Support TIME. Preserve the truth.
military

Itauma seeks world title at 21

Moses Itauma

I lindur në Sllovaki, me baba nigerian dhe nënë sllovake, Moses Itauma u vendos së bashku me familjen në Kent të Anglisë si fëmijë. Prindërit e boksierit fillimisht dëshironin që ai të bëhej mjek apo avokat. Por kur vëllai i madh i Itaumas u bë profesionist dhe familja e pa talentin e jashtëzakonshëm natyror të Itaumas, qëndrimi u zbut.

“Mos u shqetëso për shkollën. Thjesht përqendrohu në boksin tënd”, i tha nëna.

Ky vendim ka dhënë fryte të shkëlqyera.

Në moshën 21-vjeçare, Itauma hyn në ring me kroatin Filip Hrgoviq, të shtunën mbrëma, në kërkim të titullit të botës në kategorinë e rëndë, në versionin IBF. Ky titull është vakant, ndërsa Itauma mund të bëhet kampioni i dytë më i ri i kategorisë së rëndë në histori.

“Ka shumë pritje mbi supet e mia për ta mbajtur lart flamurin e boksit britanik. Thjesht duhet t’i përmbush këto pritshmëri”, thotë Itauma, shkruan BBC.

Fitorja ndaj kroatit Hrgoviq do ta vendoste Itauman në rrugën për t’u bërë emri i ardhshëm i madh i boksit britanik të kategorisë së rëndë.

Dy yjet më të mëdhenj, Tyson Fury dhe Anthony Joshua, po i afrohen fundit të karrierës. Itauma është më shumë si Joshua – i tërhequr dhe larg mediave.

“Ajo që më irriton më shumë është kur njerëzit mendojnë se je pronë publike”, thotë ai.

“Ajo që njerëzit nuk e dinë për mua është se unë në të vërtetë nuk dua të jem në qendër të vëmendjes. Nga mënyra se si po shkon karriera ime, thjesht nuk kam zgjidhje tjetër”.

Ashtu si Joshua, Itauma shpesh duket i painteresuar për ngjarjet në javën e meçit. Kur Hrgoviqi ndërhyri gjatë konferencës për shtyp të së enjtes, Itauma i kërkoi me qetësi prezantuesit pyetjen tjetër.

Ka ngjashmëri edhe në karrierën e Itaumas dhe Joshuas.

Joshua luftoi për titullin IBF në meçin e 16-të profesional dhe me 34 raunde të përfunduara. Itauma arrin te lufta për titull të botës një meç më herët dhe me 31 raunde të përfunduara.

Joshua kishte medalje të artë olimpike dhe karrierë më të gjatë amatore. Por fitorja eventuale e Itaumas të shtunën, do t’i bënte krahasimet e pashmangshme. Trajneri i Itaumas, Ben Davison, që punoi me Joshuan dhe me Furyn, beson se boksieri i ri ka mentalitetin e duhur për të përballuar atë që vjen më pas.

“Presioni është privilegj”, thotë ai. “Moses e ka pasur tashmë atë presion për shumë kohë dhe di si ta përballojë”.

A e meritonte Itauma luftën për titull?

Boksierët e rinj zakonisht trajtohen me kujdes dhe u jepet kohë për të mësuar para përballjeve të rrezikshme. Megjithatë Itauma arriti shpejt te lufta për titull.

Progresi i Itaumas është konfirmuar me fitoret ndaj Dillian Whyte dhe Jermaine Franklin.

Kur Oleksandr Usyk hoqi dorë nga titulli në versionin IBF dhe Frank Sanchez pranoi të tërhiqej, lufta e Itaumas me Hrgoviqin u shndërrua në luftë për titull të botës.

Edhe para se lufta të bëhej për titull, Hrgoviqi tha se Itaumas i ishte “ofruar gjithçka në pjatë”. Edhe në mesin e tifozëve kishte ndjenjë se Itaumas iu dha shumë lehtë rasti për të luftuar për titull të botës. Ndoshta një meç eliminator do të ishte më i natyrshëm para shansit të madh.

“Është një situatë më e vështirë për mua. Nëse fitoj, kjo do të jetë ajo që njerëzit e kanë pritur. Nëse humbi, do të jetë dëshmi se nuk isha aq i mirë sa mendoja. Nuk merrem me pritjet e të tjerëve”, thotë Itauma.

A është Itauma gati?

Mike Tyson është kampioni më i ri në histori i kategorisë së rëndë. Ai e fitoi titullin me 20 vjet, katër muaj e 22 ditë.

Rekordi do të mbetet, por me fitore eventuale, Itauma bëhet i dyti më i ri dhe kampioni më i ri aktual.

Ai nuk ka boksuar asnjëherë në 12 raunde. Nuk ka bërë po ashtu 12 raunde sparing asnjëherë.

“Edhe pse nuk kam bërë 12 raunde dhe nuk kam pësuar ndonjë goditje në mjekër, nuk mendoj se kjo është e nevojshme për t’u bërë kampion i botës në kategorinë e rëndë”, thotë ai.

Çka ndodh nëse nuk e përfundon luftën më herët? Çka do të bëhet nëse kundërshtari është ende në këmbë në raundin e tetë dhe ende i rrezikshëm?

Trajnerët e tij besojnë se Itauma është gati për t’i shkuar luftës deri në fund, ndonëse nuk është sfiduar deri më tani.

Para meçit të së shtunës në Londër ka shumë pyetje. Dhe ringu do të dëshmojë nëse talenti i boksit është gati për të shkruar historinë e tij.