Arbëri

Shahini: Ndalesa e Haradinajt zmbraps dhe frikëson investitorët e huaj

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, u takuan në Strasburg me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, me ç’rast diskutuan për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe rrjedhat politike në Kosovë.

Shahini i shprehu Haradinajt shqetësimet e thella për ndalimin e tij në Collmar nga autoritetet e shtetin francez, autoritete të cilat, sipas Shahnit, “janë vënë në lajthitje apo janë mashtruar me fakte të rrejshme nga shteti serb për çështje të politikave elektorale që po zbatojnë atje”.

“Ndalimi i juaj është mesazh i keq për Kosovën dhe investitorët që Kosovës i duhen në kontuinitet, e ky rast i ka zmbraps dhe i ka frikësuar ata se në Kosovë ende nuk është klimë e sigurt për investime. Ndalesa e juaj, treni, asociacioni, demarkacioni, muri dhe propagandat tjera nga Serbia për Kosovën janë vetëm pretekste që tentojnë ta dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës e që ne duhet t’i menaxhojmë këto me kujdes duke promovuar frymë demokratike me qëllim të integrimit të vendit tonë në BE”, ka thënë Shahini, raporton Koha.net.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj, siç njofton AKB përmes një komunikate për media, ka falënderuar këtë delegacion që po i jep mbështetje e cila, siç citohet të ketë thënë Haradinaj, “për mua është më shumë se shpirtërore kur kihet parasysh që i gjithë populli nga Kosova ka ndjerë keqardhje për këtë rast i cili është i fabrikuar nga kuzhinat e Beogradit por kjo s’do të me zmbraps nga qëllimet e mia për të bërë shtet të fortë dhe funksional për gjithë qytetarët e vendit”.