Mbyllja e Grykës së Hormuzit pas sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit si dhe “okupimi” i pjesës vitale të jugut të Detit të Kuq buzë Jemenit nga kryengritësit pro-iranianë, Huti, me çka u mbyll qarkullimi i naftës dhe i mallrave, kurse tregjet botërore përjetuan dridhjen më të madhe me çmim të naftës që tani arrin në mbi 100 dollarë për fuçi, Siria dhe Iraku, me ndihmën amerikane, po ringjallin tubacionin e naftës Kirkuk, Irak/Banias, Siri, të gjatë 800 kilometra si dhe atë Kirkuk/Çejhan, Turqi, të gjatë 970 kilometra. Brenda një viti, nafta e Irakut do të derdhet sërish në portet mesdhetare, kurse Hormuzi i Iranit mund të mbetet vetëm një grykë pa anije dhe transport nafte
Bota nuk do të mbesë pa naftë, as këto çmime marramendëse të fuçisë së naftës, që gjerë sa po gatitet ky shkrim, në tregjet botërore kanë arritur rekordin mbi 100 dollarë për fuçi, do të përgjysmohen, pasi strategët e gjeostrategjisë, që pas Luftës së Dytë Botërore, u kujdesën që në Lindjen e Mesme të ndërtohen dy tubacione midis Kirkukut, që është qendra e fushave të naftës në Irakun verior, ose më mirë të themi në gjysmë-shtetin e Kurdistanit dhe portit sirian mesdhetar të Banias, të gjatë 800 kilometra, dhe tubacionit tjetër Kirkuk—Çejhan, në brigjet mesdhetare të Turqisë.
Ndonëse u ndërtuan në kohë dhe rrethana të ndryshme, këto dy tubacione kanë si një fat të përbashkët, se u mbyllën dhe u dëmtuan nga disa herë gjer tani. Ishin ato tubacione, siç thotë populli si “kapixhik” i fqinjëve që zihen shpesh, kështu që atë deriçkë i mbyllin herë njëri, herë tjetri. Është fat se të dyja këto tubacione kanë filluar të meremetohen disa muaj më parë, kështu që brenda një viti, nafta, në sasi prej së paku 400 mijë fuçive në ditë, do të ecë rrugës në det, për në tregjet botërore. Thënë shkurt, Hormuzi Iranian do të “transferohet” nëpër tokë gjer në dy portet mesdhetare, duke e shndërruar Sirinë, vendin e shkatërruar nga lufta e gjatë civile, në një “Hormuz të ri” dhe vend me një standard më të lartë jetësor nga taksat e transferit të naftës dhe rolit të madh strategjik për një shtet ende në “kukëza”, por me shumë gjasa se do të mbahet në këmbë të veta.
Tubacioni i parë lindi më 1952
Kur isha gazetar në Lindjen e Mesme, tubacioni Kirkuk—Banias ishte viktimë e çdo mosmarrëveshjeje politike midis dy regjimeve siriane dhe irakiane. Ndonëse i përkisnin një partie të njëjtë politike, BAAS, Sadam Hyseini i Irakut dhe Hafez Asadi i Irakut, sa herë që kacafyteshin e mbyllnin tubacionin Kirkuk—Banias për ta dëmtuar ekonomikisht njëri-tjetrin. Por, atëherë kjo nuk i shkaktonte problem botës për naftë, sepse Hormuzi ishte i hapur dhe pa Gardën Revolucionare. Ishte kohë kur Irani ishte pjesë e botës përparimtare.
As statistikat më të përpikta nuk kanë mundur të shënojnë sa herë është mbyllur dhe rihapur ky tubacion që nga viti i inaugurimit, 1952. Dihet se në intervale më të gjata u mbyll gjatë Luftës Irako-Iraniane më 1980-‘88 dhe sulmeve amerikane dhe të aleatëve kundër Sadam Hysenit, më 2003 dhe më vonë.
Irani, i cili që nga viti 1975, filloi të bëhej “zot shtëpie” në Siri, e detyroi Damaskun ta mbyllte pjesën e tij të tubacionit më 1982, kur lufta Irako-Iraniane po kallej me të madhe. Këtë e urdhëroi Homeini, në mënyrë që Iraku të pësonte ekonomikisht.
E shkuar, e kaluar, por më 18 korrik, 2026, Siria dhe Iraku me udhëheqje të reja dhe politikë të re fqinjësore, nënshkruan në Uashington marrëveshjen për meremetimin dhe zgjerimin e këtij tubacioni, i cili, kur të kryhet tërësisht nga kompani të mëdha amerikane, do të transportojë edhe nga 400.000 fuçi në ditë.
Paraja më nuk paraqet kurrfarë problemi, madje askush nuk pyet sa do të kushtojnë ndreqjet në pjesë të ndryshme të Irakut dhe Sirisë, por kur do të kryhet.
Mirëpo, njohësit e gjendjes në rajon e dinë se edhe pas riinaugurimit të tubacionit, do të ketë probleme sigurie, duke filluar nga pjesët e Irakut në kufi me Sirinë, ku ka ende “xhepa” të Al-Kaidës. Pastaj rrezik për tubacionin do të paraqesin milicitë pro-iraniane në Irak, të cilat luftojnë qeverinë legale dhe mundohen ta dëmtojnë në çdo mënyrë, pra edhe duke e dëmtuar tubacionin. Por, të shpresojmë se dy pushtetet e reja në Irak dhe Siri, me ndihmën amerikane dhe të aleatëve të tjerë do ta pastrojnë tërësisht terrenin.
Tubacioni i Çejhanit, shpresë edhe për Turqinë
pipeline i dytë, Kirkuk—Irak verior—Turqi, u lëshua në punë më 1977, por u mbyll shpesh pas sulmeve të ndryshme nga kundërshtarët e Irakut dhe Turqisë.
Ai është i gjatë 970 kilometra dhe bart brenda ditës nga 200 mijë fuçi nafte gjer në portin mesdhetar turk, Çejhan.
Edhe ai po riparohet, por ka më pak prishje se tubacioni Kirkuk—Banias.
Edhe para se të fillojë të rrjedhë nafta në këto dy tubacione që do ta zëvendësojnë Hormuzin, së paku gjer sa të mundet Garda Revolucionare dhe pushteti i Iranit, në territoret nga kalojnë tubacionet do të bëhen përgatitje të shumta sigurie, sepse janë vetëm dy tubacione dhe shumë më tepër armiq përreth në krye me Iranin dhe aleatët e tij që ende po funksionojnë, ndonëse tani pas sulmeve amerikane, shumë më të dobët se më parë.
Ekspertët e sigurisë thonë se këndej më nuk mund të lejohen diversione sepse bota ka nevojë për naftë.
Disa parashohin se do të aktivizohen disa satelitë të Muskut, që do të monitorojnë 24 orë pandërprerë, kurse në tokë do të qarkullojnë dronë, ushtarë, policë dhe roje të paguara.
Gryka e mbyllur e Hormuzit dhe përpjekjet e Irakut dhe Iranit për të gjetur zgjidhje për import të mallrave, po e kthen këtë pjesë të përgjakur të botës prapë në kohët e kaluara, kur gjatë luftës tetëvjeçare Irako—Iraniane dhe sulmeve të Aleancës perëndimore kundër Sadam Hysenit, 2003, detin e zëvendësuan rrugëtimet e gjata me kamionë, nga porti jordanez, Akaba, gjer në Irak, nja 1.300 kilometra udhëtimi nëpër shkretëtirë.
Atë rrugëtim të mundimshëm e kam bërë edhe vetë. Aty kam mësuar se netët e shkretëtirës janë të ftohta gati si dimrat tanë, kështu që një çaj i ngrohtë në ndonjë stacion beduinësh ta kthente shpirtin.
A do të kthehen ato kohë, kur kamionët e rëndë do t’i mbajnë gjallë me mallra këta popuj, apo prapë do të hapet deti si dikur?
Për këtë pyetje, askush nuk ka përgjigje sot, aq më parë kur edhe porti jordanez i Akabas, ra pre e mbylljes së Detit të Kuq nga kryengritësit jemenitë, Huti, të cilët si pjesë e popullit jemenit, por të besimit shiit, përballë pushtetit me shumicë sunite, janë vënë në shërbim të Iranit, njësoj si Hezbollahu i Libanit.
Ky është edhe një mësim i thjeshtë nga konfliktet: Kur nxjerr një kashtë, të dalin gjashtë...