Protestat ne Tiranë me muaj të tërë ishin paqësore dhe mesazhet ishin të qarta për partinë në pushtet. Megjithatë kërkesat e mijëra qytetarëve jo vetëm që u injoruan, por për një moment Rama dhe vartësit e tij filluan të talleshin me ta nëpër rrjete sociale. Mjafton të imagjinojmë se si do të reagonin qytetarët e një vendi perëndimor, nëse udhëheqësit e tyre do të talleshin me ta në mënyrën më të ulët, ashtu siç vepruan pushtetarët në Shqipëri.
Mirëpo, tani kur revolta ka shpërthyer dhe Tirana është kthyer përmbys nga studentët, Edi Rama dhe rrethi i tij ngushtë shihen në panik. Nuk po i shohim më “memet” fyese dhe provokuese ndaj qytetarëve. Qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet ta humbë arsyen e gjykimit. Në këtë grackë ka rënë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu si shumë liderë të tjerë para tij. Rama, dikur vetë një antikonformist, sot duket krejtësisht i shkëputur nga realiteti.
Jeta për shumë të rinj në Shqipëri është bërë gjithnjë e më e papërballueshme. Një e re, e cila kishte dalë të protestonte në rrugët e Tiranës, tregonte se po planifikonte të largohej nga vendi së bashku me miqtë e saj, për shkak të kostos së lartë të jetesës. Sipas saj, pagat që marrin mezi u mjaftojnë për të mbuluar qiranë e një apartamenti, pa llogaritur këtu shpenzimet e tjera të përditshme.
“Jam e lumtur që po bëhet revolucion, të bëjmë diçka për këtë vend, vetëm rinia mund ta bëjë, sepse këta plehrat që e kanë bërë në këtë gjendje nuk mund të bëjnë më gjë” – deklaroi ajo për News24.
Shifrat e largimit të të rinjve nga Shqipëria janë të frikshme. Sipas te dhënave nga Eurostat, vetëm gjatë viti 2025 janë larguar mbi 18.000 të rinj nga mosha 15 deri ne 29 vjeç. Gjithashtu nga Western Balkan countries, Shqipëria e zë vendin e parë për shkallën më të lartë të emigrimit të popullsisë. Statistikat tregojnë se shumë të rinj nuk shohin një të ardhme premtuese në Shqipëri, ndonëse kryeministri Rama flet gjithë ditën për perspektivën evropiane të vendit. Për cilën perspektive po flet ai? Të rinjtë në vazhdimësi po e braktisin vendin.
Ndonëse pakënaqësitë e studentëve janë evidente, Rama ka akuzuar opozitën se qëndron prapa protestave. Gjithashtu, ai ka pretenduar se në këto ngjarje janë të përfshirë edhe faktorë të huaj. Arsyetime të tilla dëgjojmë zakonisht nga liderë autoritarë siç janë; Erdogan, Vuçiq e Orban, që nuk duan ta pranojnë realitetin. Rama vazhdon t’i shpërfillë pakënaqësitë e qytetarëve, sikur protestat e muajve të fundit në Shqipëri të mos kishin ndodhur dhe problemet me të cilat përballen shqiptarët të mos ishin reale.
Rama ka qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet dhe, padyshim, ka meritat e tij në transformimin që ka përjetuar Shqipëria gjatë viteve të udhëheqjes së tij, si në krye të Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe si kryeministër i vendit. Megjithatë, trashëgimia e tij politike po lëkundet seriozisht nga skandalet korruptive që kanë dalë në dritë gjatë viteve të fundit dhe që kanë zbehur shkëlqimin e tij politik.
Karta e fundit politike që i ka mbetur Ramës është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai është i bindur se brenda këtij mandati do ta anëtarësojë vendin në familjen e madhe evropiane, çka padyshim do të përbënte një arritje të jashtëzakonshme.
Mbetem skeptik për disa arsye se kjo do të ndodhë. Shqipëria vazhdon të përballet me probleme serioze të korrupsionit, një pjese e madhe e medieve kontrollohet nga bota e biznesit dhe Partia Socialiste ka shtrirë ndikimin e saj pothuajse në të gjithë vendin.
Se çfarë pritet të ndodhë pas këtyre protestave masive mbetet të shihet. Por, një gjë është e sigurt që Shqipëria s’do të jetë më e njëjta. Kapitulli politik i Ramës po përfundon.
It's time for a new generation.