Në disa institucione në qytete të ndryshme të Shqipërisë mëngjesin e së enjtes ka shkuar një e-mail nga një adresë e paidentifikuar në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur bombë.
Policia e Shtetit njoftoi se "nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi".
"Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi”, njoftoi Policia.
Në Vlorë mesazh i tillë u ka shkuar Gjykatës, Bashkisë, Prokurorisë, Spitalit e disa institucioneve të tjera. Top Channel raportoi se në mesazh shkruhej paralajmërimi: “Kujdes, kemi vendosur bombë”.
Ndërsa në Durrës është raportuar se në mesazhin kërcënues shkruhej: “të pafetë do të bëhen copash nga një bombë”. Në Elbasan po ashtu është raportuar njëjtë.
“Përshëndetje, ky është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh”, raportoi TCH për mesazhin e shkruar.
Njësitet policore nuk kanë gjetur diçka të dyshimtë pas kontrolleve.