Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Parliament opens doors to migrants, they call for blockade to be avoided

Albulena Haxhiu

Të hënën, Kuvendi i Kosovës hapi dyert për bashkatdhetarët që po qëndrojnë në Kosovë gjatë sezonit të verës. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, potencoi nevojën e arritjes së marrëveshjes politike për formim të institucioneve. E mërgimtarët, të cilët patën mundësi të vizitojnë institucionin e të bisedojnë me deputetët, kërkuan zgjidhjen e ngërçit politik.

Të hënën, nga ora 13:00 u hapën dyert e Kuvendit të Kosovës për bashkatdhetarët.

Mërgimtarët nga vende të ndryshme u shprehën të entuziazmuar për vizitën e tyre në Parlamentin e Kosovës.

Aty patën mundësi të bisedojnë edhe me deputetë dhe me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes.

Haxhiu ka theksuar nevojën e marrëveshjes politike para vazhdimit të seancës konstituive.

Ajo tha se partitë e ish-opozitës krahas gjuajtjes me vezë ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurti, kanë pasur plane dhe për incidente të tjera.

also Kurti: We will strive every day for a political agreement, citizens want solutions, not elections EVENING NEWS Kurti: We will strive every day for a political agreement, citizens want solutions, not elections

Ndërsa vizitorët u shprehën të kënaqur për vizitën. Disa thanë se arsyeja e vizitës është edhe përcjellja e mesazhit të atdhedashurisë te fëmijët e tyre.

Ata patën edhe kritika për moszgjidhjen e ngërçit politik.

"Bllokada është shumë, nuk di si ta quaj, nëse e quaj skandaloze. Nuk ka pasur nevojë, e panevojshme të bëhet një bllokadë e tillë, kur të gjithë jemi shqiptarë, të kuptojmë të mirën e vetvetes dhe ta kemi një shtet, për të cilin do të krenohet e gjithë Evropa, të gjitha vendet e tjera. Po ndodhi kjo që ndodhi”, tha Selatin Tahiri, mërgimtar nga Gjermania. 
“E kam një emocion shumë të madh, sepse jemi Republikë e re dhe mendojmë me u zhvillu si shtet. Çdo shqiptar, pa marrë parasysh partitë politike, mendoj se çdo parti është për shtetin tonë, dhe e kisha bërë si apel. E kam marrë edhe çikën e vogël, se ardhmëria jonë veç në shtetin tonë. Edhe besoj që këto gjenerata të reja që po vijnë, me i rrit në vendin tonë", tha Ibush Ferati, mërgimtar nga Austria. 
“Kur dëgjuam për vizitë që mundemi me ardh në Kuvend, ishte kënaqësi dhe në momentin që u futëm këtu u ndieva edhe më i kënaqur që erdha. Kam bërë edhe shumë fotografi, që kur të rritet ta dijë se në çfarë etape kemi arritur deri këtu, ta gëzojmë sot, të rrimë këtu së bashku në Parlament. Skena politike aktuale, jo shumë e dëshirueshme. Ju kisha bërë apel, si qytetar i Republikës së Kosovës, që të jenë më të bashkuar", tha Arben Demaj, mërgimtar nga Gjermania. 

E Haxhiu, duke biseduar me ata që erdhën për vizitë, foli edhe për mënyrat e votimit, që sipas saj, nuk munguan asnjëherë nga mërgimtarët.

“Më vjen shumë mirë që numri i bashkatdhetarëve çdo vit është i lartë. Më vjen shumë mirë që, pavarësisht rrethanave, ju ose vini fizikisht, ose votoni në ambasada ose konsullata, ose përmes postës. E di që janë disa në Kosovë që nuk e duan që ju të jeni pjesë aktive e zhvillimeve të brendshme, por mos u dekurajoni, nuk ka kush ju ndal. Ju jeni qytetarë të Kosovës, e Kosova e ka në vazhdimësi mendjen te ju", tha Haxhiu. 

Edhe deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku, tha se duhet të ketë përfaqësim më të mirë të mërgimtarëve në Kuvend.

also After Zelensky's statement on Kosovo, Pristina removes the Ukrainian flag EVENING NEWS After Zelensky's statement on Kosovo, Pristina removes the Ukrainian flag

“Besoj që çdo aktivitet me mërgatën tonë është i rëndësishëm, është një dhe bashkërisht kemi qenë në mbështetje të vendit. Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Çdo aktivitet me mërgatën është i mirëseardhur, por duhet të ketë përfaqësim më të denjë të mërgatës edhe në Kuvendin e Kosovës", tha Lushtaku. 

Kuvendi për bashkatdhetarët do të jetë i hapur deri të mërkurën më 12 gusht nga ora 13:00 deri në 16:00.