo... dhe ai filloi të qeshë dhe filloi ngadalë, por ne kemi udhëtuar të gjithë, unë nuk e di sa është largësi apo kemi udhëtuar gjithë natën, drejt kur mbërrimë diku në periferi të Vjenës, ishte buzë agut, domethënë drita po e mposhtte terrin nga pak kështu, si në mjegull, edhe ai propozoi, miku jonë, propozoi të ndalemi në një motel, të freskohemi, të pimë nga një kafe dhe kështu jemi ndalur diku, se e dinte afërsinë tash, ku do takoheshim një herë në Vjenë. Aty na pritte ambasadori, me të vetët.

Surroi: Po ndoshta është më me rëndësi të kalojnë kush ishte i dërguari i Ramiz Alisë.

Ali: Në krye ishte Sofokli Lazri, ishte këshilltari i parë...

Surroi: Që ka qenë njeriu më i afërt i tij...

Ali: ...i afërt i tij. Unë për vete, nuk e di Bujari, por unë që i ndiqnja shtypin, emrin ia dinja, se i dilte shpesh me artikuj lidhur me Kosovën. Ay ishte me formim filozof.

Surroi: Po edhe ka qenë bashkë kanë qenë partizanë me Ramiz Alinë, në atë brigadën që ka kaluar nga Kosova në Sanxhak edhe në Bosnjë mandej.

Ali: Dhe na priste ambasadori në një lokal në Vjenë dhe ne do të niseshim në kodër diku mbi Vjenë. Kur mbërritëm atje me Bujarin dhe ambasadorin, Sofokliu me të vetët kishte mbërrirë në një salle e madhe ishte një vend turistik i Vjenës. 
Plot lokale, plot shtëpiza të vogla, kallaballëk, zhurmë. 
U takuam edhe përshtypja e parë ishte dëshpëruese. Më kujtohet që Sofokliu filloi të na flasë për një fushatë që kishin, ata bënin tufëzimin e bagëtive. E konsideronte si gjë shumë të suksesshme edhe ne shikoheshim në sy kështu...

Surroi: A thua pse e bëmë krejt këtë rrugë?

Ali: Po! Çka është kjo? 
Nejse, ishte një figurë kështu, që linte përshtypje të mirë, një njeri me kulturë, i mbushur... besoj e ke parë ti fizikisht me trup. 
Edhe ne shpejtonim se na ndante mandej... obligim tjetër kishte Bujari në Gjermani, obligim të ditës, kisha unë në mbrëmje të mbërrij në Zvicër, në Zurich, se kishim nëpër degë takime, punën tonë. Dhe sa zgjati kjo, ndërhynim ndonjëherë, s'kish lidhje biseda dhe Bujari duhesh të çohej. U çua, e mori shoferin dhe u nis për Gjermani, u kthye. Unë do të shkonja me aeroplan në Zurich në mbrëmje. Ishte rezervuar buleta. 
E Sofokliu megjithatë propozoi që ne të dy, domethënë me katër sy, të hamë drekë bashkë. Dhe jepnin atje, duket, shtëpiza me qira. Ambasada e kishin zënë një shtëpizë të tillë edhe shkuam, shkuam në tërësi ma afër, edhe ai ma i ma hapi muhabet mua për Petro Markon. Ishte informuar që unë kisha muhabet, kisha bërë doktoratin, e njihja Petron e kështu, ay e kishte mik të afërt të një ane atje poshtë nga jugu. Edhe bisede të tillë, bisedë kështu, nejse unë atë bisedë e pranova se m'ishte brenda profilit tim, interesimeve të mia, na shërbente njëri aty, hynte brenda, dilte kështu vetë mbeteshim... 
Ta shkurtoj muhabetin, se e ndienim ne, i thashë: “Sofokli, Kosova pa luftë nuk do të kalojë. Krejt Jugosllavia, hapësira Jugosllave është në prag të një lufte të përgjithshme. Do të përfshihemi edhe ne aty”. 
Tha: “Po e dimë këtë”. 
Thashë: “Unë dua ta di çfarë mund të bëni ju për ne, kur të shpërthejë kjo”. 
Ai tha: "Na ngushtoni".

Surroi: Sepse ishte realist.

Ali: Ishte realist, po për mua zhgënjim i madh. Ne mendonim që ne do ta nisim luftën, këndej s'kemi, po këta vëllezërit tanë do të jenë me...

Surroi: ...plot armatim, po...ushtri kanë, armatim kanë...

Ali: ...dhe diçka do të kemi. Tha, ‘na ngushtoni’ edhe, me të vërtetë, u mbyll kjo bisedë kështu, me Sofokliun, miqësor, natyrisht. Sofokliu e njihte situatën në Kosovë. Ay e ndiqte edhe i kishte pikëpamjet dogmatike. Filozof me formim përjashta, por i kufizuar me filozofinë e sistemit në të cilin jetonte. Kështu u ndamë me Sofokliun, mandej pata raste të tjera unë që u takova më ta më vonë në Tiranë, por u ktheva me një bindje të tillë.

Surroi: Ndonëse ti kur ke qenë në Tiranë ka filluar me ty, ka filluar me, faktikisht me këtë komunikim, procesi i trajnimit të ushtarëve tanë, të vullnetarëve tanë, që ka qenë ide të cilën e patëm diskutuar në Këshillin koordinues të partive asokohe, e kjo ka qenë ideja që ata të cilët do të shkonin edhe ashtu të rekrutoheshin, ata që duan të shkojnë, le të shkojnë të ushtrohen në Shqipëri.

Ali: Po, kjo është më vonë, se tashti para kësaj ndodhi vizita jonë në Shqipëri.

Surroi: Në Tiranë.

Ali: Gjithnjë 1991-n. Na erdhi ftesa nga Ramiz Aliu që ta vizitojmë Tiranën edhe Rugova e pranoi. 
U nisëm ne përsëri, Rugova, Bujar Bukoshi edhe unë, një ditë përpara për në Bon. Edhe kishim lanë, zbritëm në aeroport mbasdite, na printe Hafiz Gagica, që ishte përgjegjës për diasporë, ai komunikonte tash me Ambasadën. Ne i kishim marrë buletat e gjitha ato. 
Kishte marrë vesh se kishin bërë një kërkesë, një ftesë të tillë ambasadori i Shqipërisë në Bon që pas darkë, të vini një vizitë për kafe në rezidencën tonë. Dhe u vendosëm ne në hotel, hëngrëm darkë e të gjitha dhe nga ora 7:00-8:00 në mbrëmje na priu Hafizi, që e dinte ku e kanë rezidencën, u nisëm të katër. 
Hafizi na priu e dinte derën. I ra ziles edhe e hapi një grua derën edhe e qante. Mbas saj edhe një tjetër, edhe ajo në lot. Ne u hutuam pak, thamë, paska ndodhur ndonjë gjë familjare. Por ne ishim para derës, tash: "urdhëroni, urdhëroni". Hymë brenda dhe i gjetëm kallaballëk aty. Ishin mbledhur familjet ata në një sallon, shumica. Edhe muarëm vesh që atë ditë ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë. 
Tash në bazë të kësaj dihet data që...

Surroi: 20 shkurti (1991)

Ali: Po. Ishte dimër.

Surroi: Po ishte dimër, unë... në atë moment dilja nga Korça për në Greqi, atë ditë. Se atë javë kam qëlluar në Tiranë. Isha po ashtu i ftuar nga Ramiz Alia.

Ali: Edhe ne u qetësuam atëherë, e pamë njëri-tjetrin, e thamë po u bë pak qesharake kështu, po, nga ana jonë, po kaloi kjo dhe të nesërit ne fluturuam edhe në aeroport, na pritnin tani. 
Ne kur zbritëm aty unë isha njëri nga ata që e njihnja Sofokliun që ishte në krye të delegacionit që kishte dalë të na presë dhe e njihnja edhe Gramoz Pashkon, edhe unë, edhe Rugova.

Surroi: Edhe Gramozi kishte dalë me ju pritë?

Ali: Po, bashkë me Saliun. Kishin dalë, të veçantë ata..., tashti ne na kish ftuar zyrtarisht, po këta ndjeheshin që po vijnë, nesër do të vijnë në pushtet, ishte kjo frymë atje, edhe Saliu nuk i linte këto shanse. Edhe ai kishte marrë 5 a 6 aty, ishte ky që u bë kryeministër mandej...

Surroi: Leka (Aleksandër, v. r.) Meksi

Ali: Leka Meksin, Azemin (Hajdari, v. r. ), Gramozin, kishte marrë këtë arkeologun djalin e Hysen Cekës, Neritan Cekën, 5 a 6, domethënë. Edhe Eduard Selamin.

Surroi: Po, po ai ka qenë sekretar.

Ali: Po, pamë

Surroi: Më shumë paska pasur opozitë sesa pushtet.

Ali: Po, ne mbetëm të hutuar tani qysh na futen në një sallë se edhe aeroporti ishte një gjendje të mjerueshme.

Surroi: Po, ka qenë një sallë e vogël, jo për lëvdatë...

Ali: Edhe kishte në dy anët, jo karrige, po nga ato që janë stole dërrasash të zgjatura në të dyja anët. Ne në krye të sallës, një të atillë të shkurtër, u ulem të tre edhe e mbaj mend Ibrahimit i punonte kjo... dukej shpesh ai që është kështu flegme, tha he djathtas, majtas... herë të djathtën, herë të majtën. E na nxuar: “Hajde ta cakërrojmë”, tha, “t'i pimë këto gota bashkërisht, kështu dy krahët”, edhe u bë një pritje e kësaj natyre, një improvizim duallem ne... hypëm në...

Surroi: ...veturat zyrtare...

Ali: ...zyrtare, që na priten me ato me policë e me kështu, këta me të vetat dhe neve na shpunë në një vilë në atë kompleksin e shtëpisë së Enver Hoxhës. në kodër atje, në një shtëpi.

Surroi: Të Zogut, ajo ka qenë ajo vila, vila e Zogut...

Ali: Vinte më vonë nata e mbaj mend që një ftohtësi, u futëm brenda në atë shtëpinë e tij ku flinte Enver Hoxha. Në fillim në të majtë ishte zyra ku punonte ai, më andej ishin dhomat e fjetjes.

Surroi: Jo kjo te vilat poshtë, po...

Ali: Jo, jo, sipër, ku flinte ai

Surroi: Po mendoj, këto shtëpi kanë qenë jo te "Blloku"...

Ali: Në kodër.

Surroi: Në kodër kanë qenë ato tjerat, është ajo e Zogut.

Ali: Po. Na shërbyen atje darkë... me ne lanë të rrijë më gjatë Meksin, që ishte shumë komunikativ, shumë pozitiv, mandej u bë kryeministër me të cilin unë kur isha atje, i bënja gjithë bashkëpunimet me të, një njeri shumë i afërt, shumë pozitiv, shumë i... edhe vendosëm, ne thamë: “Ne s'rrimë këtu, ne po vinim tashti...”

Surroi: Të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë, se edhe mua më kanë vendosur aty, dhe unë u thashë, “Unë kam ardhur të rri në Tiranë, jo këtu i rrethuar me ushtri”.

Ali: Po! Me ushtri!
Rugova edhe unë po vinim në Tiranë, mbas dhjetë viteve, që janë vitet '70 vinim vazhdimisht, kishim gjithë ata miq, me dhjeta intelektualë, miq të afërt, na sollën këtu. Bujari vinte për herë të parë. Nuk e kishte këtë ndjesi.

Surroi: Edhe pse e kishte vëllanë...

Ali: Hysenin...

Surroi: ...në Berat.

Ali: Në Berat, po. Ti i ditke këto. 
Edhe të nesërit në mëngjes ne thamë ne duam të shkojmë në qytet. Edhe ata na zhvendosen, na shpunë në ato vilat që janë tashti mbrapa "Piramidës", një rrugë është, ishte një vilë, ata i thoshin vila nr. 4, a 5, pak më tej ishte Radiotelevizioni, në atë rrugë. 
Na shpunë në një vilë, që ishim vetëm ne. Ishte brenda në qytet ishte intime, na caktuan një grup që të kujdesen, kuzhinierë e sende aty kishim ushqimet, se ndejtëm disa ditë.

Surroi: Takimi me Alinë?

Ali: Takimi me Aliun, shkoi në një frymë të tillë që ne kur zbritëm edhe pamë, Tirana ishte në një gjendje policore. Kishte tanks përpara presidencës.

Surroi: Po, se ju mbërritët më 21.

Ali: Po, të nesërit, menjëherë. Edhe neve...thamë ç'është kjo, ç'është kjo? Ne po vijmë nga tanksat atje të Beogradit, po gjejmë këtu, në rrugë, domethënë shqiptarët kundër shqiptarëve ishte diçka e pakapshme për neve. 
Dhe ai tha, “Po jo, ne kështu e duam, po lejojmë një alternativë, por këta po e teprojnë edhe ja, këta kërkojnë aty që të ketë konflikte, kështu, e nuk po... dhe unë po mendoj që do të marr masa edhe kundër protestave, po i bëjnë të dhunshme...”
Ibrahimi, fjalëbutë..., e unë mbaj mend kur tha ‘që do të marr masa’, i thashë: “Po çfarë ndikimi ndërkombëtar do lini me këtë?” Tha: “Profesor, ndikim ndërkombëtar s'ka, ne duhet ta ruajmë Shqipërinë”. 
E kështu domethënë, ai tashi i bënte këto, se ai dinte që ne sa dalim do të takohemi me ata.

Surroi: Me opozitën.

Ali: Do rrimë me ata. Ay e kishte Sofokliun edhe të sekretarin e dytë partiak, ai babanë e atij avokati tash që është me PD-në, Xhelil Gjoni. Ata të tre ishin, ne të tre. 
Domethënë, shkoi ashtu formalisht pa ndonjë... ay na bëri një ekspoze ndërkombëtare, i njihte ky Ramizi. i njihte, kishte qenë në Kombet e Bashkuara, kishte kontakte, kishte informata bëri një pasqyrë që kështu të na impresiononte, po ai donte të përcjellë një porosi që të mos acarohet puna. Krejt këtë e kishte. Se mbrapa unë e pashë që ai donte të lejohej një alternativë por, pa probleme.

Surroi: Po të cilën ai do ta menaxhonte, kishte nevojë ta menaxhonte atë.

Ali: Ashtu. Edhe ne, menjëherë sa të nesërit duallmë nga vila, u krye ky takimin e parë, Bujari i luti dhe i dhanë një shofer këta të shtetit që të shkojë ta shohë të vëllanë. Ibrahimi dhe unë vendosëm tashmë, që të shkojmë në vizitë te Dritëro Agolli. Unë kam patur edhe si fis hesapi.

Surroi: Ashtu?

Ali: Gjyshja ishte nga andej Dangëllia, po ishte me Bilishtin, me Devollin, nga Nikolica e Asllan Nikolicës. Ishte gjyshi i gjyshes time. 
I zgjidhëm këto mbrapa, që në vitet 1974, me Dritroin edhe me atë e kishim mik gjithë. Kishte qenë te ne me ditë, me vizita.

Surroi: Edhe ai ka qenë pjesa liberale e Partisë Komuniste, në fakt.

Ali: Si.

Surroi: Partisë së Punës.

Surroi: Ai e mbajti atë fjalimin e famshëm...

Ali: ...që i fishkëlluan, po detajet i di ti... 
Edhe shkuam aty, u gëzua ay, u gëzuam ne, që mbas dhjetë viteve u pamë. Sadija e shoqja ishte bërë me ne, njësoj familje. 
Dhe e mbaj mend që erdhi ay, Skënder Buçpapaj, punonte, ishte redaktor i gazetës "Drita". Erdhi, muar vesh, menjëherë erdhi edhe Dritëroi na i lejoi dhomën e vet të punës atje të bënte intervista. Bëri intervistë me Ibrahimin, me mua. Të nesërit i botuan në gazetë dhe ne filluam takimet tona.
Njihnim me dhjeta intelektualë. Kadareja kishte shkuar, po njihnim plot shkrimtarë, Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun, këtë filozofin, anëtar të Akademisë dhe bëmë vizita.... 
Ishte për disa muaj, apo për një vit pak kohë ishte ministër për kulturë, Moikom Zeqo, e kishin caktuar. Na shpunë me te. Na pranoi se donin të dalim në televizor me ministrin, ai në mes ne me Ibrahimin... filluam kështu ne takime me njerëzit që i njihnim nga vitet '70. Shkuam në vizitë të Lidhjes...

Surroi: A u hap ndonjëherë çështja e mbrojtjes me Ramizin?

Ali: Jo, në këto takime jo.

Surroi: Se në fakt sa mbaj mend unë, i vetmi i cili është marrë me këtë punë, fillimisht, ka qenë Perikli Teta, por ajo ka qenë në një qeveri tjetër apo?

Ali: Jo, Perikli Teta u bë ministri i parë, i qeverisë të parë të stabilitetit, që u bënë zgjedhjet mbas kësaj...
Se ne tashti bëmë disa vizita, meqë ishim mysafirë të Qeverisë, neve shkuam te "Nëna Shqipëri" edhe vumë kurorë atje me Ibrën, por jo te këta, te Enveri. Edhe i mbaj mend, ne kaluam aty edhe një grup si gjysëm me uniformë, me gjysëm civilë, “po këtu vini edhe një po këtu”... ne i shmangem edhe ikëm, a ishim mysafirë të tyre. Ishim në raporte të vështira edhe ne.

Surroi: Po, edhe pse nuk kanë qenë diktues, domethënë, kanë lejuar që të takoheni...

Ali: Mua m'u hakmorën me një detaj. Kur u bënë zgjedhjet e para, ata na ftuan, e ftuan Lidhjen Demokratike në fund të zgjedhjeve, ku fituan Socialistët, por me diferencë të vogël, me katër-pesë mandate. Dhe ne u nisëm, Kraja edhe unë. Shkonim zakonisht nga kryesia njerëz që kishim njerëz të njohur atje, edhe shkuam nga Greqia. edhe në Kakavijë...

Surroi: Folorinë, Kakavijë...

Ali: Po. Kishim marrë një veturë të kuqe, si tani e di, me rent-a-car nga Prishtina, e voziste Kraja. Edhe na lëshuan grekët. Kur erdhëm te shqiptarët, s'na lëshonin! Kjo m'u hakmarrë, se shefi i policisë aty tha: "Po, po, ishit atje, nuk vutë kurorë". Kjo kishte ndodhur para disa muajve. 
Edhe ne mbetëm të ngujuar aty deri në mesnatë. Dita kaloi, ne kthehishim te grekërit ata e kuptonin, thoshin: "Këtu hyni, dilni kur të doni, mund të ktheheni. ne s'kemi problem me ju". Shqiptarët nuk na lejonin. Ne rrinim brenda. Këtyre nga mesnata dikur erdhi një makinë që të njëjtin gjë e bënin policia rrugës, nuk e linin makinën që e kishin dërguar PD-ja, demokratët, të na marrë.
Nga mesnata na erdhi një makinë, bile e mbaj mend një makinë e vjetër, se i punonte njëra dritë, tjetra jo, edhe thanë më në fund erdhi një makinë, ishim të dërrmuar ne aty me Krajën, po veturën tuaj do ta lini këtu, atë të kuqin. Dakord thamë ne. E lamë veturën edhe nga mëngjesi mbërrijmë në Gjirokastër. Ti e di tashti atë relacion 30-40 kilometra janë nga kufiri, mbërrijmë në Gjirokastër, na prisnin ata të degës, të gjorit, demokratët, se e kishin bërë qeverinë tashti, por ata kishin humbur. Por qeverinë bashkë e bënë. 
Gramoz Pashko u bë zëvendëskryeministër, (Ylli, v.r.) Bufi kryeministër, që ishin kolegë ata, ekonomistë të dy, edhe ishin kolegë në Fakultetin Ekonomik. Perikli Teta i Mbrojtjes, që unë s'e njihnja, por Gramozin po. 
Edhe në hotel ishte ftohtë. Ishte pranverë e hershme më duket, gjetën diku rezerva, do sendviçë do... na dhanë të ftohta, ato çfarë ishin, ndonjë çaj, ndonjë... na bënë, edhe mbetem ne tani, ç'do të bëjmë? Do na çojnë këta me makinë? Ta lëmë makinën tonë aty? Si do të shkojmë? Qysh këta mund të na gjenin ndonjë makinë që të shkojmë në Tiranë unë vendosa, vetë vendosa, i them Krajës edhe atij, deri te kryetari të PD-së, aty i them hajde njeri të më shoqërojë, çomëni te kryetari i Bashkisë. Ti e di hotelin, është në fillim te sheshi hoteli edhe ajo rruga përpjetë, u nisa unë...

Surroi: ...te Qafa e Pazarit,

Ali: ...po, Qafa e Pazarit shkova atje, pas një grumbull njerëzish pritnin për nevoja të veta dhe unë kërkova leje të hyjë, më lanë ata. Edhe e kishin lajmëru, e lajmëroi dikush atë edhe për fat kishte thënë hajde le të vijë hyra, unë më pranoi kryetari, ishte një burri i trashë, emri s'më kujtohet, po diku e kam të shënuar, edhe ia tregoi unë. Ai kishte marrë informata. Po, tha, na falni tha, me pengesa me... po, tha, e di makinën, tha qe do ta dërgoj shoferin menjëherë t'ua marrë makinën. Dokumentat? I thashë i kemi, poshtë i ka kolegu im, në hotel jemi. “Ja unë e dërgoj tashti shoferin tonë, makinën tonë, le të shkojë”... na e rregulloi krejt këtë. Më priti mirë. 
E dinin edhe këta që nuk fituan, po ata nuk do të shkojë gjatë, ata do të vijnë në pushtet.

Surroi: Po kthehemi te Teta. Perikliu ishte ai i cili filloi këtë komunikimin tonë?

Ali: Po, Perikliu me Gramoz Pashkon ishin kryesorët. 
Pëlqim kishin dhënë edhe të tjerët aty, edhe Ramizi, se unë e gjeta këtë iniciativë. Nuk ishte iniciativa ime. Kjo kishte lindur nga diaspora jonë. Kishte lindur që nga Hafiz Gagica dhe Ymer Berisha, i vëllai i Zymer Berishës. 
Këta që në këto fushatat antidiasporës shqiptare, që e mbanin si armik, Ymer Berisha ishte në ato librat që i bënin si një ndër kryesorët në Zvicër ajo, kishte bashkëpunonin, ishin shokë të ngushtë dhe miq të ngushtë me Hafiz Gagicën dhe me Jusuf Gërvallën. Ishin ai grup. 
Edhe ata e kishin nisur këtë iniciativë edhe u lejua kjo se, unë them, kjo Qeveria e stabilitetit atje, po ta lejonin që ta mbaronte mandatin, për mendimin tim, Shqipëria do ta kalonte më lehtë këtë tranzicion.

Surroi: Tranzicioni ka qenë shumë i rëndë. Po megjithatë, në ato kushte jashtëzakonisht të rënda të Shqipërisë, ka ekzistuar një zemërgjerësi e padyshimtë, nga dyja anët, edhe nga pushteti edhe nga opozita e asokohshme.

Ali: Nga opozita, kryetarit të opozitës i shpejtohej... e dinte që ay në zgjedhjet e dyta do të fitojë. Edhe nuk donte ai ta kalojë mandatin. 
Unë e mbaj mend kur edhe mua më befasoi, që i shpalli zgjedhjet, s'kaloi një vit. Njerëz të PD-së që ishin, e mbaj mend atëherë, që e kisha mikun, qëmoti Gramoz Pashkon, po kisha të Çashkun, regjisorin,

Surroi: Kujtimin.

Ali: Ylli Popën, në Akademi që erdhi... ç'po bën ky, mirë është, të kalojë kjo njëherë, të afrohemi të kalojë kjo... edhe erdh, thoshin shko thuaj thuaji Saliut pse po shpejton kështu? Donte ai burrë të vijë edhe e suoll gjendjen deri në situatë sa erdhi një kryeministër pas këtij që tha edhe disa ditë bukë kemi. Të kujtohet si e kishte emrin kryeministri 5-6 muaj që ndejti (Vilson Ahmeti, v.r.), domethënë u krijuan rrethanat e kësaj natyre, po brenda atij viti, u krijua një qetësi aty brenda.

Surroi: Po ishte kontrast i jashtëzakonshëm. E mbaj mend se Ramiz Alia në atë kohë, e ka pasur rrogën nëse nuk gaboj 20 dollarë. Dhe ne, iluzioni ynë në Kosovë ishte se aty ka kapacitet jo vetëm për të na ushtruar e kështu, por për të na përgatitur për një për një ushtri të tanë.
Si shkoi ky kjo puna e rekrutimit të njerëzve. Shkonte nëpërmjet të degëve të LDK-së në diasporë, apo jo? Njerëzit e parë që kanë shkuar në trajnim kanë qenë nëpërmjet degëve...

Ali: Jo, janë regrutuar mandej. Shumica kanë qenë prej andej... janë regrutuar nga Kosova që zgjedhjen e kryesisht e bënte Rexhep Gjergji me Antonin...

Surroi: Anton Kolën

Ali: Po Anton Kolën. Sa kanë qenë andej e sa këndej unë s'e di. Unë e di këtë që Ymer Berisha ata i mblidhte në Zurich, dy grupe, nga 50-60 në grup, edhe i sillte. Ai i dorëzonte ata. U caktuan gazermat kudo të jenë.

Surroi: Në Fushë Elbasan, më duket.

Ali: Jo, jo! Në Fushën e Elbasanit shkonin këta dezertorët... jo more këta aty në afërsi të Tiranës ishin.

Surroi: Sipër në Dajt?

Ali: Po, unë nuk shkova asnjëherë se Zymeri, që ishte njeriu më i sigurt në krejt këtë... në jetën time, nuk kam njohur njëri më stabil më atë sikur kisha përshtypje që ta bëjnë copa-copa, t’ia shkulin pjesët e trupit, ai nuk dorëzohej. Ishte i tillë.

Surroi: Zymer?

Ali: Berisha. I vëllai i Ymer Berishës, që ma sull mua ta kem jo shofer, po e kisha mbrojtës. E kisha çdo gjë Zymerin. 
Edhe ai shkonte fshehurazi nganjëherë, por kishte lidhje dhe më thoshte mua, se thashë unë, “Të shkoj bre t'i shoh njëherë, t'i vizitoj’”, po tha, “Do të të ndjekin të gjithë këta tha që të ruajnë, kur shkosh ti, që ta zbulojnë se ku janë ata”.

Surroi: E ky është grupi i parë ku është edhe Adem Jashari, apo jo?

Ali: Po. Edhe Adem Jashari edhe Sali Çekaj.

Surroi: Edhe Zahiri (Pajaziti, v.r.) është aty.

Ali: Zahirin unë s'e njoh. Këta të dy e di, se Sali Çekaj ka qenë dy herë. Ishte edhe në të dytin se ishte si përgjegjës grupi.

Surroi: Por ata u dekonspiruan të gjithë, pothuajse...

Ali: Pati ndonjë dekonspirim, por që me kohë nuk pati arrestime. Ikën të gjithë!

Surroi: Mbaj mend një herë dhe pata biseduar prej disa prej tyre dhe ka qenë një oficer, i cili kishte marrë një disketë me emrat e tyre, i kishte çuar i kishte shitur në Greqi, prej Greqisë janë shitur pastaj në Serbi edhe ajo pjesë e këtyre njerëzve u patën arrestuar.

Ali: Unë sa i di që edhe s'u dënuan, po e kam marrë vesh këtë që në një seancë të tyre, më vonë mandej më tregonte ky avokati jonë, i ndjeri...

Surroi: Bajrami.  

Ali: Bajrami, ai shkonte. Bajram Kelmendi. që thanë një nga ato ata të kaluan lehtë, nuk kishte fakte shumë, por mua më tha “që u përmend edhe emri yt, në një nga ato”, edhe që atëherë e më thoshte: “kij kujdes”. Ata kaluan por u dekonspiruan ata në Elbasan

Surroi: Në atë kazermë në Fushë Elbasan, apo?

Ali: Në atë... si quhej e ka një emër.... E kishin edhe një skuadër me atë emër. 
Ajo ishte nja njëzet kilometra drejt Korçës, në të majtë të kthejë, ishte nja tridhjetë kilometra nga Elbasani, një gazermë e madhe që ne i mblodhëm, se u mblodhën njerëz disa qindra nga ata që vinin, edhe unë s'kisha ç'të bëj me ta...

Surroi: Dezertorët që i patëm nxjerrë prej Ushtrisë.

Ali: Iknin vetë ata.

Surroi: Jo, patëm organizuar me profesorin, me Fehmi Aganin, patëm biseduar me kroatët. Kemi pasur një aksion.

Ali: Po, që i mblidhnin te kroatët e sllovenët.

Surroi: Që doli Ibrahim Rugova, atë natë tha: “Dilni prej kazermave”.

Ali: Po, po. por këta që vinin në Shqipëri, këta bllokoheshin. Ata i organizonin se një herë unë nga Tirana kam shkuar në Slloveni, në një mal atje, në një kamp të tillë. Kam patur takime të kësaj natyre. Me ngjarje shumë detaje interesante.
Po këta që vinin, aty që ishin pa leje njoftimi, pa pasaportë, pa kurrgjë, vinin kështu edhe s’dinim çfarë të bëjmë me ta edhe me ndihmën e Hafiz Gagicës krijuan ata një fondacion edhe zgjodhi një gazermë shumë të mirë në afërsi të Elbasanit..., gjithnjë Perikli Teta, caktoi një oficer që merrej vetëm me ta atje. Unë i vizitova dy herë ata. Aty qëlloi njëri që organizoi disi një si grevë: të dalim në foto një grup me foton e Enver Hoxhës edhe ajo foto përfundoi në Beograd, në televizionin e Beogradit, të kujtohet. 
Edhe atë figurë që i mblodhi ata, ishte një bukurosh, një djalë, 24-25 vjeç, biond. E mbaj mend që Zymerit i thashë: “Është dashur ta diktosh që në fillim atë Zymer. I dyshimtë ka qenë”. Atë mandej, unë kur kam hyrë me NATO-n, me grupin e parë që u futëm në mes të NATO-s, nga Tetova erdhën me muarnë mua e këta, Hafiz Gagica dhe të tjerët të kryesisë së LDK-së që ishim në Tetovë të strehuar edhe hymë në Prishtinë. Ishte tollovi e madhe para Grandit, që s'merrej vesh kush, me kah është e çfarë është. Serbët ishin ende në Grand. Në atë tollovi unë, me një mantil të zi të gjatë e kam parë këtë, si UÇK-së. Edhe më hiku unë, fillova... u hutova... më hiku e kurrë në jetë time ma nuk e pashë.

Surroi: Paska qenë mister. Le të lajmërohet tash, kur të shohë në emision.

Ali: Po kështu domethënë, çfarë nuk kishte aty, aty brenda që depërtonte.

Surroi: A kishe besim se me kaq do të mund të kalonim, domethënë me një përgatitje e cila ishte e hollë, bukur nuk kishim më shumë njerëz të përgatitur për këtë.

Ali: Tashti shiko, kisha unë në atë kohë që isha aty, një zhgënjim të madh me demokratët. 
Dhe po e them aty, po e them tash, a duhet të thuhet a jo, po e them: se unë një herë bëra një propozim që u ndërruan aty situatat. Perikli Teta u ndërrua dhe erdhi Safet Zhulali në qeverinë tjetër. Po unë pata qenë gjatë zgjedhjeve të dyta unë isha atje. Kisha qenë në Tiranë edhe Bakeri kur erdhi, që u bë një milion njerëz aty. Unë isha aty te xhamia. Bile isha në oborr të xhamisë kur hyri edhe brenda Bakeri aty në xhami. 
Dhe gjatë zgjedhjeve mua më bënte presion PD-ja që të marr pjesë në fushatë. Socialistët ishin elegantë. Unë njihsha edhe me Bufin. Njihsha me plot socialistë këndej. Socialist Dritëro Agolli, ai filozofi që u bë një që kishte qenë në kohë të Ramizit, Komiteti i Kulturës... (Alfred Uçi, v.r.), në gojë kam...

Surroi: Fuga?

Ali: Jo, jo, anëtari i Akademisë, vdiq... 
Domethënë unë njihnja plot, plot socialistë aty dhe nuk më thoshin hajde. Dhe i thosha: “O Sali, ti e ke gjysmën e Shqipërisë, gjysmën e kanë ata. Kosovës i duhet Shqipëria e plotë burrë! E tëra, jo gjysma, gjysmën armik, gjysmën...”. 
“Kush s’vjen me mua është kundër!” 
Edhe unë këtë i mbanja për vete. Ai nuk pajtohej me këtë. Edhe nja dy herë kishte çuar letra atje. M'i tregonte i ndjeri Fehmi Agani, thoshte: “Ç'ma keni dërguar këtë komunist këtu?”
Pas, ata qeshnin, po për mua ajo ishte e rëndë, se ndrysh fillova të mbrohem prej tij. Dhe një herë propozova unë, kur erdhi Safet Zhulali, propozova që me këta dezertorët që ishin mijëra tani, se në Jugosllavi ne ishim të tretët me numër, mos të dytët me regrutë...

Surroi: ...është e mundur, është e mundur...

Ali: ...edhe thosha ti mbledhim bre burra...

Surroi: Më duket se 20% e regrutëve të ish-Jugosllavisë kanë qenë shqiptarë.

Ali: Unë kam dëgjuar se 30, nuk e di.

Surroi: Është e mundur.

Ali: Dhe i thashë këtij Zhulalit: “Ore t’i mbledhim nja dhjetë mijë aty në kufi, se ne do të përplasemi me ta”. Se kur isha në Slloveni me këta dezertorët atje, kontaktova ministrin e Shëndetësisë, ay i kishte në përgjegjësi këta. Nuk e di pse i Shëndetësisë. Një burrë i mirë. 
Dhe thoshim ne marrim ndihma për këta nga Evropa. Marrin fondacione, t'i strehojmë. Dhe thosha do të marrë Shqipëria ndihmë, fondacione. Nja dhjetë mijë... 10-12 mijë. 
Edhe një ditë më vjen mua Fatos Arapi që kisha çdo ditë të takoheshim me të, një nga poetët më të mëdhenj të shekullit. Edhe më thotë: “Hej, kam një mik atje, këshilltar”. S'po ia them emrin. “Një mik të mirë”.

Surroi: Në Qeveri apo në Ministri? Në Ministri të Safeti?

Ali: Jo, jo. Në Qeveri, në Presidencë. 
Edhe tha: “E di miqësinë time me ty edhe më tha: ‘thuaji atij që e përmendën aty për birësim’”. 
I them “Fatos, ç'është kjo birësim?” 
Edhe ay me tregoi që po vijnë familje pa fëmijë nga Italia kryesisht, edhe marrin fëmijë këtu. 
Edhe mua m'u lidh menjëherë. Edhe ta lidh detajin. Ku e kisha zyrën aty te Arkivi historik e pastronte një grua rome, Kimete e quanin. Edhe një ditë, një Lindita, profesore e frëngjishtes, ishte një grua e mrekullueshëm tiranase, punonte në Arkiv, udhëhiqte një shërbim të rëndësishëm, ishte një zonjë e kulturuar kështu edhe më vjen trokiti dhe tha: “Profesor, kjo që na pastron, ka nevojë për telefon. Edhe shkon nganjëherë në postë, por s’i vjen radha atje”. 
A ne e kishim të vetmin, ndoshta, telefon në Tiranë, nga ata të mëdhenjtë, që ishte edhe faks, përcillnim edhe fakse edhe merrnim lidhje pa probleme me botën aty brenda. Thashë unë, “po le të vijë, moj, le të vijë”.
Hyri ajo, është edhe në një moment të caktuar, e kishte caktuar orën ajo kur do të fliste edhe unë u hoqa me një anë aty, ia lash vendin asaj, se kishim një zyrë të mirë aty, një të madhe me Zymerin. Po unë dikur dëgjova... bisedon, por dikur dëgjova që po qan një fëmijë. Edhe unë dola përjashta. Ta le të flasë lirisht kjo.
Mbrapa ajo zonja që e dërgoi këtë, ma shpjegoi që një çift italian i kanë marrë kësaj, ka pesë-gjashtë fëmijë, një vajze që është, tash s'më kujtohen detajet, 5-vjeçe a 8-vjeçe, kështu edhe një herë në javë bisedon me të. 
Dhe mua m'u bë krejt e qartë që më përgjohej telefoni.

Surroi: Po, kjo paska qenë lidhja...

Ali: Edhe ajo para asaj kishte edhe shenja të tjera. Unë thashë, zhgënjimi im, zhgënjimi im ndoshta filloi me... zhgënjim kishim ne që kur erdhëm në vitet ‘70, që na kufizonin e s'na linin të dalim, po tash zhgënjimi në një epokë historike tjetër, në një sistem tjetër.

Surroi: Edhe ai impakti i varfërisë ka qenë i jashtëzakonshëm, ajo ka qenë pothuajse e patejkalueshme.

Ali: Shiko, në atë zyrë aty unë merresha me probleme që diku i kam, por ato nuk janë edhe për të thënë që u bë një përplasje mes shqiptarëve që vini nga diaspora edhe bënin abuzime aty brenda. Kishte raste që thjesht bënin edhe kurorëzim, shkonin edhe dilnin prapa që ishin të martuar, ishin... edhe vinin përplaseshin familjet në zyrë.

Surroi: Po e mbaj në mend. Në pati dalë zëri i keq.

Ali: Po e bënin edhe këta. Se kishte familje, kishte... shumica, ishin të mirë të etur për Shqipëri, për këtë edhe vinin, sillnin krejt çfarë kishin mbushnin valixhe me dhurata, me krejt e thoshin: “Erdhi i rrëmbeu vetëm njëra, një motër e tyre i mori për vete dhe iku s’la asgjë për këta... domethënë, nga dy anët kishte, që ankoheshin dhe unë fillova të merrem të bëjmë një byro e tillë, që u shkëputa nga problemet, për të cilat kisha erdhur këtu edhe në fund vendosa të hik. 
Edhe hikjen e bëra në këtë mënyrë, nuk i tregova këto të dhëna. Natyrisht, kur i bisedova vonë me Ibrahimin, ai i dinte më mirë se unë mandej edhe duhet ta themi këtë, që më mirë se unë, se ai nuk bëri nuk vuri kufij në Shqipëri, po vetëm për një person e vuri kufirin të mos hyjë në Kosovë, e ishte Saliu.
Erdhi deri në kufi, e s'e la të hynte, burrë.

Surroi: Po u angazhua te Kouchneri atëherë edhe tha...

Ali: Po shiko, domethënë edhe opinioni në Kosovë ka qenë kështu i mashtruar në një mënyrë, me person që nuk ka qenë... siç e kemi menduar. Po edhe unë i mbajta këto dhe gjithnjë thosha kushedi çfarë do të do të shpifë ky... deri në shpifje që “po merret me tregti fëmijësh”.
Edhe ika, po vendosa normalisht, i shkova në zyrë, se shkoja gjithnjë në zyrë edhe aty në zyrë kisha gjithnjë një person që e vlerësonja shumë, se në atë zyrë shkonja, edhe kur ishte Ramiz Aliu, që u bëmë gati... miqësorë ishin...edhe me Saliun. Por ishte Shaban Sinani një nga njerëzit që edhe sot e çmoj më së shumti në Shqipëri, një intelektual i përsosur, edhe një intelektual i formuar, more një i gjithëdijshëm për çdo gjë, kështu është i rrallë, i institucion në vete...

Surroi: ...me kërshëri intelektuale...

Ali: Po, ashtu. Ai më priste mirë, më përcillte mirë. Edhe i thashë Saliut: “Unë kështu kam vendosur, besoj je i kënaqur”. 
“Si jo, profesor, si jo!” ...Ej, njeri që të... 
U ankua njëherë Bujar Bukoshi nga Evropa. Detaje janë. Shumë kam të tilla, po ja m’u kujtua. Kishte qenë Azem Hajdari në Amerikë që unë ia kisha mundësuar ftesën nga dega. Edhe shkoi, edhe ishte çfarë ishte Azemi, besoj e ke njohur personalisht. Edhe kishte sharë Bujarin në tubime në Amerikë, në tubimet tona që po shkon Bujari në Tiranë edhe pi kafe me Ramiz Alinë..., po i vinte dhe merrte vizën nga Ramiz Aliu aty... Dhe u ankua Bujari: “Thuaji ore atij Saliut, se ai po më shan atje”.
Edhe këta i kishin zyrat, këta demokratët, te rruga e Kavajës. Të kujtohet atje.

Surroi: Po, zyrat e para.

Ali: Po, të parat. Edhe brenda nuk ia thashë Saliut, po kur duallmë aty, ti e di rrugën e Kavajës, e ka mesin që ecet, shëtitorja është në mes, edhe ia the mu këtë. “Ej, mos ma përmend atë idiot!”, për Azem Hajdarin. “Mos ma përmend atë përbindësh këtu”. 
Tash një urrejtësi i tillë, që për atë e kalli Shqipërinë... njeri, domethënë që unë në jetë... kam lexuar kompletet e Trockit për Leninin, për Stalinin... jo të Trockit, po nga ky çifuti, Dojçëri në Poloni. Botimet e Zagrebit, të kujtohet, ato vëllime të trasha, lexonja dikur, tekstet e kësaj natyre. 
Nuk kam gjetur personazh të përmasave të tilla që ta bëjë të bardhen të zezë, e të zezën të bardhë. Edhe sikur s'ka ndodhur asgjë, të shikon drejt në sy edhe kurrgjë. Tha ky qysh... tha ti po shkon... nejse unë as gruas, sime shoqe, nuk ia tregonja këto, në Tiranë jetonim bashkë. Edhe meqë njiheshim, ime shoqe kishte krijuar miqësi me Lirkën. me të shoqen e tij, një mjeke e mirë, zonjë, dhe para se të shkojmë, do të shkojmë edhe atje, shkuam për kafe edhe me Saliun, muhabet bënim dhe edhe Lirka dikur i thotë, Mersa ka kujtuar, ime shoqe, që e di ajo, i thotë që po shkojmë ne ajo i thotë: “Sali po shkon profesori”. 
“Jo, jo. Hajde se do të vijë”.

La primera parte:
 


Segunda parte:


La tercera parte: