Support TIME. Preserve the truth.
Technology

AI leaders brief UN on risks to global security

OKB

Photo illustration

Drejtuesit e disa prej kompanive më të rëndësishme të inteligjencës artificiale do të informojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi rreziqet e teknologjisë derisa shtetet diskutojnë nëse AI mund të zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar dhe të krijojë kërcënime për sigurinë ndërkombëtare.

Inteligjenca artificiale po kalon nga një çështje kryesisht teknologjike në një shqetësim të drejtpërdrejtë për sigurinë ndërkombëtare.

Në tryezë do të jenë disa prej pyetjeve më të ndjeshme rreth zhvillimit të AI-së, sa shpejt mund të përparojë teknologjia, si mund të kontrollohen sistemet gjithnjë e më të fuqishme dhe çfarë mund të ndodhë nëse një ditë ato veprojnë në mënyra që njerëzit nuk mund t'i parashikojnë apo kontrollojnë plotësisht, raportoi të mërkurën Reuters.

Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, Dario Amodei, drejtuesi i Anthropic, dhe Clement Delangue, bashkëthemelues i Hugging Face, janë planifikuar të flasin para 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Takimin do ta drejtojë ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot.

Sipas një drejtuesi të OpenAI që foli me gazetarët, Altman pritet t'u kërkojë liderëve botërorë të miratojnë standarde të përbashkëta për matjen e aftësive të sistemeve të inteligjencës artificiale.

Në takim pritet të marrin fjalën edhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, dy prej fuqive kryesore në garën globale për zhvillimin e AI-së.

Një prej shqetësimeve që do të diskutohet është skenari në të cilin sistemet e inteligjencës artificiale bëhen aq të fuqishme sa mund të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në mënyra që çojnë në pasoja të paparashikuara.

Një diplomat evropian, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se objektivi kryesor i takimit është të vihen në fokus rreziqet praktike që mund të lindin nëse AI-ja humbet kontrollin në mënyra që prekin sigurinë ndërkombëtare ose sigurinë e shteteve individuale.

Pyetja më e rëndësishme, sipas diplomatit, është nëse mund të vijë një moment kur algoritmet që ndërveprojnë me njëri-tjetrin të shkaktojnë konflikt të armatosur.

Kjo e zhvendos debatin nga përdorimet e zakonshme të AI-së drejt një skenari shumë më të gjerë: çfarë ndodh nëse sistemet autonome marrin pjesë në vendimmarrje që lidhet me sigurinë kombëtare?

Takimi i OKB-së zhvillohet në një moment kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina po diskutojnë gjithashtu mënyra për të komunikuar në rast incidentesh të lidhura me inteligjencën artificiale.

Përpara një takimi të planifikuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Uashington, të dyja palët kanë diskutuar mundësinë e krijimit të një sistemi njoftimi për incidente të AI-së që mund të arrijnë nivelin e sigurisë kombëtare.

Një mekanizëm i tillë do të synonte të krijonte një kanal komunikimi për kërcënime të përbashkëta ose incidente serioze, në mënyrë që zhvillimet e lidhura me AI-në të mos shndërroheshin në keqkuptime mes dy fuqive.

Qëndrimi i administratës amerikane për rregullimin e AI-së ndryshon në disa pika nga qasja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, Trumpi tha se kundërshton përpjekjet për krijimin e një skeme globale për kontrollin e inteligjencës artificiale.

Ai e përshkroi teknologjinë si jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen dhe argumentoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta pengojnë zhvillimin e saj.

Trumpi tha gjithashtu se SHBA-ja aktualisht është përpara Kinës në këtë fushë dhe se synon ta ruajë këtë avantazh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar vazhdimisht se përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale krijon rreziqe që nuk mund të shpërfillen.

Në vitin 2023, Guterres krijoi një grup këshillues ndërkombëtar prej 39 anëtarësh për çështjet e AI-së.

Në të morën pjesë drejtues të kompanive teknologjike, zyrtarë qeveritarë dhe akademikë nga vende të ndryshme.