Support TIME. Preserve the truth.
Opinion

When does the Constitution risk becoming a hostage to itself?

Nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje të njëpasnjëshme, rreziku kryesor nuk është vetëm kostoja financiare e tyre, por normalizimi i mosfunksionimit institucional. Kur zgjedhjet e përsëritura pa zgjidhje kthehen në dukuri normale, fillon erozioni i besimit në sistemin politik — një vetëshkatërrim gradual i institucioneve që çon në humbjen e besimit te aftësia e Kushtetutës për t'iu përgjigjur krizave dhe për të garantuar rend, funksionalitet e drejtësi, pa cenuar parimet demokratike

Po e hap këtë shkrim duke e perifrazuara një thënie të njohur nga historia të adaptuar me kontekstin:

“Ne jemi mirë kur Kosova është mirë” 

Kosova përballë dilemës ndërmjet normës juridike, përgjegjësisë politike dhe vetëruajtjes së shtetit
Ka momente në jetën e një shteti kur një krizë politike nuk mund të lexohet më thjesht si konflikt ndërmjet partive. Ajo shndërrohet në sprovë për pjekurinë e institucioneve, kulturën kushtetuese dhe, mbi të gjitha, për aftësinë e klasës politike për të dalluar interesin shtetëror nga ai i momentit. Kosova duket se ndodhet pikërisht përballë një momenti të tillë.

Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare dhe rikonfirmimi i forcës së parë politike, pa krijuar megjithatë një shumicë të mjaftueshme për zhbllokimin e institucioneve qendrore, e rikthen vendin në një situatë të njohur: zgjedhjet nuk kanë prodhuar zgjidhje politike, ndërsa mungesa e kompromisit rrezikon ta shndërrojë rezultatin zgjedhor në një cikël të ri bllokimi.

Këtu shtrohet pyetja që nuk mund të shmanget më: Çfarë duhet të bëjë një shtet kur zbatimi mekanik i një interpretimi kushtetues, në rrethana të reja politike, rrezikon të prodhojë paralizë institucionale?

also Decree without a majority: when the form defeats the purpose of the constitution Opinion Decree without a majority: when the form defeats the purpose of the constitution

Kjo gjendje ngre disa pyetje thelbësore për rendin juridik e politik:

- A duhet të mbetet politika peng e një opinioni të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, dhënë në rrethana të caktuara dhe për një situatë konkrete?

- Nëse subjektet politike, përmes mosmarrëveshjeve apo bojkotit, e bëjnë të pamundur zgjedhjen e organeve kushtetuese, a kanë ato vetëm të drejtën politike për të refuzuar, apo edhe detyrimin shtetëror për të kërkuar kompromis?

- A duhet që një interpretim kushtetues i dhënë më parë të zbatohet në mënyrë identike edhe kur rrethanat e reja prodhojnë pasoja institucionale të paprecedenta?

Kushtetuta nuk është vetëm tekst; ajo është, para së gjithash, një rend funksional. Duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për ta kufizuar pushtetin politik, por njëkohësisht mjaftueshëm fleksibile e "e mençur" për të mos lejuar që interpretimi i saj ta bëjë shtetin të pafuqishëm.

Si normë juridike supreme, Kushtetuta përfaqëson arkitekturën institucionale që duhet të garantojë funksionimin e pushtetit, kontrollin e tij, legjitimitetin demokratik dhe vazhdimësinë e shtetit. Dilema e vërtetë shfaqet kur duhet t'i jepet përgjigje pyetjes: çfarë ndodh kur një mekanizëm i projektuar për të siguruar legjitimitet të lartë përdoret si instrument bllokimi?

also Opinion Constitutional culture as a condition for the functioning of the Republic

Fituesi i zgjedhjeve ka të drejtë të qeverisë nëse arrin të krijojë shumicën e nevojshme kushtetuese; opozita ka të drejtë ta kundërshtojë. Asnjëra palë, megjithatë, nuk ka të drejtën ta bëjë të pamundur ekzistencën funksionale të vetë institucioneve.

Rrugëdalja qëndron te gjetja e atij interpretimi apo mekanizmi që, brenda frymës kushtetuese, e shpëton rendin shtetëror nga paraliza. Interesi i shtetit kërkon sot një zgjidhje adekuate për situatën e re, me qëllim që të mundësohet konstituimi i organeve kryesore të vendit.

Nëse ekziston një interpretim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, por rrethanat faktike kanë ndryshuar, kërkimi i një interpretimi të ri nuk duhet parë automatikisht si përpjekje për anashkalim juridik. Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të përdoret si instrument për të prodhuar rezultate politike që vetë partitë nuk arrijnë t'i sigurojnë përmes dialogut.

Nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje të njëpasnjëshme, rreziku kryesor nuk është vetëm kostoja financiare e tyre, por normalizimi i mosfunksionimit institucional. Kur zgjedhjet e përsëritura pa zgjidhje kthehen në dukuri normale, fillon erozioni i besimit në sistemin politik — një vetëshkatërrim gradual i institucioneve që çon në humbjen e besimit te aftësia e Kushtetutës për t'iu përgjigjur krizave dhe për të garantuar rend, funksionalitet e drejtësi, pa cenuar parimet demokratike.

Pyetja më e rëndësishme që u drejtohet sot deputetëve, subjekteve politike dhe mbarë shoqërisë kosovare është: a do ta përdorim Kushtetutën për ta ruajtur shtetin, apo do të lejojmë që një interpretim i ngurtë i saj të shndërrohet në pengesë për funksionimin e vetë shtetit?

also Opinion The limits of EU mediation and the crossroads at which the Kosovo-Serbia dialogue finds itself

Përgjigjja duhet të jetë e qartë: Kushtetuta duhet të jetë në funksion të demokracisë, demokracia në funksion të shtetit, dhe shteti në funksion të qytetarit. Sepse, në fund të fundit, asnjë Kushtetutë nuk është shkruar me qëllim që shteti të mos mund të qeverisë.

Autori është profesor universitar, ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës dhe ish-ambasador i Republikës së Maqedonisë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë. Ai është rektori themelues i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe ka një përvojë të gjatë në politikë, diplomaci dhe arsimin e lartë.