Education Ejupi
Ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i akademik Hivzi Islamit me titull “Studime demografike dhe sociologjike për Kosovën dhe shqiptarët në gjuhë të huaja”. (ang: “Demographic and Sociological Studies on Kosovo and the Albanians in foreign languages”) të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (fq. 703). Botimi nuk është thjeshtë një vepër tjetër në bibliografinë e pasur të akademik Hivzi Islamit, por vazhdim i veprimtarisë së tij shkencore më shumë se gjysmëshekullore. Puna dhe veprimtaria e tij shkencore konsiderohen shumë të rëndësishme për studimin e zhvillimit të popullsisë si në rrafshin teoriko-metodologjik, ashtu edhe në atë praktik. Merret si një nga themeluesit e demografisë moderne kosovaro-shqiptare. Akademik Hivzi Islami konsiderohet një nga demografët më të shquar shqiptar që ka lënë një trashëgimi të madhe në hulumtimet demografike të Kosovës dhe shqiptarëve, veçanërisht në studimin e dukurive dhe komponentëve të popullsisë (lëvizja natyrore, migrimet e të gjitha tipave, strukturat demografike, vendbanimet, strukturat e shoqërisë rurale, proceset e urbanizimit dhe suburbanizimit, familja shqiptare, raportet etnike, diaspora shqiptare etj.).
Me formim të thellë teoriko-metodologjik, ndjeshmëri të veçantë për identifikimin dhe shpjegimin dialektik të problemeve komplekse demosociale, demopolitike dhe gjeoekonomike, si dhe me përvojë të gjatë shkencore e guxim intelektual dhe profesional, akademik Hivzi Islami ka hulumtuar procesin e transicionit demografik të Kosovës në kuadër të periudhës kaluese demografike në ish-Jugosllavi dhe Europë dhe ka përcaktuar determinantet që ndikonin në zhvillimin e popullsisë në kohë dhe hapësirë të caktuar, si dhe etapat dhe stadet e nënetapave të transicionit demografik të popullsisë së Kosovës. Është autori më i cituar në publikimet demografike ndër shqiptarë dhe në Ballkan e më gjerë.
Problemet dhe proceset demografike i ka trajtuar në tërë kompleksitetin e tyre dhe të ndërlidhura me çështjet e zhvillimit shoqëror-historik, ekonomik, kulturor, shëndetësor, politik e gjeopolitik etj.. Në shfrytëzimin e të dhënave të shumta statistike e të tjera kurrë nuk është bërë rob i numrave, por nga masa kolosale e tyre me mjeshtri profesionale ka ditur të përzgjedhë vetëm informatat që shërbejnë për analiza objektive shkencore dhe vlerësime racionale. Popullsia sot është bërë fushë e interesit dhe e kërkimeve shumëdisiplinare, ndërsa autori ka konkluduar se përmes indikatorëve demografikë vërehet qartë se si frymon një bashkësi etnike e kombëtare, një sistem socioekonomik, një shoqëri, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre. Demografinë përveç si shkencë më vete dhe si pjesë integrale të shkencave sociale, e konsideron edhe si shkencë kombëtare. Ka luajtur një rol të madh në institucionalizimin e demografisë si disiplinë akademike në Universitetin e Prishtinës, ku organizoi edhe studimet pasdiplomike në fushën e demografisë dhe nën drejtimin e tij dolën disa magjistrantë dhe doktorantë. Ai shquhet edhe si organizator i madh i punës shkencore dhe si drejtues i suksesshëm i institucioneve akademike.
Gjatë veprimtarisë shkencore dhe profesionale, tashmë mbi gjysmë shekulli, akademik Hivzi Islami ka botuar një numër të madh librash, artikujsh, trajtesash dhe vështrimesh në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja (anglisht, frengjisht, gjermanisht, serbisht, italisht, kroatisht, sllovenisht, maqedonisht) për probleme demografike, sociologjike, gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Për nga rëndësia, pesha dhe impakti shkencor studimet e tij i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe shërbejnë si referenca të besueshme edhe për studiuesit e komunitetit akademik ndërkombëtar.
Punimet e tij janë botuar edhe në një varg revistash shkencore ndërkombëtare në Francë, Itali, Slloveni, Kroaci, Serbi dhe gjetiu. Disa prej tyre janë “Peuples Méditerranéens” (Paris), Population (Paris), “Revue géographique de l'Est” (Nancy), “Bulletin de la Société de géographie” (Toulouse), “Religioni e Societa” (Firenze). “Časopis za kritiko znanosti” (Lubjanë), “Geographica Slovenica” (Lubjanë), “Sociologija sela” (Zagreb), “Geografski Horizont”, (Zagreb), “Stanovništvo”, Sociologija, Sociološki pregled, Ekonomska misao (Beograd), etj. Shumë punime të autorit janë botuar edhe në buletine dhe publikime të kongreseve dhe konferencave ndërkombëtare. Me punë të palodhshme, përkushtim, konsistencë, elan dhe këmbëngulje të rrallë, akademik Hivzi Islami vazhdon të jetë jashtëzakonisht produktiv dhe të na gëzojë me botime të reja. Prandaj, ne brezi i ri jemi me fat që e njohim, bashkëpunojmë me profesorin dhe mësojmë vazhdimisht nga dija, përvoja dhe urtësia e tij. E përgëzojmë profesorin për librin e ri, i urojmë shëndet dhe i themi me krenari se është privilegj të jetojmë në kohën e një personaliteti të tillë në shkencën shqiptare.