corto
- Rasti i Ante Gotovinës po përmendet si pikë reference për apelin e Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ndonëse ekspertët thonë se mes tyre ka dallime thelbësore.
- Në rastin Gotovina, mbrojtja arriti të rrëzonte një hallkë kyç të aktgjykimit, duke çuar në përmbysjen e dënimit dhe shpalljen e tij të pafajshëm në apel.
- Avokatët dhe ekspertët që punuan në rastin Gotovina, thonë se një apel kërkon shqyrtim të aktgjykimit “hallkë pas hallke”, ekipe të specializuara dhe resurse të mjaftueshme për të identifikuar gabime në prova ose në arsyetimin juridik.
Pas CASTIGO për krime lufte të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, “rasti Ante Gotovina” nisi të përmendej nga avokatë, komentues dhe media në Kosovë si pikë reference për fazën e apelit.
Në pamje të parë, ngjashmëritë janë të dukshme.
Edhe ish-gjenerali kroat mori një dënim të rëndë në shkallën e parë, përpara se Dhoma e Apelit ta shpallte të pafajshëm. Edhe aktgjykimet, në të dyja rastet, u pritën me kundërshtime dhe protesta.
Por, ajo që e çoi Gotovinën nga dënimi te pafajësia ishte një betejë juridike mbi vetë aktgjykimin.
Dhe, në qendër të saj ishte një pyetje shumë konkrete: Ku ishte hallka e dobët?
Nga 24 vjet burgim në pafajësi
Më 15 prill të vitit 2011, Ante Gotovina dëgjoi në Tribunalin e Hagës dënimin prej 24 vjetësh burgim.
Ai u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, lidhur me Operacionin “Stuhia” të vitit 1995.
Gjykata konstatoi se Gotovina dhe gjenerali Mlladen Markaç kishin marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të popullsisë serbe nga Krajina.
Markaç u dënua me 18 vjet burgim. I akuzuari i tretë, Ivan Çermak, u shpall i pafajshëm.
Aktgjykimi nxiti zemërim dhe mosbesim në Kroaci, ku dy gjeneralët shiheshin gjerësisht si heronj të luftës për pavarësi.
“Vendim pa prova, thjesht politik”, thoshte atëkohë Danica Kriviq, një pensioniste nga Zagrebi.
Por, beteja që do ta ndryshonte rezultatin nuk do të zhvillohej në rrugët e kryeqytetit kroat. Ajo do të zhvillohej brenda vetë aktgjykimit.
“Standardi i 200 metrave”
Kur mbrojtja doli para Dhomës së Apelit, në maj të vitit 2012, ajo u përqendrua te një element shumë konkret: i ashtuquajturi “standard i 200 metrave”.
Në shkallën e parë, gjykatësit e kishin përdorur këtë distancë për të vlerësuar sulmet me artileri në Krajinë.
Goditjet që binin më shumë se 200 metra nga një objektiv i identifikuar ushtarak, ishin përdorur si dëshmi të sulmeve të paligjshme.
Payam Akhavan, atëherë pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës, thotë se pikërisht aty ndodhej një prej dobësive vendimtare të aktgjykimit.
Sipas tij, kufiri prej 200 metrash nuk mbështetej në prova, por ishte bërë hallkë kyç në arsyetimin që i lidhte sulmet me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
“Ishte fiks ajo premisë e gabuar që u bë baza e gjithë teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Por, e gjithë çështja ishte si një shtëpi prej letrash dhe sapo u hoq letra e ‘200 metrave’, u shemb e gjithë struktura. Për fat, gjithçka përfundoi mirë. Dhoma e Apelit pranoi se një trup gjykues nuk mund thjesht të shpikë prova”, thotë Akhavan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Gotovina dhe ekipi i tij i mbrojtjes. Hagë, 2011.
Dhoma e Apelit ishte unanime se standardi prej 200 metrash ishte përdorur gabimisht.
Por, për pasojat e këtij gabimi, gjyqtarët u ndanë.
Me tri vota kundër dy, shumica arriti në përfundimin se, pa atë standard, nuk qëndronte konstatimi për sulmet e paligjshme me artileri. Kështu ra edhe konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Më 16 nëntor 2012, dënimet u përmbysën dhe Gotovina dhe Markaç u shpallën të pafajshëm.
“Kjo është fitorja jonë e përbashkët. Në luftë kishim ‘Stuhinë’, e kjo ishte ‘stuhia’ jonë ligjore. Fituam dhe u përmbyll gjithçka”, tha Gotovina pas vendimit.
Aktgjykimi, hallkë pas hallke
Pas asaj që Gotovina e quajti “fitore”, ishin muaj të tërë përgatitjesh për ta zbërthyer aktgjykimin dhe për të gjetur pikën ku mund të sfidohej.
Akhavan thotë se kjo kërkonte që provat dhe ligji të shiheshin nga një perspektivë e re.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që provat dhe ligji të shihen me një sy të ri. Të shqyrtohet hallkë pas hallke zinxhiri i provave dhe arsyetimi juridik, mbi të cilin është mbështetur konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, thotë ai.
Në praktikë, ta shihje çështjen me “sy të ri” nënkuptonte edhe zgjerimin e ekipit.
Tomisllav Kuzmanoviq, atëherë pjesë e mbrojtjes së Markaçit, thotë se për apel u angazhuan edhe dy juristë të rinj - Kai Ambos dhe John Jones - për ta analizuar aktgjykimin nga një kënd tjetër.
Ekipet e Gotovinës dhe Markaçit, ndërkohë, bashkërendonin strategjinë aty ku interesat e tyre takoheshin.
“Më kujtohet ende biseda që bëra me [avokatin e Gotovinës] Lluka Mishetiq pas vendimit të shkallës së parë, për të ashtuquajturin standard prej 200 metrash, që ishte shfaqur nga askund. E kuptuam menjëherë se pikërisht aty duhej ta nisnim apelin. Kishim çështje të përbashkëta në mbrojtje, por secili ekip kishte qasjen e vet. Secili i sfidonte gjetjet e gjykatës në mënyrën e vet, por qasjet tona plotësonin njëra-tjetrën”, kujton Kuzmanoviq për Exposenë.
Argumenti nuk mbeti vetëm në duart e juristëve.
Mbrojtja kërkoi ta testonte standardin prej 200 metrash edhe nga pikëpamja ushtarake. Një prej ekspertëve të angazhuar ishte Geoffrey Corn.
“Nga pikëpamja ushtarake, ky standard ishte arbitrar. Nuk ekziston ndonjë rregull ushtarak, sipas të cilit çdo goditje që bie jashtë një distance të caktuar nga objektivi, konsiderohet automatikisht e paligjshme”, thotë Corn, tani në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Teksasit, për Exposenë.
Çfarë bëri shteti kroat?
Ndërtimi i një apeli të tillë kërkonte edhe diçka tjetër: resurse.
Pas dënimit, mbështetja e shtetit kroat u bë e qartë edhe publikisht.
Kryeministrja e atëhershme, Jadranka Kosor, e quajti të papranueshëm konstatimin për ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe tha se Qeveria do t’i përdorte mundësitë ligjore që ai të rrëzohej në apel.
Qeveria angazhoi edhe Akademinë kroate të Shkencave Juridike për një studim mbi këtë koncept.
Radio Evropa e Lirë tentoi të kontaktonte Kosorin dhe vetë Gotovinën, por nuk mori përgjigje.
Ministri i Drejtësisë në periudhën kyç të apelit, Orsat Mileniq, u përgjigj se nuk do që të komentojë për këtë temë.
Marko Millanoviq, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Readingut, thotë se mbështetja e shtetit kroat shkonte përtej financimit.
Ajo përfshinte hetues dhe ekspertë, por edhe qasje në dokumente shtetërore, përfshirë materialet nga takimi i Brijunit, ku, vetëm pak ditë para Operacionit “Stuhia”, udhëheqja kroate diskutoi dhe finalizoi planet për të.
Transkripti i atij takimi u bë një nga provat kryesore në gjykimin ndaj Gotovinës.
Millanoviq thotë se shteti kroat kishte edhe një interes më të gjerë.
“Ata po mbronin një narrativ, një version zyrtar të së vërtetës. Në rastin e Kroacisë, ishte versioni i së vërtetës i elitave politike kroate. Ndaj, nuk kishte rëndësi vetëm fati i atyre individëve, por edhe kauza në tërësi”, thotë ai për Exposenë.
Por, mbështetja e shtetit dhe strategjia e mbrojtjes nuk ishin e njëjta gjë.
Avokatët që punuan në rast, thonë se Kroacia siguronte financim dhe resurse, por se vendimet juridike mbeteshin tek i akuzuari dhe ekipi i tij.
“Në një proces penal, i akuzuari është ai që vendos. Ai duhet t’i japë udhëzime avokatit. Dhe tani, meqë kanë kaluar 14 vjet, mund të them se në këtë aspekt nuk ka pasur asnjë problem në marrëdhënien mes ekipit mbrojtës dhe gjeneralit Gotovina”, thotë Akhavan.
Nga Gotovina te Thaçi dhe të tjerët
Tash, radha për apel është e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të katërt u dënuan më 16 shtator për krime lufte, me dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Gjykata konstatoi se ata kishin kontribuar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, ndërsa mbrojtja paralajmëroi se do ta sfidojë aktgjykimin.
Në debatin për atë që mund të ndodhë në apel, rasti Gotovina është kthyer në pikë reference.
Por, sa larg mund të shkojë ky krahasim?
Për Cornin, dallimi është thelbësor.
“Në rastin Gotovina, çështja nuk ishte nëse ai mbante përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij. Si komandant i operacionit, kjo merrej si e mirëqenë. Çështja ishte nëse veprimet e tyre përbënin shkelje të ligjit. Te Thaçi është ndryshe. Nuk kontestohet se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pyetja është nëse Thaçi mban përgjegjësi për ato shkelje”, thotë Corn.
Kjo do të thotë se përvoja e Gotovinës nuk mund të kopjohet.
Por, një mësim prej saj mbetet: apeli duhet të gjejë pikën ku provat dhe arsyetimi juridik nuk qëndrojnë.
Te Gotovina, ajo pikë ishte “rregulli i 200 metrave”. Te Thaçi dhe të tjerët, mbrojtja duhet të kërkojë nëse brenda arsyetimit që i lidh ata me krimet përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ekziston një hallkë që nuk mbështetet në prova ose në ligj.
“Mund të ndodhë që një premisë e vetme, por vendimtare, të jetë e gabuar, dhe rrëzimi i saj të çojë në përmbysjen e gjithë konstatimit për ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Në disa raste, mund të jetë një konstatim faktik që nuk mbështetet nga provat; në raste të tjera, mund të jetë një gabim në ligj”, thotë Akhavan.
Një ekip i ndërtuar për apel
Kjo është arsyeja pse Kuzmanoviq e sheh fazën e apelit si një punë më vete.
Sipas tij, ajo kërkon një ekip të ndërtuar posaçërisht për ta zbërthyer aktgjykimin dhe për të identifikuar gabimet që mund të ndikojnë në rezultat.
“Për mendimin tim, është shumë e rëndësishme që ata të kenë ekipe të forta për apel dhe mbështetje të mjaftueshme. Besoj se Kosova ka ndarë resurse të konsiderueshme për ekipet mbrojtëse. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë, e madje edhe të rritet, në mënyrë që ata të kenë një mundësi reale në apel. Po ashtu, mund të bëjnë edhe atë që kemi bërë ne: të angazhojnë ekspertë nga jashtë, për një perspektivë tjetër dhe mbështetje shtesë. Për ne, kjo ishte shumë e dobishme”, thotë Kuzmanoviq.
Radio Evropa e Lirë kërkoi të fliste me Lluka Mishetiqin, avokatin e Thaçit, i cili kishte mbrojtur Gotovinën edhe në apel, për të kuptuar se çfarë nga ajo përvojë mund të jetë relevante për fazën që e pret tash mbrojtjen e katërshes së UÇK-së.
Por, Mishetiq tha se nuk planifikon të japë intervista në të ardhmen e afërt.
Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës se çfarë hapash konkretë planifikon pas aktgjykimit, por nuk mori përgjigje.
Kryeministri Albin Kurti, megjithatë, paralajmëroi publikisht mbështetje për fazën që vjen.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, shkroi Kurti në Facebook.
Çfarë do të thotë konkretisht kjo mbështetje, Qeveria nuk e sqaroi.
Por, nëse rasti Gotovina ofron një mësim, ai nuk është se një dënim i rëndë përmbyset domosdoshmërisht në apel.
Është se apeli fitohet ose humbet brenda vetë aktgjykimit: te provat, te ligji dhe te hallkat që i lidhin ato.
Akhavan thotë se kjo kërkon që emocionet të lihen mënjanë dhe aktgjykimi të shqyrtohet me qetësi dhe metodë, për të ndërtuar argumentin më të fortë të mundshëm.
Sepse, siç thotë ai: “Loja nuk ka përfunduar ende”.