Përfaqësues nga platforma “Liria ka emër” kanë realizuar një aksion simbolik pranë zyrave të EULEX-it, gjatë të cilit është vendosur pankarta me thirrje për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ata kanë thënë se Kosova nuk do të heshtë përballë përpjekjeve për shtrembërimin e historisë së saj
Blendina Veliqi
Me mbishkrimin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm” platforma Liria ka Emër ka vendosur të martën pankartë para hyrjes së objektit të EULEX-it në Kosovë, aty ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.
Aksioni simbolik është realizuar në mbështetje të ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të cilët janë në pritje të vendimit në rastin në të cilin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Flaka Fazlija, e cila ka folur në emër të pjesëmarrësve në aksion, ka thënë se Kosova nuk do të heshtë përballë përpjekjeve që, sipas saj, synojnë shtrembërimin e historisë.
“Nuk mund të ketë drejtësi kur lufta e një populli për liri shndërrohet pas shumë dekadash në një proces ku viktima vazhdimisht duhet të dëshmojë pafajësinë e saj… është edhe një paralajmërim demokratik se Kosova nuk do të heshtë përballë asnjë përpjekje që shtrembëron historinë e saj dhe e vendos luftën e Ushtrisë Çlirimtare në bankën e të akuzuarve”, ka thënë ajo.
Përveç aktgjykimit, Fazlija është shprehur se më 16 shtator presin edhe një përgjigje ndaj një pyetjeje shumë të madhe lidhur me kuptimin që do të marrë drejtësia atë ditë.
“A do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do ta marrë vulën e padrejtësisë, sepse në Hagë nuk janë katër emra; janë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi”, ka thënë ajo.
Më 16 shtator 2026, pritet të shpallet aktgjykimi në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Platforma Liria ka Emër vazhdimisht ka organizuar aksione dhe protesta në mbështetje të katërshes së UÇK-së.
Të shtunën në Prishtinë do të mbahet Marshi për Liri. Për këtë arsye, edhe janë anuluar shumë gara sportive të planifikuara për këtë ditë.