Support TIME. Preserve the truth.
Opinion

A new institutional dawn

Zgjedhja e akademikes Justina Shiroka-Pula dhe fillimi i një cikli të ri për Kosovën

“Na jemi mirë kur Kosova është mirë”. 

Me këtë mesazh themelor e artikulova thirrjen javë më parë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, në përpjekje për tejkalimin e ngërçit politik pas zgjedhjeve të treta. Sot, ky mesazh gjen përmbushjen e tij: administrimi maestral i krizës dhe zgjedhja e akademikes Justina Shiroka-Pula shënojnë hyrjen e Kosovës në një cikël të ri paradigmatik të zhvillimit institucional.

Rruga deri këtu ishte e vështirë. Polarizimi politik dhe shoqëror, burgosja e ish-krerëve të UÇK-së që çoji te dekapitimi i udhëheqjes politike të Republikës kulmuan më 16 shtator me verdiktin drakonik të Gjykatës së Hagës. Ishte një moment i rëndë historik, që solli ndjenja të përziera: pendesë për votimin e themelimit të kësaj gjykate, nevojë për të ecur përpara drejt konsolidimit institucional dhe dëshirë të pashuar për pushtet.

Qytetarët përjetuan dëshpërim dhe ndjenjën e pafuqisë për të imponuar rrugën e duhur. Por ata kërkuan një zgjidhje që të mos e lëndonte më tej këtë demokraci të re dhe që t'i rikthente shpresën e stabilitetit dhe optimizmin popullit.

Kur shumëkush e kishte humbur shpresën për një rrugëdalje, dita e djeshme e mbylli këtë makth në mënyrën më të dëshirueshme. Kryeministri Albin Kurti, përmes propozimit të akademikes Justina Shiroka-Pula për presidente të Republikës, nxori në pah kapacitetin shtetformues të klasës politike dhe vetëdijen e pjekur për zgjidhje racionale e të qëlluar. Nuk duhet lëshuar pa e përmendur se kjo arritje përveç pritjes të qytetarëve të Kosovës i kushtohet; qëndrueshmërisë në parime të kryeministrit Kurti, elokuencës dhe gatishmërisë së kryetarit të PDK-së Bedri Hamzës për t'u mbetur i hapur ndaj një rrugëdaljeje dinjitoze dhe konsensusi i shumicës qeverisëse për një kandidate nga opozita. Së bashku, ato dëshmojnë se Kosova ka hyrë në një fazë të re të bashkëqeverisjes.

Zgjedhja e një personaliteti të verifikuar për kompetencat, vizionin dhe integritetin, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e forcon shpresën e bazuar se struktura e re qeveritare do të jetë një kohabitacion produktiv. Në një botë të sfiduar nga ndryshimet klimatike, revolucioni teknologjik, pasiguria gjeopolitike dhe konkurrenca e ashpër për dije, shkenca nuk është luks, por themel strategjik. Politikat e ndërtuara mbi evidencën, kërkimin dhe ekspertizën trasojnë rrugën e suksesit të një populli dhe e përgatisin vendin për një ambient global plot sfida. Siç e theksonte që në vitin 1945 Vannevar Bush në raportin Science, the Endless Frontier: “Pa progres shkencor, asnjë arritje në fusha të tjera nuk mund ta garantojë shëndetin, begatinë dhe sigurinë tonë si komb në botën moderne.”

Ky model i ri bashkëpunimi ndërpartiak dhe ndërveprimi institucional mund të bëhet shembull i një demokracie të konsoliduar, ku shkenca dhe mendimi akademik udhëheqin rrugëtimin drejt arritjeve të reja. Kosova ka treguar se di të dalë nga krizat më e pjekur, më e bashkuar dhe më e fortë. Urime, Kosovë!