Support TIME. Preserve the truth.
Other sports

The composition of the Czech club makes the trip to Kosovo closely followed.

Ferizaj

Kampioni i Kosovës në volejboll, Ferizaj, muajin e ardhshëm do të paraqitet në garat evropiane. Të paktën dy ndeshje i ka të garantuara. 

Te Ferizaj synojnë ta kalojnë pa problem kundërshtarin e parë, Brnon e Çekisë.

Ekipi çek udhëhiqet nga trajner serb. Ka edhe dy lojtarë nga Serbia.

Ndeshja e parë e 1/32 të finales të “Challenge Cup”, zhvillohet në Brno më 10 nëntor, ndërsa ndeshja e kthimit shtatë ditë më pas në Ferizaj. “Challenge Cup” është niveli i tretë i garave evropiane.

Trajneri i Brnos, Ivan Blagojeviq, ka folur për ndeshjen në Ferizaj. Ai ka lënë anash aspektet politike. Thotë se në Kosovë do të sillen si sportistë.

“Ne jemi profesionistë. Po mendojmë për ndeshjen, jo për politikën”, ka thënë trajneri serb i Brnos për mediumin çek “idnes.cz”. 

“Është e panevojshme. Kjo ka të bëjë me sportin, jo me dikë që zgjidhë probleme historike”, shtoi trajneri, duke theksuar se nuk dëshiron ta nënvlerësojë mundësinë që një konflikt të provokohet nga ndonjë individ fanatik.

Trajneri serb insiston se nuk do të bëjnë asnjë veprim që mund të provokojë ndonjë situatë të tensionuar. 

“Unë nuk jam politikan. Jam trajner volejbolli dhe jam i përqendruar te ndeshja. Nëse sillemi normalisht dhe nuk bëjmë gjeste provokuese, gjithçka do të shkojë mirë”, tha ai. 

Mediumi çek ka shkruar se “për shkak të marrëdhënieve të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë, klubi duhet të merret edhe me masat e sigurisë”. Është kontaktuar edhe ambasada dhe do të veprohet sipas rekomandimeve të saj. Lojtarët serbë janë këshilluar të mos shkojnë askund të vetëm.

Në fakt shumë lojtarë serbë, të klubeve nga vende të tjera, kanë qëndruar në Kosovë dhe nuk kanë pasur asnjë problem.

Menaxheri i përgjithshëm i klubit, Michal Hrazdira, tregon se u është bërë me dije se çka mund të shkaktojë tensione.

“Për shembull, na u paralajmërua të mos tregonim tre gishta. Është një gjest historikisht i ndjeshëm që mund të provokojë një reagim nga publiku”, tha Hrazdira. 

Masa sigurie janë paraparë edhe në ndeshjen e parë në Brno. 

Te Ferizaj po ashtu presin të mos ketë provokime nga trajneri dhe dy lojtarët serbë të ekipit çek.

“Në komunikimet që kemi pasur na kanë thënë se nuk do të ketë provokime, por kanë kërkuar të kenë siguri për të mos ndodhur diçka. Ua kemi bërë me dije se derisa nuk ka provokime te ne nuk ndodhë asgjë, pasi mbi të gjitha është sport. Edhe më herët ka pasur lojtarë serbë që kanë luajtur në Kosovë dhe nuk ka ndodhur asgjë. Por ne kemi kërkuar të mos ketë provokime”, ka thënë drejtori i klubit, Butrint Bytyqi, për KOHËN të martën.

Bytyqi pret përkrahje masive.

“Presim të kemi përkrahje të madhe nga tribunat. Po ashtu presim edhe kalimin tutje, pasi kemi bërë përgatitjet e duhura dhe jemi përforcuar me lojtarë cilësorë. Edhe trajnerin e kemi të huaj, të cilin e kemi angazhuar pikërisht për të ecur sa më larg në garat evropiane”, është shprehur ai.

Luboteni i Ferizajt u paraqit në “BVA Cup 2026”, që është garë ballkanike.