Support TIME. Preserve the truth.
Sports

Kosovo does not come close to medals at the Karate World Championships, the federation is unhappy

Karate

Plot 23 karateistë e përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Botëror për kadetë, juniorë dhe garues të grupmoshës U21, që të dielën përfundoi në Bielsko-Biala të Polonisë. 

Por karateistët kosovarë nuk kanë fituar medalje dhe madje nuk u janë afruar atyre. Disa prej tyre kishin fitore, por jo të mjaftueshme për të hyrë në zonën e medaljeve. 

Kjo ka bërë që Federata e Karatesë së Kosovës të shpreh pakënaqësi publike me rezultatin. Është bërë thirrje për më shumë punë.

“Federata e Karatesë e Kosovës nuk është e kënaqur me paraqitjen e garuesve në këtë kampionat. Për këtë arsye u bëhet thirrje klubeve që të angazhohen më shumë në punën me gjeneratat e reja, me qëllim të ngritjes së cilësisë së garuesve dhe arritjes së rezultateve kulmore në garat ndërkombëtare”, ka shkruar Federata e Karatesë e Kosovës. 

Në vitet e fundit karateistët kosovarë kanë pasur goxha suksese. Por jo edhe në Botërorin për të rinj që u zhvillua këtë javë.

Ndërkohë Shqipëria i fitoi dy medalje, që është sukses i madh. Medalje të bronzta fituan Neevis Hasani e Armando Muça. Hasani u rendit i treti në grupmoshën e juniorëve, në kategorinë deri në 55 kilogramë. Ai i shënoi katër fitore, ndërsa pësoi humbje vetëm në gjysmëfinale.

Po te juniorët, në kategorinë deri 76 kilogramë, i treti u rendit Armando Muça. Atij i janë dashur pesë fitore për vend në podium.

Medalje të bronztë fitoi edhe Anes Arifaj, që garon për Malin e Zi. Ai u rendit i treti në grupmoshën U21, në kategorinë deri 75 kilogramë.

Në Botëror garuan plot 1923 karateistë nga 107 vende të ndryshme. Më të suksesshmit ishin karateistët e Japonisë me gjashtë medalje të arta, një të argjendtë e pestë të bronzta. Egjipti i fitoi katër të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta. Ndërkohë, Spanja ishte përfaqësuesja e tretë më e suksesshme me tri të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta.