Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

The special is criticized for lack of accountability

Trendafilov

Derisa presidentja Justina Shiroka-Pula nuk ka bërë të ditur nëse do ta dekretojë apo do t’ia kthejë Kuvendit Ligjin për Gjykatën Speciale, reagimet për ndryshimet e miratuara kanë vazhduar edhe dy javë pas miratimit të ndryshimeve. Deputetë të PDK-së kanë kritikuar kryetaren e Speciales, Ekaterina Trendafilova, pas deklaratës së saj për pavarësinë e Gjykatës, ndërsa nga Vetëvendosje është kërkuar që çdo veprim të jetë juridikisht i qëndrueshëm

Reagime të shumta ka nxitur deklarata e kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilovës, e cila ka thënë se Gjykata po e kryen punën e saj në mënyrë të pavarur e pa ndikime politike.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur se vetë fakti që Trendafilova ka dhënë mesazhin përmes një video-deklarate, e jo në një konferencë ku do të mund të përballej me pyetje, dëshmon mungesën e llogaridhënies të saj dhe të Gjykatës. 

Çitaku ka thënë se përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë.

“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar”, ka thënë ajo.

E Përparim Gruda, që është edhe njëri nga draftuesit e ndryshimeve në Ligjin për Specialen, është marrë me pjesën ku Trendafilova ka thënë se askush nuk mund t’u tregojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë ligjin. 

“Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë. Ligjet i miraton Kuvendi, ndërsa gjykata i interpreton dhe i zbaton. Prandaj, sapo ligji i ri për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi, Gjykata duhet ta zbatojë”, ka thënë Gruda.

Në video Trendafilova po ashtu, ka shprehur shqetësimin për atë që i ka cilësuar si dezinformata lidhur me punën e Dhomave të Specializuara në Hagë. 

“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca ose ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara i përmbahen me vendosmëri angazhimit për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare më të larta dhe vazhdojnë të kryejnë punën që u është besuar në mënyrë të pavarur nga çdo trysni e jashtme me pritshmërinë se të gjitha palët e angazhuara do të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të garantuar sundimin e ligjit”, ka thënë ajo në video-deklaratë.

E në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nënkryetari Gazmend Syla ka listuar disa pyetje që sipas tij, duhet të përgjigjet kryetarja e Speciales. 

“Le të na tregon se në cilin shtet evropian ndodh një paraburgim deri në gjashtë vite për të akuzuarit në këtë rast për bashkëluftëtarët tanë për ish-krerët e UÇK-së pa marrë vendim final që ndodhi tashmë për gjashtë vjet kanë qenë në paraburgim. Le ta tregon se në cilën gjykatë ndërkombëtare gardiani mund të bëhet prokuror gjatë procesit. Pra mundet të kualifikohet prej gardianit në prokuror me qenë pastaj palë e kundërt në këtë proces”, ka thënë Syla.

Ligji i ndryshuar për Specialen është votuar në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit, më 6 tetor, pas insistimit të PDK-së. 

E një ditë më parë, Çlirim Haziri, udhëheqës i nismës “Jo në emrin tim” ka kërkuar nga presidentja që nëse ka vërejtje për ligjin, t’ia kthejë Kuvendit. 

Kësaj kërkese i ka reaguar shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, të martën. 

“Ende pa kaluar dy javë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, tashmë po dëgjohen kërkesa që presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Drejtësia për çlirimtarët kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, jo vetëm miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara”, ka thënë Nagavci.

Që nga e mërkura, projektligji për Specialen pret veprim nga presidentja Justina Shiroka-Pula. Ajo ka kompetencë ta dekretojë ose t’ia kthejë kuvendit. 

Mosveprimi për tetë ditë nënkupton që ligji automatikisht hyn në fuqi. 

KOHA ka kërkuar qëndrimin e presidentes qysh javën e shkuar, por nuk ka marrë përgjigje.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar në shkallë të parë më 16 shtator, ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. Ata janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.