Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

Medial schizophrenia

Jeton's opinion

Në Kosovë janë hapur plot televizione, qindra portale e gazeta online, me cilësi super të dobët, e me emra që i ngjasojnë njëri-tjetrit. Me pak përjashtime, por për nga cilësia, përgjegjësia e profesionalizmi, shumica janë fundërrina që prodhojnë bërllok medial dhe helmojnë publikun me gënjeshtra e shantazhe

Mungesa e gazetave të shtypura në Kosovë, në raport me peizazhin e përgjithshëm mediatik, nuk është çështja më urgjente që duhet trajtuar. Problemet thelbësore qëndrojnë, para së gjithash, te degradimi mediatik që ka krijuar një treg tërësisht të çakorduar dhe kaotik, që operon pa kurrfarë kufizimesh, natyrisht, as kufizime që lidhen me çështje të etikës mediale

Kosova është me gjasë vendi i vetëm në Evropë ku nuk shtypen më gazeta. Por, njëherë, kur po “ankohesha” për këtë gjë, dikush ma pat tërhequr vërejtjen me dashamirësi. Çka, më tha ai, nëse themi që Kosova është vendi i parë në Evropë që ka kaluar në print-free newspaper, dhe kështu, çështjen e mosshtypjes së gazetave e shohim si avantazh! Dhe po: faktin që në Kosovë nuk shtypen më gazeta, qysh prej fillimit të pandemisë, mund ta trajtojmë prej dy perspektivave. Dashamirësit e letrës së shtypur, si puna ime, padyshim nuk mund të pajtohen me mungesën e gazetave të shtypura (ditore jo se jo, por as revista javore e mujore nuk shtypen më). Kjo nuk është vetëm çështje fetishi, ka argumente të shumta pro gazetës së shtypur, që lidhen me arkivimin, me ruajtjen e të dhënave, cilësinë e shkrimeve etj. etj.. Në anën tjetër, dashamirësve të “agjendës së gjelbër”, por edhe të tjerëve, atyre të habitatit të telefonave smart, nuk u bëhet vonë fare që gazetat nuk shtypen më, u duket ndërmarrje e kotë dhe e padobi. I kanë edhe ata argumentet e veta, që me siguri janë valide.

Gjithsesi, në cilëndo perspektivë të shihet, mungesa e gazetave të shtypura në Kosovë, në raport me peizazhin e përgjithshëm mediatik, nuk është çështja më urgjente që duhet trajtuar. Problemet thelbësore qëndrojnë, para së gjithash, te degradimi mediatik që ka krijuar një treg tërësisht të çakorduar dhe kaotik, që operon pa kurrfarë kufizimesh, natyrisht, as kufizime që lidhen me çështje të etikës mediale. E kuptoj që fjala “kufizim” mund të keqkuptohet, por e kam fjalën për disa kondita e për një shtrat rregullativ që për aq sa është stimulues i lulëzimit e zhvillimit medial, është edhe rregullues dhe që përpiqet t’i parandalojë dëmet e mundshme. Sepse është e qartë që disa nga ato media nuk janë krijuar për t’i shërbyer publikut, ato kanë agjenda të tjera, që lidhen me bizneset, korporatat, shpëlarjen e parave, pastrimin e imazhit të këtij apo atij oligarku, e u shërbejnë grupeve e strukturave të caktuara politike e para-politike.

Në Kosovë janë hapur plot televizione, qindra portale e gazeta online, me cilësi super të dobët, e me emra që i ngjasojnë njëri-tjetrit. Me pak përjashtime, por për nga cilësia, përgjegjësia e profesionalizmi, shumica janë fundërrina që prodhojnë bërllok medial dhe helmojnë publikun me gënjeshtra e shantazhe. Të kapura nga urgjenca e nevojës për klikime, ato janë në një garë të egër, pothuajse skizofrenike, me njëra-tjetrën. Lajmet e rreme, sensacionet kuturu, informatat e fabrikuara, lajmet banale e perversitetet e ndryshme janë grepat që i përdorin pa hezitim.

E në këtë xhurulldi, lexuesi e shikuesi nënmesatar e mesatar është viktima, ai që paguan çmimin. Sepse ai s’e ka përvojën dhe as dijen për ta filtruar lajmin, për të parë përtej mashtrimit, për ta kërkuar lajmin e besueshëm, për ta bërë verifikimin e duhur. Ai s’di të gjendet mes këtij mashtrimi, mes këtij kontaminimi medial – prandaj kapet në atë grackë, rrëshqet brenda kazanit dhe bëhet një humanoid i mbushur me kotësi, një ushtar para-politik e ideologjik i gatshëm për urrejtje e për sulme “kundërshtarit”. Dhe nis të japë mendime, të predikojë, të derdhë mllefin e tij, urrejtjen, fyerjet, ankesat, e kërcënimet në platforma sociale dhe kudo ku i jepet rasti. Sepse, nga ajo që ka lexuar e dëgjuar, nga arsenali i fituar “i dijes” nga portalet e televizionet, ai e konsideron veten të përgatitur, ekspert, njohës i thellë i realitetit, i dinamikave shoqërore e politike, lokale e ndërkombëtare madje...