Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Kurti to the opposition: Let's elect the president, it is unforgivable to go to the elections again

Government Meeting

Photo: Driton Pacharada

Një ditë pas marrjes së mandatit, Qeveria Kurti 4 ka mbajtur mbledhjen e parë solemne. Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga partitë opozitare që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit, tek i ka akuzuar ato për barrikadim. Në fjalimin e tij, Kurti ka shprehur pritshmërinë për lirimin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në mbledhjen e parë të Qeverisë, një ditë pasi mori mandatin, kryeministri Albin Kurti i ka akuzuar partitë opozitare për barrikadim politik dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka thënë të hënën se, ndonëse arsyetimi për bllokadën politike ka ndryshuar nga viti 2025, sipas tij, qëllimi mbetet i njëjtë.

“Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvend e qeveri. Ndërkaq, sivjet më 2026 për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot kur po flasim jemi me Kuvend të konstituuar e Qeveri të zgjedhur. Ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president”, ka thënë Kurti.

Kabineti i Kurtit mori mandatin të dielën nga Kuvendi, i cili u shpall i konstituuar, ndonëse ende nuk ka kryesi të plotë. Konstituimi u përmbyll gjithashtu pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në fund të gushtit, LVV-ja dhe LDK-ja prezantuan ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si kandidat të përbashkët për president.

Por kandidatura e tij nuk ka gjetur mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së. Për këtë çështje edhe është ankuar Kurti. Sejdiu njoftoi të hënën për tërheqjen nga kandidatura. 

“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq zgjidhjes së presidentit, sa që do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur sërish në të njëjtën pikë”, është shprehur ai.

Në fjalimin e tij të parë të mandatit të katërt, kryeministri foli edhe për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që do të kumtohet të mërkurën. 

“Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve”, ka deklaruar Kurti.

Mbledhja e së hënës kishte karakter solemn dhe gjatë saj nuk u bë e ditur marrja e ndonjë vendimi nga Qeveria.