Vepra dhe trashëgimia e artistit René Magritte janë në qendër të një ekspozite të re në Londër. Piktori belg njihej për veprat e tij surrealiste, shpesh të dallueshme menjëherë. “Magritte po rikthehet në modë. Dhe surrealizmi gjithmonë do ta ketë atë veçori që hyn e del nga moda, por tani për tani duket vërtet shumë aktual”, ka thënë kritiku i artit, Tabish Khan.
Është një botë e çuditshme e René Magritte, ku një hundë zhytet në kupën e një llulle. Kjo pikturë është një autoportret – por, sigurisht, me një kthesë të pazakontë. Artisti surrealist njihej për mënyrën se si merrte objekte të zakonshme të përditshmërisë dhe i paraqiste në një këndvështrim të papritur.
Tani, një ekspozitë e re me titullin “This Is Still Not a Pipe”, e emërtuar sipas njërës prej pikturave të tij, eksploron veprën dhe ndikimin e Magritte.
Ekspozita përfshin edhe vepra të artistëve të frymëzuar prej tij – si figura trupore prej betoni e artistes Sarah Lucas. Në ekspozitën e hapur të enjten në Londër janë rreth 50 vepra të vetë Magritte, shumë prej tyre me motivet e tij më të famshme, si kapelat “bowler” dhe mollët e gjelbra. Ato prezantohen përkrah veprave të më shumë se 40 artistëve të tjerë.

Jasper Sharp, bashkëkurator i ekspozitës, thotë se kjo është një mundësi për të eksploruar trashëgiminë e një prej figurave më të rëndësishme të surrealizmit.
“Ideja e kësaj ekspozite është të zbulojmë se çfarë ndodhi me idetë e Magritte, çfarë ndodhi me pyetjet që ai shtronte sa ishte gjallë, përmes pikturave, vizatimeve dhe skulpturave të tij; cilët artistë që punojnë sot po bëjnë të njëjtat pyetje, po ndjekin të njëjtën rrugë, nëse mund ta themi kështu. Nuk është një ekspozitë e artistëve dhe veprave që duken si Magritte. Në disa raste, deri diku janë të tilla. Por më shumë bëhet fjalë për afinitetet në mënyrën e të menduarit”, ka shpjeguar ai.
Magritte u lind në Belgjikë, por kaloi edhe disa vjet të jetës në Paris, ku u bë një prej figurave kryesore të lëvizjes surrealiste. Ai vdiq nga kanceri i pankreasit në vitin 1967, në moshën 68-vjeçare.

Ekspozita përfshin vepra që shtrihen përgjatë karrierës së tij disadekadëshe, përfshirë edhe pikturën që i ka dhënë titullin ekspozitës – “This Is Still Not a Pipe”.
“Magritte ishte shumë i interesuar për rrëshqitjen që ekziston mes një objekti që e njohim dhe paraqitjes së tij në një pikturë apo vizatim; mes asaj që shohim dhe asaj që mendojmë se po shohim, apo asaj që mendojmë se duhet të shohim; mes një fjale të shkruar në një pikturë dhe objektit që ndodhet pranë saj. Ndonjëherë përputhen, ndonjëherë jo. Ai, sigurisht, u bë shumë i famshëm për pikturën e një llulle, poshtë së cilës shkruante: ‘Kjo nuk është një llullë’”, ka thënë Sharp.
“L’Equateur” ose “Ekuatori”, përfshin disa prej subjekteve të zakonshme të Magritte – perde, zogj dhe një sferë misterioze. Piktura mori një rol të veçantë në veprën e një regjisori të njohur të Hollywoodit, i cili njihet për dashurinë e tij ndaj surrealizmit.
“Hera e fundit që kjo vepër u pa nuk ishte në një ekspozitë, por në sallat e kinemasë. Kjo pikturë u përfshi në filmin më të fundit të regjisorit Wes Anderson, ‘The Phoenician Scheme’. Ajo ishte pjesë e koleksionit të artit të personazhit kryesor, Zsa Zsa Korda, një koleksion imagjinar, por në fakt i realizuar me vepra reale. Personazhin e luante Benicio del Toro. Pra, kjo pikturë ishte në sheshxhirim, e shoqëruar nga një konservator me masa sigurie dhe transport të nivelit të lartë. Ajo u huazua nga një koleksionist privat në Berlin, shumë pranë studiove të filmit në Babelsberg, ku Wes realizoi xhirimet. Më pas, piktura i është premtuar një muzeu në Berlin, ndaj jemi me fat që e kemi këtu”, ka deklaruar bashkëkuratori i ekspozitës.

Edhe pse artisti ka vdekur para pothuajse 60 vjetëve, trashëgimia e tij vazhdon të jetë e gjallë.
Artistë të tjerë kanë rikthyer në veprat e tyre disa prej motiveve më të njohura të tij, si molla në pikturën e vitit 2009 të George Condos, “The Apple Picker”.
“Mendoj se po shohim një rikthim të surrealizmit. Nëse shikoni shumë prej artistëve të rinj të ditëve të sotme, edhe ata po pikturojnë në një stil surrealist. Dhe mendoj se kjo ndodh sepse këta trendë rikthehen. Gjithashtu, mendoj se po shohim një rikthim drejt pikturës më figurative, që është gjithashtu diçka në të cilën Magritte ishte i specializuar. Pra, mendoj se Magritte po rikthehet në modë. Dhe surrealizmi gjithmonë do ta ketë atë veçori që hyn e del nga moda, por tani për tani duket vërtet shumë aktual”, ka thënë kritiku i artit Tabish Khan.
Ekspozita “This Is Still Not a Pipe: The Afterlife of Magritte” do të qëndrojë e hapur në galerinë “Gagosian” në Londër, deri më 12 dhjetor.