Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

Year 1873: Bequests of the Albanian Zoica Mallku from Krushevo

Krusevo, 1903

“Antoni shqiptar është shumë modest dhe bamirës...”, ka shkruar Mihailo G. Ristiq duke e lavdëruar “misionarin” e serbizmit në Krushevën e fundshekullit XIX, priftin shqiptar Andonin nga Berati. Dhe thuajse për ta poshtëruar dinjitetin, krenarinë e nëpërkëmbur dhe jomoralin e prift Andonit, e ëma, shqiptarja krushevase, Zoica, në njërën prej ditëve të mërzitshme të vitit 1873 e vendosur rreth pesëdhjetë kilometra në perëndim të kryeqendrës bullgare Sofjes, saktësisht në Botevgrad e ftoi të birin dhe ia rrëfeu përrallën e titulluar “Prifti që deshi ta marrë bijën e vet për grua!”

Prifti “arnaut” që “i zhbën” bashkëkombësit e tij ortodoksë

Në luftën e pakompromistë dhe propagandën e egër drejt përfitimit të numrit sa më të madh të besimtarëve ortodoksë në rastin konkret të atyre shqiptarë, në vitin 1892 në Krushevë kishte arritur një diplomat serb, por në këtë qytet atë e njihte vetëm një shqiptar dhe që në fakt paguhej duke shërbyer për të propaganduar për Serbinë.  

“Qyteti m’u duk sikur ishte i prerë nga letra, dhe pothuajse nuk e pata rastin që ta shihja ndonjë shtëpi nga themelet e deri në çati! Të gjitha shtëpitë në Krushevë ishin ndërtuar me gurë dhe secila, me shumë pak përjashtime, ishte e mbuluar me pllaka guri. Nga pamja  ky është një vend unik“, ka shkruar Mihailo G. Ristiq (1864-1925) atëbotë sekretar i misionit serb në Kostandinopojë.

Mirëpo, nëse analizohet mirë materiali arkivor jo vetëm i vizitës së Ristiqit në Krushevë, por edhe në viset shqiptare që ai u ka rënë kryq e tërthor, vërehet qartë se ai nuk kishte njohuri të mjaftueshme për shqiptarët, por misioni i tij megjithatë ishte i suksesshëm.

“Krusheva është kryesisht një qytet rumun. Një pjesë e madhe e popullsisë së saj janë rumunë maqedonas, dhe një pjesë e vogël janë shqiptarë. Edhe sot këtu janë disa familje shqiptare në të cilat flitet shqip dhe të të cilat familje thonë se janë shqiptare....Më thanë se Krusheva i ka 2000 shtëpi që do të thotë se aty jetojnë rreth 10.000 banorë, prej tyre 650 janë ‘serbë’, nga të cilët 500 e njohin Ekzarkatin, prandaj konsiderohen bullgarë ndërsa 150 banorë kanë mbetur nën Patrikanën. Në Krushevë janë vetëm 10 nëpunës turq. Prej shkollave këtu ekzistojnë ajo rumune, greke dhe bullgare. Shkolla greke ekziston këtu vetëm sepse rumunët – maqedonas akoma nuk e kanë shkundur plotësisht ndikimin grek, përkundër të gjitha përpjekjeve që bëhen nën udhëheqjen e apostullit të tyre, Apostol Margaritit. Megjithatë, në Krushevë nuk ekziston asnjë shtëpi e vërtetë greke”.

Të tillë e ka përshkruar gjendjen në Krushevë sekretar i misionit serb në Konstantinopojë, Ristiq në vitin 1892.

Mirëpo kur e cekëm më lartë se ky “diplomat” nuk i njihte mirë shqiptarët, gjë që shihet nga materialet e arkivuara, argumenti tjetër është se edhe emrin e priftit shqiptar që ai e ka takuar në Krushevë e ka shkruar si Anton, ndonëse emri i vërtetë i tij do të duhej të ketë qenë Andon!

“Kur isha në Krushevë, nuk doja të humbisja rastin pa njohur personalisht një njeri që çuditërisht dallohet nga pothuajse të gjithë kolegët e tij në punë. Ky është peshkopi i eparkisë së Prespës, Antoni, që tashmë është i njohur për të gjithë ata që u kujdesën për luftën midis serbizmit, bullgarizmit dhe helenizmit në Gadishullin Ballkanik. Peshkopi ‘shqiptar’ është nga Berati, pra nga qyteti i bardhë shqiptar. Për këtë njeri tregohen shumë histori, dhe ai veçmas u bë i famshëm për luftën që bëri kur po ndërtohej kisha në Dibër. Bile edhe ai vetë ka dëshirë të flasë për këtë, duke sqaruar se si ka reaguar e punuar me shpejtësi ashtu siç bën edhe sot...  E po, nëse edhe sot e kësaj dite peshkopi shqiptar Antoni nuk ia ka dalë që të kthehej në rrugën e duhur ata serbistë që kanë ikur nën Ekzarkatin, ai bile së paku ka bërë mjaft edhe ata me shumë guxim dhe kurajë. Vlen të theksohet se Antoni shqiptar është shumë modest dhe bamirës, kështu që ​​shtëpinë që ishte caktuar për të banuar në Krushevë, ai i la në dispozicion spitalit, ndërsa qiranë e banesës së vetë që është shumë e thjeshtë e paguan nga xhepi”, ka shkruar Mihailo G. Ristiq duke e lavdëruar “misionarin” e serbizmit në Krushevën e fundshekullit XIX, priftin shqiptar Andonin nga Berati.

Dhe thuajse për ta poshtëruar dinjitetin, krenarinë e nëpërkëmbur dhe jomoralin e prift Andonit e ëma, shqiptarja krushevase, Zoica, në njërën prej ditëve të mërzitshme të vitit 1873 e vendosur rreth pesëdhjetë kilometra në perëndim të kryeqendrës bullgare Sofjes, saktësisht në Botevgrad e ftoi të birin dhe ia rrëfeu përrallën e titulluar “Prifti që deshi ta marrë bijën e vet për grua!”

“Ishte një prift që kishte një vajzë dhe donte të martohej me të”

“Ishte një prift që kishte një vajzë dhe donte të martohej me të. Një ditë prifti shkoi në treg dhe u tha miqve të tij: ‘e kam një thes shumë të bukur, ta shes apo ta mbaj për vete?’ Shokët i thanë: ‘nëse të pëlqen kaq shumë, mbaje për vete, pse ta shesësh?’ Ai më pastaj u kthye në shtëpi  dhe i tha së bijës: ‘unë pyeta dhe shokët më thanë: merre për vete, pse t’ia japësh tjetër kujt?’ Por e bija sërish i tha priftit: ‘baba, ik dhe pyeti përsëri’. Ai shkoi sërish t’i pyeste miqtë e tij dhe iu tha atyre: ‘e kam një arrë shumë të mirë. A duhet ta shes apo ta mbaj për vete?’ ‘Meqenëse është kaq e mirë për ty, pse ta shesësh? Mbaje për vete’ - iu përgjigjën miqtë. Pasi erdhi në shtëpi i tregoi së bijës se i kishte pyetur prapë shokët dhe ata ma dhanë të njëjtën përgjigje, por e bija nuk mund ta besonte më dhe i tha: ‘shko përsëri dhe pyeti’. Ai shkoi përsëri dhe u tha shokëve: ‘Unë e kam një mollë shumë të bukur. A duhet ta shes apo ta mbaj për vete?’. Shokët e tij u përgjigjën: ‘pse ta shesësh? Mbaje’. Më në fund prifti i tha të bijës se përgjigja e tyre ishte se unë ‘mund të marrë ty  për grua!’  ‘Po, mund të më marrësh, por dua të më blesh një pallto, një baule që hapet dhe mbyllet me fije peri dhe të më blesh dy pata’- ishin kërkesat e së bijës që prifti duhej t’ia plotësonte. Ai i bleu gjithçka që i kërkoi e bija dhe më në fund ata u martuan! Por, qysh natën e parë gjërat nuk shkuan mirë.

Kur prifti pas darke ishte shtrirë në shtrat dhe po e priste të bijën, ajo i mori patat dhe i la ato të laheshin në një koritë (govatë), ndërsa prifti akoma e priste në shtrat, ajo shkoi dhe u mbyll brenda në baule. Derisa prifti e dëgjoi zhurmën e patave që po laheshin u gëzua që e bija do të vinte e pastër tek ai. Por, pritja e tij ishte e kotë se ajo nuk erdhi. Prifti nisi të dyshojë dhe filloi të shikonte andej-këtej, kudo, por ajo sikur u tret diku, sikur e lëshoi toka përnjëherë. Në mbrëmje duke menduar se të nesërmen ishte ditë tregu duke e ditur se kishte ngelur pa para pas atyre blerjeve që i kërkoi e bija, ai vendoi që ta shiste baulen dhe e solli atë në pazar. Njeriut që më së shumti i pëlqeu baulja doli të ishte i biri mbretit dhe ai e bleu pa pyetur shumë për çmimin. Kështu ai e çoi baulen në shtëpi dhe e vendosi në dhomën më të mirë. Në këtë kohë qëlloi që ai do të martohej.

Meqenëse dasma ishte e madhe të gjithë dasmorët filluan të shkonin te biri i mbretit pa ndaluar. Shkonin për të parë gjymyshin. Në një çast shkuan edhe kuzhinierët. Kështu kur e bija e priftit ngeli e vetmuar ajo doli nga baulja e nxori një pjatë gostie dhe mori bukë për të ngrënë. Pastaj në çdo pjatë të gostisë ajo e hodhi nga një grusht kripë dhe piper. Pas kësaj u kthye përsëri në baule. Kur u shtrua darka, çfarë të shihej? Pjatat ishin vetëm me kripë dhe piper. Djali i mbretit iu ra në qafë kuzhinierëve duke i qortuar dhe i përzuri ata. Nuk vonoi shumë dhe punësoi kuzhinierë të tjerë për mbrëmjen tjetër. Por, në pikën më të madhe të ahengut ndodhi e njëjta gjë si ditën e parë. Duke parë që puna sërish i shkoi mbrapsht, djali i mbretit e vendosi që ushqimin ta përgatiste vetë. I gjithë ushqimi doli për qejf, por ai nuk u largua nga kuzhinë për asnjë çast.

E bija e priftit e bindur se në kuzhinë nuk ishte askush, doli prej baule për të vepruar ashtu siç kishte bërë më parë. Atëherë djali i mbretit e zuri duke bërtitur ‘ky është fati im’. Pastaj ai e la nusen dhe u martua me të bijën e priftit. Ata jetuan së bashku dhe Zoti ua fali dy fëmijë. Kur prifti e kuptoi se për kënd ishte e martuar e bija u vesh keq dhe u maskua duke u shndërruar në lyps dhe kështu filloi të shkonte derë më derë duke lypur dhe më në fund arriti në shtëpinë e së bijës. Duke mos e njohur të atin e bija i afroi miell por ai nuk e deshi atë, më pastaj i dha misër por ai nuk e deshi as këtë por tani për çudi ai sërish kërkoi miell dhe ajo i dha. Mirëpo, kur ai e zgjati dorën ta merrte miellin e goditi me pahir në dorë të bijën dhe mielli i ra përtokë kështu që vetë prifti qëndroi gjithnjë i përkulur derisa e mblodhi miellin. Më pastaj ajo deshi t’i jepte edhe diçka tjetër por plaku nuk pranoi duke ia kthyer me fjalët se ky është fati im.  

Më pastaj prifti brodhi andej e këndej dhe kur u errësua u kthye në shtëpinë e djalit të mbretit dhe iu drejtua bijës me fjalët: ‘a do të më lini të paktën të fle me patat’. Ndërsa ata dy shkuan në dhomën e tyre, prifti qëndroi me patat. Kur u bind se të gjithë ishin në gjumë të thellë, ai më pastaj shkoi në dhomën e fëmijëve dhe i theri ata. Kur i biri i mbretit e pa në mëngjes se çfarë tmerri kishte ngjarë se fëmijët ishin therur dhe po rënkonin duke dhënë shpirt, pa një pa dy iu drejtua të së shoqes: ‘nëse fëmijët janë therur me thikën time atëherë unë i kam therur, nëse janë therur me thikën tënde, atëherë ti i ke therur!’ Fatkeqësisht u vërtetua se ata ishin therur me thikën e saj. Më pas i biri i mbretit e mori gruan dhe fëmijët, dhe i çoi shumë larg, duke i lënë në një vend të shkretë e të panjohur.

Kur ai i la aty, e bija e priftit filloi të qajë. Ashtu siç ishte duke qarë i doli përpara një grua dhe i tha: ‘pse po qan, moj bijë?’ E ëma fatzezë ia ktheu: ‘Si të mos qaj: shiko se çfarë ka ngjarë me fëmijët e mi!’ Gruaja i tha: ‘merri fëmijët dhe laji në këtë çezme’. Pasi ajo i lau fëmijët u ringjallën, ndërsa ajo qante pa ndalur, Më pastaj Zoti i dhuroi asaj edhe një shtëpi. Fëmijët u bënë shumë të këndshëm dhe luanin me njëri-tjetrin në oborr. Pasi kaloi një kohë, djali i mbretit e dërgoi shërbëtoren të shkonte në vendin ku kishte lënë gruan e tij, për të parë nëse ajo ishte ende gjallë apo kishte vdekur. Shërbëtorja shkoi dhe çfarë të shihte: më parë nuk kishte asgjë në atë vend të shkretë ndërsa tani aty ishte ngritur një saraj i vërtetë!

Shërbëtorja iu afrua sarajit dhe trokiti në portë. Në atë moment porta e goditi me shuplakë dhe i tha: ‘nuk ke gojë të flasësh, pse po troket në portë?’ Pas kësaj porta e pyeti zonjën e saj: ‘a mundet të hyjë një grua apo jo?’ ‘Pse të mos hyjë?’ Shërbëtorja hyri dhe mbeti e habitur kur pa fëmijët duke lozur nëpër oborr me një mollë të artë. Më pas shërbëtorja u kthye dhe i rrëfeu djalit të mbretit se kishte qenë ‘atje dhe e kishte gjetur një hambar dhe se i kishte parë fëmijët duke lozur një molla të artë’. U çua djali i mbretit dhe shkoi të shohë vetë. Sapo arriti atje ai u befasua kur e pa sarajin dhe fëmijët që po luanin me mollën e artë.  Ai shkoi te porta dhe filloi të trokasë, por porta sikur herën e kaluar e goditi me shuplakë duke i thënë: ‘Pse nuk flet, pse troket? A nuk ke gojë?’ Më pastaj porta e pyeti zonjën e saj nëse duhet të hyjë një njeri apo jo? Ajo i tha: ‘lëreni të hyjë’. Kur hyri i biri i mbretit, ajo ishte ulur në ballkon, duke tjerrë me furkën e saj dhe duke kënduar. Sapo e pa, ajo e gostiti dhe e çoi në dhomë, ndërsa vetë qëndroi duke tjerrë në furkë dhe duke kënduar. Në këngë ajo i thoshte furkës: ‘e dashura furkë, unë e kisha një baba që donte të më merrte për grua. I thashë të më blinte një baule që mund të hapej dhe mbyllej me një fije peri. E dashura furkë, kur ai më kërkonte, unë u fsheha në baule. Duke më kërkuar dhe duke mos më gjetur ai e shiti baulen dhe atë e bleu djali i mbretit, ai më zbuloi  dhe më mori për grua. Zoti na i dha dy fëmijë. Babai sapo mori vesh se ku ndodhesha, u bë lypës dhe erdhi në shtëpinë time. I dhashë miell, por ai nuk donte miell. I dhashë misër. As atë nuk e deshi por a sërish e kërkoi miellin. I dhashë miell. Ndërsa po merre miellin, mielli u derdh në tokë. Kur ne shkuam në gjumë ai vazhdoi ta mblidhte miellin. Më pas u ngrit natën, ma mori thikën dhe m'i theri fëmijët. Kur zotëria (burri) im i pa fëmijët e therur dhe u bind se ata ishin therur me thikën time, më largoi mua me të dy fëmijët e therur!’

Kur i biri i mbretit i dëgjoi të gjithë këto bërtiti sa pati fuqi: ‘ edhe pse ke vuajtur kaq shumë, ti prapë je gruaja ime!’ Ata u martua përsëri dhe qëndruan aty me dy fëmijët....!”

To be continued in the next issue of the Culture Supplement