Të verbra dhe të shurdhra përballë dhjetëvjeçarit të qëndresës paqësore në Kosovë nuk ishin vetëm Serbia dhe Rusia, por para së gjithash Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shtetet e veçanta evropiane. Ato mbajnë përgjegjësinë e rëndë që, së pari, e fshinë Kosovën nga Traktati i Paqes i Dejtonit dhe, më pas, gjatë bisedimeve të Rambujesë, e shpërfillën dhe madje e poshtëruan Rugovën
Giancarlo Salvoldi
Një udhërrëfyes shpirtëror para se të ishte politik
E hënë, 14 prill 2014 – Zgjedhjet dhe veprimet që Ibrahim Rugova ndërmerrte si President i një kombi nuk buronin kurrë nga analizat politike në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por frymëzoheshin nga diçka shumë më e thellë. Ato diktoheshin nga vetëdija se reformat që mund të ndërmerreshin në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore ishin të pjesshme dhe të pamjaftueshme për t’u dhënë përgjigje të efektshme problemeve. Prandaj, ato duhej të ecnin në lidhje të ngushtë me “reformimin”, domethënë me kthesën shpirtërore të zemrës së çdo njeriu.
Një konceptim i tillë është krejtësisht i huaj për ata që e mohojnë përmasën shpirtërore të jetës dhe, si rrjedhojë, gjithçka e mbështetin te politika, deri në atë pikë sa ta shndërrojnë atë në një lloj feje qytetare dhe t’i quajnë humbjet e saj përfundimtare.
Pikërisht për këtë arsye, në atë kohë ishte kaq e vështirë të kuptoheshin zgjedhjet e Rugovës, të cilat kapërcenin kriteret materialiste dhe mbështeteshin në një vizion tërësor të njeriut. Prandaj është e rëndësishme që, disa vjet pas vdekjes së tij, të përpiqemi të kuptojmë sa më thellë mesazhin që ky njeri na ka lënë.
Mirëpo, përderisa njerëzimi po përjeton një krizë të thellë shpirtërore – në kuptimin që kultura mbizotëruese mendon se mund të bëjë edhe pa shpirtëroren – ai gjendet i paaftë ta lexojë dhe ta kuptojë Rugovën, i cili e kishte bërë shpirtëroren themelin e jetës së vet.
Këtu bëhet fjalë për marrëdhënien ndërmjet “personales” dhe “politikes”. Në të kaluarën këto dy përmasa ishin të shkëputura; viti ‘68 i lidhi në një mënyrë të tillë që politikja ta mbyste personalen. Ndërsa sot, figurat e mëdha të qëndresës paqësore na mësojnë se ato janë të lidhura në mënyrë të pandashme, por në kuptimin se përmasa personale, së bashku me shpirtëroren e saj, duhet ta udhëheqë përmasën politike.
Për këtë arsye mund t’i bekojmë edhe dështimet në dukje të atyre figurave të mëdha të shekullit XX, të cilat shpesh nuk u kuptuan dhe, po aq shpesh, u vranë.
Shumë prej atyre që, me entuziazëm të sinqertë, i lartësojnë përfaqësuesit e qëndresës paqësore dhe propozimin e tyre shpirtëror, ruajnë në thellësi një ndjenjë shkurajimi. Ata mendojnë se këta njerëz kanë padyshim të drejtë, por janë të humbur – dhe të tillë do të mbeten përgjithmonë.
Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia jonë: në rrezikun që ta harrojmë menjëherë mesazhin që ata na përcollën. Do të ishim ne ata që do ta linim Rugovën të vdiste, nëse do ta gjykonim vetëm sipas rezultateve të tij politike dhe jo sipas mësimit të tij të madh, i cili shtrihet drejt së ardhmes së njerëzimit.
Se sa i drejtë është ky gjykim, dëshmohet nga gabimet e shumta të institucioneve ndërkombëtare. Për këto institucione them se jo vetëm lejuan disa prej disfatave të Rugovës, por edhe dështimin e qëndresës paqësore, të cilën e kanë përçmuar vazhdimisht.
Të verbra dhe të shurdhra përballë dhjetëvjeçarit të qëndresës paqësore në Kosovë nuk ishin vetëm Serbia dhe Rusia, por para së gjithash Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shtetet e veçanta evropiane.
Ato mbajnë përgjegjësinë e rëndë që, së pari, e fshinë Kosovën nga Traktati i Paqes i Dejtonit dhe, më pas, gjatë bisedimeve të Rambujesë, e shpërfillën dhe madje e poshtëruan Rugovën. Ai, me vetëdije të plotë, e pranoi atë pozitë poshtëruese, duke e vënë paqen përpara krenarisë së tij të ligjshme.
Bombardimet e NATO-s erdhën dhe, në atë çast, shërbyen si mbrojtje për popullin e Kosovës, i cili po i nënshtrohej një spastrimi të tmerrshëm etnik nga regjimi i Millosheviqit. Por përse nuk u ndoqën rrugët e tjera të mundshme?
Mosdhuna e Kosovës: pajtimi dhe shteti paralel
E premte, 23 maj 2014 – Rugova ishte shprehja dhe simboli i një përvoje të jashtëzakonshme të mosdhunës. Hartuesit dhe ndërtuesit e saj ishin ai vetë, grupi i intelektualëve, shumë klerikë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë dhe, mbi të gjitha, populli, i cili u përfshi dhe mori pjesë realisht, duke pranuar ndryshime të mëdha në zakonet e mendimit dhe të sjelljes.
Për të kuptuar çfarë ndodhi në atë tokë ballkanike menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, duhet kuptuar çfarë ishin “Pajtimi” dhe “Shteti paralel”.
Pajtimi: Pothuajse në çdo qytet dhe fshat kishte familje të ndara prej vitesh apo dhjetëvjeçarësh nga ligji i hakmarrjes, me prejardhje të lashtë ilire. Kjo ndarje përfshinte klanet e tëra, fqinjët dhe miqtë, derisa prekte mbarë bashkësinë vendore, të gjymtuar nga përjashtimi i ndërsjellë i pjesëtarëve të vet dhe të paralizuar në pritjen e heshtur të tragjedisë që, pashmangshëm, do ta qetësonte gjakun me gjak.
Mund të pyetemi nëse ishte vërtet e nevojshme që rruga e çlirimit nga trashëgimitë e lashta të kalonte, për shqiptarët e Kosovës, përmes sprovës më të rëndë të historisë së tyre mijëravjeçare.
Është e sigurt se farkëtaria e shtypjes serbe i dha këtij populli rastin më të tmerrshëm për t’u pastruar nga brenda, duke zgjedhur t’i përgjigjej së keqes me të mirë.
Zanafilla e nismës së “pajtimit të përgjithshëm”, të realizuar nga populli shqiptar i Kosovës, gjendet brenda ngjarjeve dramatike të viteve 1989 dhe 1990. Ja si i kujtonte ato ditë Anton Çetta, intelektual i njohur dhe studiues i traditës shqiptare, i cili, së bashku me Kishën Katolike, ishte ndër nismëtarët dhe përkrahësit e parë të lëvizjes. Çetta, një nga figurat më të shquara të qëndresës paqësore të shqiptarëve të Kosovës, vdiq në vitin 1995: “Ideja e pajtimit, ashtu siç e zbatuam ne, lindi në burg nga një grup të rinjsh të dënuar në vitin 1989, gjatë proceseve të sajuara nga autoritetet serbe. Në burg, këta të rinj shqyrtuan rastet e tridhjetë e gjashtë familjeve shqiptare që ndodheshin në marrëdhënie gjakmarrjeje dhe vendosën që, pasi të liroheshin, të punonin për pajtimin e tyre. Në shkurt të vitit 1990, një grup studentësh dhe intelektualësh e filloi veprën e pajtimit. Të rinjtë punuan pareshtur për javë të tëra, për të krijuar një ide të saktë për këto raste dhe për t’i përgatitur njerëzit për paqen”. “Përpjekja e parë pati përfundim pozitiv: u arrit të parandalohej hakmarrja; në raste të tjera u siguruan armëpushime deri në tre muaj”.
Në fund të marsit, shtypi shqiptar përhapi lajmin tronditës se rreth tridhjetë studentë universitarë ishin vrarë nga policia serbe. Tensioni shtohej vazhdimisht dhe bashkë me të shtoheshin edhe provokimet. Rreziku i shpërthimit të një konflikti kombëtar po bëhej konkret. Nga të gjitha anët shtrohej pyetja se çfarë duhej bërë.
Propozimi ishte që padrejtësitë, dhuna dhe urrejtja të luftoheshin me dashuri; që ndjenja e faljes të zgjohej pikërisht në emër të viktimave të pafajshme, të atyre studentëve të vrarë për paqen dhe lirinë e popullit.
Kjo ishte sfida: të zgjohej te të gjithë shqiptarët e Kosovës ndërgjegjja se, për ta luftuar të keqen, përparësia absolute ishte pastrimi i popullit nga e keqja që gjendej brenda tij. Urrejtja nuk mund të mposhtej pa u çliruar nga trashëgimia e lashtë e urrejtjes dhe e përçarjes.
Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur pozitivisht një gjendjeje që po bëhej çdo ditë e më e padurueshme: një mundësi – në disa drejtime paradoksale – për ta shndërruar sprovën e rëndë të shqiptarëve në një rast paqeje.
Ndoshta fryti i dhunës nuk do të ishte një dhunë e re, por një ndërgjegje e re, e pjekur në zemrat e njerëzve për të mirën e të gjithëve.
Një kërkesë e tillë nuk mund të mbyllej brenda kufijve të ngushtë: pajtimi duhej të ishte i përgjithshëm. Mbarë populli shqiptar duhej të mund të pajtohej, së pari me vetveten dhe më pas me popujt e tjerë.
Lëvizja e pajtimit lindi si një nismë e kufizuar dhe e përqendruar në pak raste; por ajo kishte jetë brenda vetes dhe shumë shpejt nisi të mugullonte.
To be continued in the next issue of the Culture Supplement
Autor: Salvoldi, Giancarlo. Redaktor: Leonardi, Enrico. Burimi: CulturaCattolica.it. Nga italishtja: Enik Pogaçe. Përgatiti për botim: Bejtullah Destani. Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë