Gjiganti amerikan Apple synon të forcojë pozicionin në tregun e shtëpive, duke vënë në qendër avansimin e asistentit Siri me AI.
Pajisja e re kushton 299 dollarë, ndërsa në Bashkimin Evropian nuk do të jetë e disponueshme për momentin, raportoi të mërkurën Reuters.
Apple ka prezantuar të martën një seri produktesh të reja, mes tyre HomeView, një pajisje me ekran që ngjan me një iPad dhe që synon të thjeshtojë kontrollin e pajisjeve shtëpiake përmes inteligjencës artificiale.
Pajisja e re, e cila do të kushtojë 299 dollarë dhe pritet të dërgohet te konsumatorët muajin e ardhshëm, përfaqëson përpjekjen e fundit të kompanisë për të fituar një pjesë më të madhe të një tregu ku rivalët Amazon dhe Google kanë tashmë prani të konsoliduar.
HomeView ka një ekran prej shtatë inçësh dhe teknologji të njohjes së fytyrës. Ajo është projektuar për t'u vendosur në mur ose mbi tavolinë dhe do t'u mundësojë përdoruesve të kontrollojnë pajisje të ndryshme, përfshirë zilet e dyerve, termostatet dhe bravat inteligjente.
Në qendër të përvojës së përdorimit është asistenti virtual Siri, aftësitë e të cilit Apple i ka përmirësuar me ndihmën e Googlet.
Synohet që pajisja të shërbejë si asistent që mund të përpunojë kërkesa zanore nga disa anëtarë të familjes.
Lansimi i HomeView vjen në një kohë kur Apple po përballet me konkurrencë të fortë nga kompani që kanë investuar prej vitesh në pajisjet e lidhura me internetin.
Në të njëjtën kohë, kompanitë e reja të inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI, po shfaqin ambicie për të hyrë edhe në tregun e pajisjeve fizike.
Apple ka punuar për më shumë se një dekadë për të zgjeruar praninë në këtë sektor. Aplikacioni Home u prezantua në vitin 2016, ndërsa altoparlanti inteligjent HomePod doli në treg në vitin 2018.
Megjithatë, kompania nuk ka arritur ende të ketë të njëjtin ndikim si rivalët në këtë treg.
Një nga sfidat kryesore mbetet përputhshmëria me pajisjet e prodhuesve të ndryshëm, si dhe aftësia e Sirit për të dhënë përgjigje të dobishme dhe për të kryer detyra më komplekse.
Melissa Otto, drejtuese e kërkimeve në “Visible Alpha Research” vlerëson se të ardhurat e Applet nga shërbimet parashikohet të rriten me 12 për qind në vitin 2027, duke arritur në 138 miliardë dollarë.
HomeView nuk do të shitet në Bashkimin Evropian për momentin, pasi funksionet e inteligjencës artificiale të Sirit nuk janë të disponueshme, sipas Apple, për shkak të rregulloreve evropiane.
Një tjetër shqetësim lidhet me sigurinë kibernetike. Përhapja e pajisjeve të lidhura me internetin, nga televizorët inteligjentë te frigoriferët dhe sistemet e sigurisë, ka shtuar shqetësimet për cenueshmërinë e tyre ndaj sulmeve nga hakerët.