Arbëri

Agani: Unë jam kryetar i PD-së deri në vitin 2019

Partia e Drejtësisë ka vetëm një kryetar dhe ai është Ferid Agani. Kështu ka deklaruar vetë Agani, që mohon zgjedhjen e Sylejman Çerkezit për kryetar të kësaj partie.

Në shtator, Çerkezi kishte marrë shumicën absolute të votave apo pëlqimin e 110 delegatëve nga 112, që u tha të ishin në një Kuvend të jashtëzakonshëm të Partisë së Drejtësisë.
Megjithatë, ky votim nuk ishte pranuar as atë kohë nga Agani që ka përsëritur qëndrimin e tij.

“Partia e Drejtësisë është një dhe e ka vetëm një kryetar legal dhe legjitim. Për këtë mund të kërkoni informatat e duhura në Komisionin Qendror Zgjedhor ku janë të deponuara informatat zyrtare për çdo subjekt politik. Mandati im si kryetar i PD-së zgjat deri në qershor të vitit 2019 dhe në këtë aspekt nuk ekziston ndonjë paqartësi. Çdo informatë tjetër paraqet përpjekje meskine për të dëmtuar Partine e Drejtësisë dhe për të dezinformuar opinionin publik”, ka thënë ai për Koha.net.

Agani po ashtu është deklaruar edhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor.
“Sa u përket zgjedhjeve dhe koalicioneve të mundshme politike vendimet meritore u takojnë organeve kompetente të partisë që do t’i marrin ato në kohën e duhur”, ka shtuar ai.
Agani po ashtu ka theksuar se koalicioni PD-PDK ka qenë “konstruktiv dhe parimor me shumë aspekte pozitive të bashkëpunimit të ndërsjellë”.