Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Former Minister Pal Lekaj sentenced to three years and eight months in prison in retrial

Pal Lekaj

Me dhjetë vjet e tre muaj burgim janë dënuar në rigjykim katër ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në rastin e njohur si “53-milionëshi”. Ish-ministri Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, këshilltari i tij politik, me 3 vjet e 3 muaj, ndërsa ish-sekretari i Ministrisë dhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Prokurimit, me nga 1 vit e 8 muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar edhe në rigjykim ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës.

Lekaj, së bashku me tre të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si “53-milionëshi”, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahir, janë shpallur fajtorë të mërkurën për keqpërdorim të detyrës lidhur me ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Aktgjykimi është marrë me shumicë votash nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra - kryetare dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli.

“Të pandehurit Pal Lekaj i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Të pandehurit Pal Lekaj i caktohet edhe dënimi plotësues: në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike pas mbajtjes së dënimit me burgim”, ka thënë gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Këshilltari politik i Lekajt, Eset Berisha është dënuar për “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, me 3 vjet e 3 muaj burgim.

“Eset Berisha i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 3 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet nga momenti kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Të pandehurit Eset Berisha i caktohet dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 vjet pas mbajtjes së dënimit me burg”, ka thënë Namani-Hajra.

E, ish-sekretari i kësaj ministrie, Nebih Shatri dhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik, Besim Tahiri, janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim.

“Të pandehurit Besim Tahiri i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Të pandehurit Nebih Shatri i caktohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë”, ka deklaruar Namani-Hajra.

Rigjykimi ndaj tyre është mbajtur pasi, në shkurt të vitit 2025, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në pikën zero, duke e rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Edhe në gjykimin e parë, të katër të akuzuarit ishin dënuar me dënime të njëjta sikurse tash në rigjykim.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre zyrtarët e tjerë, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit”, me ç’rast buxhetit të  Kosovës i kanë shkaktuar dëm.

Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës pati ndarë 53 milionë euro shtesë për konsorciumin “Bechtel&Enka” për punimet në autostradën Prishtinë - Hani i Elezit, me arsyetimin se ekzekutivi i mëhershëm ka dështuar që t’i paguajë me rregull faturat.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin e bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare, lidhur me këtë projekt ishin: Komiteti Drejtues Ndërministror, i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit. Sipas Prokurorisë, pagesa për shumën prej 53 milionë eurosh ishte në kundërshtim të plotë me rekomandimin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit, që ishte kontraktuar nga vetë Ministria e Infrastrukturës “Hill International”.

Në rekomandimin e bërë në vitin 2017, “Hill International” pati vlerësuar se shuma e vetme që do të duhej t’i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14.7 milionë euro.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin fajësues të Themelores në Prishtinë.

“Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke dëshmuar se keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe i parasë publike duhet të ketë përgjegjësi ligjore”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Autostrada Prishtinë-Shkup e emërtuar "Arbën Xhaferi" ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Autostrada është inauguruar në vitin 2019.