Lifestyle

Shtypja e lartë e gjakut mund të mos jetë aq e keqe për të moshuarit

Zhvillimi i shtypjes së lartë të gjakut në moshë shumë të shtyrë mund të sigurojë mbrojtje nga dementia, sugjeron një studim i ri, transmeton koha.net.

Në moshën e mesme, tensioni i lartë i gjakut - i quajtur edhe hipertension – e rrit rrezikun nga dementia më vonë në jetë, tha studiuesja kryesore e studimit, Maria Corrada. Ai gjithashtu e rrit rrezikun nga sulmi në zemër dhe ai në tru.

Por fillimi i tij në dekadën e tetë ose nëntë të jetës u ndërlidh me një rrezik më të ulët të rënies kognitive në të 90-t e po të njëjtit person, zbuloi ekipi i saj.

"Hipertensioni tek personat shumë të moshuar nuk është i dëmshëm për shëndetin mendor", tha Corrada, profesoreshë e neurologjisë dhe epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Irvine.

Disa faktorë mund të ndihmojnë për ta shpjeguar lidhjen e dukshme në mes të presionit të lartë të gjakut në moshë të shtyrë dhe rrezikut të ulët të dementisë, tha Corrada.

Së pari, derisa njerëzit plaken, tensioni i gjakut mund të ketë nevojë të rritet për ta siguruar gjakun të qarkullojë në tru për funksionim normal.

"Kjo është një çështje e krijimit të shtypjes së mjaftueshme për ta shtyrë gjakun që të oksigjenizohet në tru në mënyrë adekuate", tha Corrada.

Hulumtuesit thanë se është gjithashtu e mundur, por ka më pak të ngjarë, që shtypja e gjakut të bjerë ndërkohë që fillon dementia për shkak të përkeqësimit të qelizave të trurit. Kjo mund të nënkuptojë se personat e moshuar të cilët nuk preken nga dementia do të kenë shtypje të lartë të gjakut, transmeton koha.net.

Shtypja e lartë në moshën shumë të shtyrë mund të ketë përfitime të tjera, tha Corrada. "Ka prova se tensioni i lartë i gjakut mund ta zvogëlojë brishtësinë dhe aftësinë e kufizuar", tha ajo.

Është e qartë se mosha ka rëndësi, tha Corrada, edhe pse studimi nuk e ka dëshmuar ndonjë lidhje shkak-pasojë midis shtypjes së lartë të gjakut dhe rrezikut të reduktuar nga dementia.

"Çfarëdo që dimë dhe e mësojmë për shëndetin e pleqve më të rinj nuk zbatohet domosdo në shëndetin e 'pleqve më të vjetër' – segmentin në rritje më të shpejtë të popullsisë", tha ajo.

Për ta shmangur epideminë e shëndetit publik të dementisë, është e rëndësishme ta kuptojmë se si rreziku për rënien mendore mund të ndryshojë me kalimin e kohës, thanë studiuesit.

Presioni i lartë i gjakut mund të ketë nevojë të ndahet në të paktën dy klasa, tha dr. Sam Gandy, specialist i trurit nga New Yorku.

"Zakonisht mendojmë për formën e ngritjes së shtypjes në moshë më të re, e cila nëse nuk trajtohet mund të dëmtojë zemrën, veshkat, sytë dhe enët e gjakut të trurit", tha Gandy, drejtoreshë e Qendrës për Shëndet Kognitiv në Mount Sinai Hospital në New York.

Klasa e dytë mund të jetë e hipertensionit në moshë më të shtyrë, e cila është e nxitur nga truri në "ngarkesë", tha ai.

"Ky tru i ngarkuar, përmes mekanizmave neurologjikë, mund ta shkaktojë rritjen e shtypjes në gjak në një përpjekje për ta përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për ta lehtësuar ngarkesën", shpjegoi Gandy.

Zbulimet e reja mund të shpjegojnë se pse trajtimi i hipertensionit në fund të jetës nuk ka arritur kohët e fundit ta reduktojë dementinë, shtoi Gandy.

Për studimin, Corrada dhe kolegët e saj i përcollën 559 persona të moshës 90 dhe më të vjetër për pothuajse tre vjet. Pjesëmarrësit nuk ishin të prekur nga dementia në fillim të studimit.

Hulumtuesit e kontrolluan historinë e presionit të gjakut dhe i ekzaminuan pjesëmarrësit për dementi çdo gjashtë muaj gjatë studimit. Gjatë ekzaminimit pasues, 40 për qind zhvilluan dementinë.

Presioni i lartë i gjakut është definuar si presion sistolik prej 140 mm Hg ose më shumë dhe presion diastolik prej 90 mm Hg ose më shumë, tha Corrada. Presioni sistolik është shifra e parë gjatë një matjeje të presionit të gjakut.

Studiuesit zbuluan se ata që zhvilluan presion të lartë pas moshës 80-vjeçare kishin 42 për qind më pak të ngjarë të zhvillohej dementia në të 90-t e tyre në krahasim me ata me presion normal të gjakut. Dhe ata, presioni i lartë i gjakut i të cilëve filloi pas moshës 90-vjeçare kishin 63 për qind më pak të ngjarë të zhvillohej dementina kundrejt atyre pa hipertension.

Lidhja mbeti edhe në qoftë se pacientët merrnin medikamente për ulje të presionit të gjakut, sipas studimit.

Këto rezultate i pasojnë gjetjet e tjera të cilat janë në dukje kontradiktore në lidhje me rrezikun për demencë. Për shembull, dy studime kanë treguar se njerëzit të cilët janë me mbipeshë në moshën 75 ose më shumë e kanë një rrezik më të ulët për mosfunksionim kognitiv, tha Corrada.

Nuk është kuptuar plotësisht se pse presioni i lartë i gjakut dhe pesha e madhe mund të bëhen mbrojtës në pleqëri, tha Heather Snyder, drejtoreshë e operacioneve mjekësore dhe shkencore në Alzheimer’s Association.

"Duhet ta kuptojmë më mirë lidhjen midis sistemit kardiovaskular dhe trurit tonë", tha Snyder.

Ndërkohë, bëni çfarë të mundeni për ta ruajtur shëndetin e mirë të zemrës derisa plakeni, shtoi ajo.

Raporti u publikua online më 17 janar në revistën Alzheimer’s & Dementia.