Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

Institutional blockade: the undoing of the common world

The blockage of political institutions is a consequence of the blockage of the space "between" people (Cartoon: Jeton Mikullovci - Jemi)

The blockage of political institutions is a consequence of the blockage of the space "between" people (Cartoon: Jeton Mikullovci - Jemi)

Kuptimi i hapësirës “midis” nuk mund të reduktohet në nivelin e komunikimit verbal. “Midis” është hapësira ku njerëzit shfaqen para njëri-tjetrit si aktorë politikë, flasin dhe veprojnë për të krijuar një botë të përbashkët. Nëse politika fillon “midis” njerëzve, atëherë mund të themi se kriza politike në Kosovë nuk ka filluar në institucione. Në Kosovë, kriza institucionale është e pranishme sepse hapësira ndërmjet njerëzve është bërë e paarritshme

LOGIN

Një krizë institucionale, në shikim të parë, duket sikur fillon aty ku institucioni nuk arrin të kryejë funksionin që i është caktuar: kur një parlament nuk konstituohet, një qeveri nuk formohet, një shumicë nuk arrihet ose një procedurë kushtetuese ngec. Por ky përshkrim i krizës, në rastin e Kosovës, është tepër sipërfaqësor. Ai na tregon se ku shfaqet kriza, por jo se ku fillon ajo. Bllokada e institucioneve në Kosovë nuk duhet parë vetëm si problem i aritmetikës parlamentare, i interesave partiake apo i interpretimit të procedurave kushtetuese. Ajo duhet parë si një problem i jetës politike të përbashkët. A mund të ekzistojë një institucion demokratik kur paraprakisht mungon një botë e përbashkët politike, në të cilën aktorët janë të gatshëm të dëgjojnë, të kundërshtojnë dhe të njohin njëri-tjetrin?

Institucionet demokratike nuk janë vetëm struktura juridike, por, mbi të gjitha, janë forma të institucionalizuara të bashkëjetesës politike. Për të funksionuar, ato kërkojnë një minimum të përbashkët të njohjes reciproke: kundërshtari duhet të konsiderohet i ligjshëm, humbja apo fitorja elektorale duhet të pranohet si e përkohshme, kompromisi duhet të jetë i mundur dhe fjala e tjetrit duhet të ketë ende statusin e një fjale politike. Të gjitha këto kritere, në rastin e Kosovës, kanë kollapsuar. Në kuptimin juridik, institucionet ekzistojnë, por kuptimi i ekzistencës së tyre është vënë radikalisht në pikëpyetje për shkak të humbjes së funksionit të tyre politik. Bllokada institucionale është simptomë e bllokadës së komunikimit politik.

Zhbërja e hapësirës publike

Parlamenti është aparatura simbolike e shoqërisë për të komunikuar me vetveten. Një shoqëri demokratike nuk është e bashkuar sepse të gjithë mendojnë njësoj. Përkundrazi, ajo është e aftë të qëndrojë si bashkësi pikërisht sepse mund ta institucionalizojë mospajtimin. Politika nuk ekziston për faktin se ekzistojnë njerëzit. Ajo nuk fillon me institucionin, por në hapësirën “midis” njerëzve. Hannah Arendt thotë: “Ka dy arsye të mira pse filozofia nuk ka gjetur kurrë një vend ku politika mund të marrë formë. E para është supozimi se te njeriu ekziston diçka politike që i përket thelbit të tij. Kjo thjesht nuk është e vërtetë; njeriu është apolitik. Politika lind midis njerëzve dhe, si e tillë, është krejtësisht jashtë njeriut të veçuar.” (Hannah Arendt, “The Promise of Politics”, përgatitur nga Jerome Kohn, Schocken Books, New York, 2005, fq. 95).

also The past – an unsolved knot between Albanians and Serbs Culture Supplement The past – an unsolved knot between Albanians and Serbs

Kuptimi i hapësirës “midis” nuk mund të reduktohet në nivelin e komunikimit verbal. “Midis” është hapësira ku njerëzit shfaqen para njëri-tjetrit si aktorë politikë, flasin dhe veprojnë për të krijuar një botë të përbashkët. Nëse politika fillon “midis” njerëzve, atëherë mund të themi se kriza politike në Kosovë nuk ka filluar në institucione. Në Kosovë, kriza institucionale është e pranishme sepse hapësira ndërmjet njerëzve është bërë e paarritshme. Për pasojë, institucionet shtetërore juridikisht ekzistojnë, por nuk mund ta kryejnë funksionin e tyre politik.

Ngjarjet në dhe rreth Kuvendit të Kosovës, më shumë sesa një konflikt midis njerëzve dhe partive, duhet të lexohen si një skenë semiologjike, ku pozita dhe opozita nuk përplasen vetëm për një çështje konkrete, por për kontrollin e kuptimit të asaj që po ndodh në hapësirën publike të Kosovës. Ajo që shfaqet në sipërfaqe si përplasje është, në thelb, një krizë e komunikimit të politikës dhe shoqërisë me vetveten. Kjo krizë është pasojë e rrënimit të kategorive politike dhe morale për interpretimin dhe kuptimin e botës së vlerave të demokracisë liberale.

Aftësinë për të komunikuar me vetveten këtu nuk e konceptoj si kategori ekzistenciale, por si kategori të filozofisë politike, e cila lidhet me faktin e pranimit të “tjetrit” si pjesë të së njëjtës bashkësi politike; me faktin se “ne” nuk do të thotë të mendojmë njësoj, por se jemi pjesë të ndryshme të së njëjtës tërësi; me pranimin e faktit se asnjë forcë politike nuk e zotëron përfundimisht pushtetin; si dhe me gatishmërinë që argumenti i tjetrit, edhe nëse nuk na bind, të mos konsiderohet pa ndikim në mënyrën se si e perceptojmë dhe e kuptojmë realitetin.

Ngjarja në dhe për Kuvendin është simptomë e shpërbërjes së hapësirës në të cilën politika duhet të komunikojë me vetveten. Kosova është një demokraci e re, e pasluftës antikoloniale, e ndërtuar në kushtet e një procesi të fuqishëm e të gjatë të ndërkombëtarizimit të ndërtimit dhe forcimit të institucioneve shtetërore. Me një trashëgimi të theksuar të kulturës patriarkale kolektiviste, ndërtimi i institucioneve demokratike shtetërore e ka gjetur Kosovën pa rezerva të mjaftueshme të besimit të përbashkët. Për një shoqëri të fragmentuar, të sapodalë nga lufta, do të jetë detyrë e vetë institucioneve demokratike shtetërore që ta prodhojnë këtë besim. Ndërsa shtetësia e Kosovës, për shkak të trashëgimisë së dobët të besimit fillestar, ka pasur nevojë për deliberim për të prodhuar besim, ajo, në vazhdimësi, e ka dobësuar deliberimin si karburant të besimit që e forcon legjitimitetin moral dhe historik. Besimi, si parim organizues i shoqërisë, në rrafshin moral – si sintetizim i vetëdijes për lirinë, sakrificën dhe drejtësinë – në vend të akteve të prodhimit, që nga paslufta, është bërë tabelë qitjeje e kundërshtimit dhe mohimit. Shembull eklatant për këtë është qëndrimi mohues i vetë institucioneve shtetërore ndaj luftës së UÇK-së. Lufta antikoloniale nuk është antitezë e demokracisë; ajo është kushti i saj. Në hapësirën e komunikimit publik ka ndodhur një përmbysje radikale: paradigma konceptuale e njëjtësimit të Luftës së UÇK-së me demokracinë është zëvendësuar me paradigmën e antagonizmit midis tyre: sa më pak frymë të UÇK-së, aq më shumë demokraci. Lufta e UÇK-së do të duhej të ishte fryma në trupin e shtetësisë së Kosovës. Në Bibël thuhet se mëkati ndaj mishit falet, por mëkati ndaj frymës nuk falet. Bllokada e institucioneve, si strukturë anatomike e trupit të shtetësisë së Kosovës, është rrjedhojë e “mëkateve” ndaj frymës: ndaj sakrificës për liri dhe ndaj idealit të demokracisë, si parim orientimor i përjetësimit në praktikë të lirisë.

Ndërsa në një demokraci të konsoliduar, një konflikt i fortë politik mund të absorbohet nga institucione që kanë një rezervë të madhe legjitimiteti historik, në Kosovë e njëjta shkallë konflikti prodhon pasoja të mëdha, sepse institucionet, si pasojë e rrënimit të hapësirës “midis”, janë pa kapacitete të mjaftueshme për amortizimin e tij. “Politika”, thotë Hannah Arendt, “i organizon ata që janë absolutisht të ndryshëm, me synim barazinë e tyre relative dhe në kundërshtim me dallimet e tyre relative.” (Hannah Arendt, “The Promise of Politics”, përgatitur nga Jerome Kohn, Schocken Books, New York, 2005, fq. 96). Një hapësirë “midis” është e mundshme vetëm nëse palët ia japin njëra-tjetrës statusin e subjektit që mund të argumentojë. Kur tjetri nuk është më dikush me të cilin mund të flasësh, por vetëm dikush që duhet mposhtur; kur argumenti i tij nuk dëgjohet sepse vjen nga “pala tjetër”, atëherë “midis” fillon të zhduket. Kriza e komunikimit nuk është mungesa e fjalës; është humbja e dëgjimit. Një shoqëri mund të flasë vazhdimisht dhe të mos komunikojë fare. Mediat i kemi të mbushura me deklarata të ndryshme, rrjetet sociale me diskutime e ofendime, ndërkohë që hapësira e komunikimit real ngushtohet. Ky është tregues i mungesës së një bote të përbashkët politike. Nuk mund të prodhojmë besim pa një botë të përbashkët politike që e përcakton atë.

Fragmentimi i botës së përbashkët

Për shkak të mungesës së lirisë, përgjithësisht, njeriu shqiptar nuk është përballur me politikën si me një hapësirë ku mendohet, flitet e gjykohet bashkërisht, por në mënyrë të ndërmjetësuar nga ideologjitë, sloganet, opinionet e gatshme, propaganda, burokracia dhe kategoritë e trashëguara. Sa më e ulët të jetë aftësia për të menduar dhe gjykuar, aq më e madhe bëhet hapësira për veprimin e propagandës dhe paragjykimit në drejtimin dhe formësimin e kuptimit të realitetit. Në politikë, nuk luftohet vetëm për pushtetin material. Luftohet edhe për emërtimin e realitetit. Ai që vendos kontrollin mbi aftësitë e të gjykuarit, vendos kontrollin mbi mënyrën se si njerëzit duhet ta perceptojnë, kuptojnë dhe pranojnë realitetin.

Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, statusin e subjektit që mund të argumentonte, LDK-ja e mbante si një monopol të pakontestueshëm të vetin, duke i satanizuar të gjithë kundërshtarët e vet politikë. Për ilustrim, vlen të theksohet satanizimi i egër që iu bë figurave të Adem Demaçit, Rexhep Qosjes, Ukshin Hotit etj. “Vetëvendosja”, sidomos pas ardhjes në pushtet, do të bëhet “trashëgimtarja” më e denjë e LDK-së për privimin e tjetrit nga statusi i subjektit që mund të mendojë dhe argumentojë, duke u bërë subjekti bartës i cenimit dhe rrënimit të hapësirës “midis”. Në thjerrëzat politike të “Vetëvendosjes”, kundërshtari politik nuk është aktor legjitim; mosbesimi institucional duhet të jetë total dhe jo më korrigjues; komunikimi politik duhet të zhvendoset nga korniza e argumentimit te korniza e mobilizimit identitar: nga aftësia për të gjykuar te aftësia për të paragjykuar. Shoqëria nuk ka nevojë për institucione absorbuese të konfliktit, por për disiplinim dhe nënshtrim. Mediat dhe aktorët intelektualë duhet të zbrazen nga fuqia e autonomisë morale, me ç’rast, në vend që të jenë absorbuesit e konfliktit, vetë bëhen bartës të konfliktit, qoftë duke abstenuar nga politika, qoftë duke u bërë zgjatim brutal i politikës.

also The voice of genocide that illuminates the crimes led by Greater Serbia Culture Supplement The voice of genocide that illuminates the crimes led by Greater Serbia

Zhbërja e hapësirës “midis” nga “Vetëvendosja” do të fillojë nga interpretimi i realitetit politik, i cili është thellësisht antagonist ndaj narrativës që krijon përbashkësi. Në raport me interpretimin e vet të realitetit, për “Vetëvendosjen” kundërshtari nuk është legjitim, por një pengesë dhe kërcënim ekzistencial për projektin politik, parimi i të cilit është kontrolli dhe dominimi. Ai është tradhtari, uzurpatori, hajni. Me kërcënuesin nuk mund të ketë marrëveshje: ka fitore ose humbje. Pra, në fillim ndodh fragmentimi i botës së përbashkët si kusht i erozionit të hapësirës “midis”. Erozioni i “hapësirës së midisit” e natyralizon antagonizmin dhe e shpall agonizmin si dobësi. Natyralizimi i antagonizmit e legjitimon delegjitimimin e kompromisit. Këto hallka të dobësimit të hapësirës “midis”, në funksion të legjitimimit të narrativës për dominim dhe kontroll, bllokadën institucionale e përkthejnë si betejë legjitime për ruajtjen e legjitimitetit të përfaqësimit dhe të demokracisë. Bllokimi i institucioneve politike është pasojë e bllokimit të hapësirës “midis” njerëzve. Bllokimi i hapësirës “midis” e pamundëson artikulimin e konfliktit politik, i cili lehtësisht shndërrohet në performancë fizike dhe konflikt fizik.

Beteja për monopolin institucional të kuptimit

Politika ka gjithmonë dy beteja: betejën mbi ngjarjen dhe betejën mbi kuptimin e ngjarjes. Beteja për emërtimin e ngjarjes është betejë për kontrollin e interpretimit të saj. Përplasja në Kuvend është një luftë për dominimin e kuptimit. Beteja për kuptimin është shenjë e një demokracie të gjallë: palët kanë interpretime të ndryshme dhe luftojnë për t’i bindur qytetarët. Por problemi fillon kur interpretimi nuk kërkon më komunikim, por imponim, delegjitimim dhe mbyllje të komunikimit. Atëherë vullneti për fuqi nuk shfaqet vetëm si dëshirë për të fituar një debat. Ai shfaqet si dëshirë për të kontrolluar vetë fushën brenda së cilës debati mund të ketë kuptim. Kjo luftë është, në kuptimin niçean, një shfaqje e vullnetit për fuqi; ndërsa, në perspektivën hegeliane, vetë mënyra brutale në të cilën zhvillohet kjo luftë është dukja përmes së cilës shfaqet thelbi i krizës: shpërbërja e hapësirës publike si hapësirë e komunikimit të politikës për dhe në një botë të përbashkët.

“Lëvizja Vetëvendosje”, si shumicë parlamentare, në kontekstin e konstituimit të Parlamentit të Kosovës, përpiqet të bëjë një zhvendosje semiologjike tejet të dëmshme dhe të rrezikshme: ta monopolizojë shenjën e “institucionit”, duke e njëjtësuar shumicën parlamentare, pra veten, me vetë institucionin. Ajo flet nga pozita e institucionit, me mundësinë që rezistencën e vet ndaj revoltës së mundshme të opozitës ta kodojë si mbrojtje të institucionit, rendit, procedurës dhe legjitimitetit të shumicës. Kritikën e opozitës ndaj saj, si pasojë e njësimit të vetes me institucionin, pozita e interpreton si kritikë ndaj vetë institucionit. Në një situatë të tillë, çdo ndërhyrje e opozitës “Vetëvendosja” e përkthen si pengim; çdo kundërshtim, si destruktivitet; çdo ndërprerje, si sulm ndaj funksionimit institucional. Opozita, nga ana tjetër, ekziston politikisht për ta kundërshtuar këtë monopol të kuptimit për realitetin institucional e politik. Por, siç kemi parë deri më tani, ajo është treguar e paaftë për të zhvilluar ndonjë betejë politike për çmontimin e kodit interpretues që “Vetëvendosja” e Albin Kurtit ka për realitetin. Ajo, me mënyrën e të gjykuarit dhe të vepruarit, e nxitur qoftë nga interesa egoiste e meskine, qoftë nga padija, është vënë në funksion të ruajtjes së dominancës së kuptimit të prodhuar nga pozita. Opozita nuk ka arritur të prodhojë një hapësirë alternative të kuptimit që ta bëjë të pamundur dominancën e kuptimit që ka për realitetin pozita.

Kush e kontrollon institucionin, pretendon të kontrollojë edhe kuptimin e institucionit, dhe kush e kontrollon kuptimin e institucionit, e kontrollon edhe institucionin. Nëse themi se “Vetëvendosja” dje e përcaktonte realitetin përmes së vërtetës, si ideal i intelektualitetit, dhe aksionit qytetar, sot ajo e përcakton realitetin përmes autoritetit institucional. Opozita duhet ta çmontojë kodin interpretues të “Vetëvendosjes” për realitetin. Ngjarja në dhe rreth konstituimit të Parlamentit nuk duhet reduktuar në një konflikt “pozitë–opozitë”. Në të vërtetë, këtu kemi të bëjmë me një konflikt ekzistencial: jo vetëm se kush ka të drejtë ta përfaqësojë Kosovën, por kush ka të drejtë të përcaktojë se çfarë është ajo Kosovë.

cONcluSiON

Dështimi i demokracisë nuk përcaktohet nga dështimi i procedurave, strukturave kushtetuese apo marrëdhënieve ndërpartiake. Ai vjen si rezultat i një procesi paraprak të erozionit të hapësirës “midis” njerëzve, i fragmentimit të botës së përbashkët përmes antagonizimit të hapësirës publike, i rritjes së mosbesimit që e legjitimon delegjitimimin dhe i dobësimit të autonomisë morale të mediave dhe intelektualëve, me qëllim që konfliktet shoqërore e politike të mbeten pa ndërmjetësues. Si rezultat, kemi rritje të kostos së kompromisit dhe rënie të kapacitetit të aktorëve për të prodhuar marrëveshje. Konflikti politik, në këtë mënyrë, lehtësisht i paralizon vetë institucionet, të cilat do të duhej të ishin kontrolluesit dhe kanalizuesit e tij.

also Who cares about the fascist nonsense of Serbian students towards Kosovo? Culture Supplement Who cares about the fascist nonsense of Serbian students towards Kosovo?

Demokracia nuk dështon vetëm kur shkelen rregullat; ajo fillon të dështojë kur aktorët politikë humbin aftësinë për të jetuar politikisht me mosmarrëveshjen, si pasojë e mungesës së besimit në hapësirën “midis”.

Demokracia në Kosovë nuk mund të mbështetet vetëm në institucione për të prodhuar besim; ajo ka nevojë për hapësira publike, intelektualë, media dhe aktorë politikë që ta prodhojnë dhe ta riprodhojnë atë besim përmes argumentit dhe kritikës.