Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të nisin të flasin me emra për kandidatura për president. Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën ftesës për takim, Haxhiu ka shprehur keqardhje që disa parti e refuzuan takimin. Takimin e ftuar nga ajo e refuzuan PDK, LDK, Aleanca dhe Lista Serbe
Pavarësisht refuzimit nga PDK, LDK, Aleanca dhe Lista Serbe, takimi konsultativ për çështjen e presidentit i thirrur nga U.D. e presidentit Albulena Haxhiu është mbajtur me drejtues të partive të tjera parlamentare. Pas takimit, Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të nisin diskutimet për emra konkretë për kandidaturën e presidentit të ri.
Haxhiu ka shprehur keqardhje për mungesën e të gjitha partive në këtë takim.
Ajo ka thënë se, pas qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës se pranon një president konsensual, ka ardhur koha që partitë të diskutojnë për emra konkretë për një kandidat konsensual, i cili nuk i përket asnjë partie politike.
“E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrimet e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se për të shmangur zgjedhjet e reja, çështja e presidentit duhet të trajtohet si prioritet i të gjitha partive. E ka vlerësuar gatishmërinë e LDK-së për të gjetur zgjidhje.
also
The country is heading towards elections, there is no LVV-LDK agreement for the president
“Kryetari i VV-së e përsëriti se nuk do që të ketë kandidat nga VV-ja... Uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë e tjera politike, jo të refuzojnë, sepse refuzimi s’çon në marrëveshje”, është shprehur Haxhiu.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, kryetarja e subjektit politik Guxo, Donika Gërvalla ka thënë se përgjegjësi politike është shkuarja në takime, duke shtuar se aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit. Në një postim në Facebook ka shkruar se gjithçka tjetër jashtë kësaj, është ikje nga kjo përgjegjësi dhe përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar.
“Në këtë moment, interesat partiake duhet t’i lënë vend interesit të Republikës. Marrëveshja nuk është dobësi politike. Është përgjegjësi shtetërore. Shmangia e krizës institucionale nuk është çështje e një partie, por detyrim i të gjitha subjekteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj vetë Republikës. Kush kërkon zgjidhje, nuk bën zhurmë dhe nuk i ikën tavolinës së dialogut. Kush kërkon përgjegjësi, nuk bën zhurmë dhe nuk i shmanget një takimi që mund të prodhojë marrëveshje. Dhe kush e vendos Republikën mbi interesin partiak e personal, nuk bën zhurmë dhe nuk e përdor krizën institucionale si instrument politik”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka thënë se në takimin e thirrur nga Haxhiu, u diskutua pikërisht nevoja për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale e krijuar. Sipas saj, të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, përmes propozimit të emrave konkretë për presidentin konsensual.
“Nuk kërkohet që të pajtohemi për gjithçka. Kërkohet të kemi guximin politik të gjejmë dakordimin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit”, ka shkruar ajo.
Ndonëse PDK ka refuzuar të dërgojë përfaqësuesin e saj, për takimin ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku. Ajo ka thënë se vendi ka nevojë për institucione dhe se sipas saj kriza nuk është procedurale e as rezultat i një keqkuptimi, por është e qëllimshme.
also
Haxhiu considers PDK and Alliance's refusal for consultative meeting wrong
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, është i qartë, i kristaltë, e zezë në të bardhë. Dhe aty u kërkohet të zgjedhurve të popullit, deputetëve të zgjedhur, që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, jo të fillojnë seancën, por ta përmbyllin procesin e konstituimit. Zonja Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë. Dhe e tëra çfarë e mbaj mend janë nismat ligjore që kanë përfunduar në Kushtetuese dhe kanë rezultuar me shkelje të Kushtetutës”, ka thënë Çitaku.
LDK-ja është e vetmja parti që deri më tani ka zhvilluar negociata me Kurtin, përkatësisht LVV-në, subjektin që i ka fituar zgjedhjet e qershorit të këtij viti me afro 50 për qind të votave.
LVV-ja fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.
Ditë më parë, LDK-ja njoftoi se ka hequr dorë nga marrëveshja politike dhe ka kërkuar president konsensual jopartiak.