“Shame and Money” paraqet rrëfimin kinematografik që flet për sfidat e një kryefamiljari, kryesisht të qetë dhe me dinjitet të fortë, por që gjithçka mund të lëkundet kur bëhet fjalë për familjen e tij. Në natën përmbyllëse të “PriFest” kur janë ndarë çmimet, filmi ka marrë trofeun kryesor të festivalit duke qenë në kategorinë e filmave ballkanikë me metrazh të gjatë – çmimin “Vjosa Berisha”, të emërtuar me emrin e producentes së ndjerë dhe themelueses së festivalit
Për herë të parë, “Shame and Money” e ka shpalosur rrëfimin e tij në vendin prej nga buron. Filmi nën regji dhe skenar të Visar Morinës është shfaqur në Kosovë në kuadër të edicionit të 18-të të “PriFest”. Paraqet rrëfimin kinematografik që flet për sfidat e një kryefamiljari, kryesisht të qetë dhe me dinjitet të fortë, por që gjithçka mund të lëkundet kur bëhet fjalë për familjen e tij.
Në natën përmbyllëse, kur janë ndarë çmimet, filmi ka marrë trofeun kryesor të festivalit, duke qenë në kategorinë e filmave ballkanikë me metrazh të gjatë – çmimin “Vjosa Berisha”, të emërtuar sipas producentes së ndjerë.
Kthimi i rrëfimit aty ku ka nisur ka pasur një peshë të veçantë për Morinën. I lindur në vendin ku është vendosur rrëfimi, regjisori e ka parë filmin me tjetër ndjesi bashkë me publikun në “Kino Armata” në Prishtinë, pas rrugëtimit që ka nisur në festivale ndërkombëtare dhe që është kurorëzuar me çmimin e Madh të Jurisë në “Sundance Film Festival”, ku filmi pati premierën botërore, në fillim të këtij viti.
“Shame and Money” e ka marrë kështu edhe biletën direkte për t’u konsideruar si kandidat zyrtar për nominim në edicionin e 99-të të “Academy Awards”. Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës, Gjermanisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës, ndërsa Morina e ka shkruar skenarin bashkë me Doruntina Bashën.
Përtej çmimeve dhe rrugëtimit në festivale, përballja e parë me publikun nga Kosova ka pasur dimension tjetër për ekipin e filmit.
Regjisori Morina ka treguar se pritja e kësaj shfaqjeje ka qenë shoqëruar me një lloj tensioni, pikërisht sepse për herë të parë filmi është parë në vendin ku zhvillohet rrëfimi dhe në gjuhën që ai e përdor.
“Kam qenë i stresuar duke qenë se është hera e parë që filmi shfaqet këtu. Gjithashtu që gjuha po kuptohet për herë të parë. Mu duk që u prit mirë dhe jam shumë i kënaqur me këtë”, ka thënë Morina.
Ai ka treguar se vlerësimi i marrë në Kosovë ka domethënie të veçantë, sidomos për faktin se prej një kohe të gjatë jeton jashtë vendit.
“Është çmimi i parë që kam marrë në Kosovë. Jetoj qe një kohë të gjatë jashtë Kosovës dhe është vlerësim i veçantë nëse njerëzit e vendit nga i cili vjen filmi e vlerësojnë atë. Jam rritur në Kosovë, kështu që është ndjenjë e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Morina ka treguar se lidhja e filmit me Kosovën nuk është vetëm ajo e një historie të vendosur në këtë hapësirë, por edhe personale. Ai është rritur në fshatin Çiktovë e Vjetër të Drenasit, për të cilin flet filmi, ndërsa boshatisja e tij është bërë prej pikave nga të cilat ka marrë jetë rrëfimi.
“Unë jam rritur në fshatin për të cilin flitet në film dhe fshati është boshatisur gati. Nuk është i vetmi. Është për një familje që është në kërkim të një vendi në shoqëri dhe lidhet edhe me njerëzit në Kosovë, edhe për ata jashtë Kosovës”, ka treguar regjisori.
Në qendër të “Shame and Money” është Shabani, kryefamiljari tradicional dhe krenar, të cilin e luan Astrit Kabashi. Ai përballet me një realitet ekonomik që e detyron të përdorë kursimet e nënës për ta mbajtur familjen në këmbë. Krenaria e tij, që në fillim është një prej shtyllave të identitetit, nis të vihet vazhdimisht në pikëpyetje, ndërsa dinjiteti i tij fillon të rrëshqasë nën peshën e rrethanave.
Roli i Kabashit e drejton filmin drejt një prej konflikteve kryesore të tij: zgjedhjes mes krenarisë dhe mbijetesës. Shabani është një njeri që dëshiron të punojë dhe të jetojë me ndershmëri, por rrethanat e shtyjnë drejt situatave ku morali, dinjiteti dhe nevoja për të siguruar familjen përplasen vazhdimisht.
Problemet financiare shfaqen që në fillim, kur vëllai Liridoni kërkon para për të ikur jashtë vendit dhe për të punuar atje. Kur kushëriri i tij largohet bashkë me Liridonin, ai vjedh bagëtinë që deri atëherë kanë qenë burim kryesor i mbijetesës. Zhvendosja drejt qytetit e çon familjen në kërkim të një jete tjetër, por alternativat janë të pakta dhe puna që gjejnë nuk mjafton.
Rrëfimi e ndjek Shabanin në këtë zbritje graduale ekonomike dhe psikologjike. Familja detyrohet ta lërë apartamentin me qira dhe të vendoset në një hapësirë që i ngjan një lloj depoje, ndërsa ai përballet edhe me paragjykime për punët që bën. Në një realitet ku “marrja është luks”, siç artikulohet në film, përpjekja për të mbijetuar në mënyrë të ndershme bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Situata e rënduar ndikon edhe në gjendjen psikologjike të kryepersonazhit. Nga konfliktet e vogla dhe përplasjet e përditshme, rrëfimi shkon drejt një pike ekstreme, ai sheh ëndërr se vret një person që e kishte punësuar atë në shtëpinë e tij. Varfëria e shpërfytyron, por s’ia prek dinjitetin. S’trajtohet mirë nga baxhanaku Albani (Alban Ukaj).
Filmi e çon deri në fund krizën e një burri që përpiqet të ruajë njëkohësisht familjen, moralin dhe imazhin e tij, ndërsa rrethanat ia bëjnë gjithnjë e më të pamundur këtë.
Në këtë rrugëtim, këngët popullore bëhen një element që e shoqëron filmin dhe i japin rrëfimit një shtresë tjetër identitare.
Përkrah Kabashit, në kastën e filmit janë Flonja Kodheli në rolin e Hatixhes, gruas së Shabanit, ndërsa në role të tjera luajnë Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj. Kastën e plotësojnë Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Eshref Durmishi dhe Besnik Krapi.
Për Astrit Kabashin, përballja me publikun në Kosovë ka qenë e ndryshme nga çdo shfaqje tjetër e filmit. Ai ka treguar se xhirimet kanë qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm, ndërsa roli i Shabanit ka kërkuar një angazhim të veçantë.
“Ka qenë proces goxha i gjatë, i mundimshëm. Diku 42 ditë kemi xhiruar, prej tyre unë 40. Kur e sheh sonte sesi e ka pritur publiku, në të gjitha ato festivale në të cilat ka kaluar, e sheh se ia ka vlejtur gjithë ai mund. Por sonte ndjenja është komplet tjetër, është e veçantë, sepse je para njerëzve të tu”, ka thënë Kabashi.
Ai ka treguar se sfida kryesore e karakterit ka qenë pikërisht ruajtja e dinjitetit në një realitet ku gjithçka përreth personazhit e shtyn drejt kompromisit.
“Është dinjiteti që ai njeri duhet ta ruajë, por nganjëherë ka shumë kontradikta sepse duhet të mendojë për njerëzit e tij më të dashur. Kjo ka qenë pjesa më sfiduese e karakterit. Është një njeri që punon pa hile, por në momentin që gjendet në rrethana komplet tjera, fillon të politizohet ai sepse sheh që nuk i shkon si në katund”, ka treguar Kabashi.
Pikërisht ky tension midis njeriut që Shabani dëshiron të jetë dhe atij që rrethanat e detyrojnë të bëhet, e mban të gjallë konfliktin e filmit.
Kabashi ka treguar se shfaqja në Kosovë ka qenë edhe emocionalisht më e fortë, veçanërisht për shkak të pranisë së familjes së tij.
“Këtu jam ndier shumë më i emocionuar. Ishte shumë emocionues për mua momenti kur dola të përshëndetem. Pastaj pashë fëmijët e mi në publik që e kanë parë filmin për herë të parë. M’u kujtuan fëmijët që kam pasur në xhirim. Ka qenë shumë emocionuese, mu duk që u prit shumë mirë dhe kjo është kënaqësia më e madhe”, ka thënë ai.
Emocioni i natës përmbyllëse të Festivalit është shoqëruar edhe me vlerësimin e jurisë së “PriFestit”. Kabashi është shpallur Aktori më i Mirë për rolin e Shabanit, ndërsa çmimin ia ka dedikuar bashkëshortes së tij.
Për “Shame and Money”, shfaqja në PriFest ka qenë ndalesë e rëndësishme, por jo përfundimi i rrugëtimit. Pas premierës botërore në “Sundance”, ku ka marrë Çmimin e Madh të Jurisë, filmi ka vazhduar rrugën në festivale ndërkombëtare dhe tash do të kalojë edhe te publiku në Kosovë.
Regjisori Morina ka bërë të ditur se filmi do të nisë shfaqjen në kinema nga 25 shtatori, në qytete të ndryshme, përpara se të vazhdojë rrugëtimin në festivale.
Filmi që ka nisur rrugëtimin ndërkombëtar me një histori të rrënjosur në një fshat të Kosovës, është kthyer në vendin ku ajo histori buron. Për Morinën, ky rikthim ka pasur peshën e një vlerësimi të dyfishtë: filmi jo vetëm është parë nga ata që e njohin nga afër realitetin që ai rrëfen, por edhe është shpërblyer me trofeun që mban emrin e Vjosa Berishës.
Për drejtorin e “PriFest”, Fatos Berisha, prania e “Shame and Money” në krye të garës është pjesë e një tabloje më të gjerë të edicionit të sivjetmë. Ai ka treguar se të gjashtë filmat e metrazhit të gjatë në konkurrencë kanë qenë ose filma të Kosovës ose bashkëprodhime ku Kosova ka qenë pjesë përbërëse.
“Ka qenë një program i jashtëzakonshëm, jo pse është i yni. Për ne është fantastike që të gjashtë filmat e metrazhit të gjatë që kanë qenë në konkurrencë kanë qenë ose të Kosovës ose bashkëprodhime. Pra, Kosova ka qenë pjesë përbërëse në të gjashtit. Kjo nuk na ka ndodhur asnjëherë dhe ata janë këtu sepse janë të mirë, jo pse janë të Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ai ka treguar se edhe interesimi i publikut ka qenë i madh, sidomos në shfaqjet e mbrëmjes, duke vlerësuar se pothuajse të gjitha shfaqjet kanë qenë të mbushura.
Rrëfimi për Shabanin, sfidat e përditshme të tij dhe kalimi e tentimet për t’u përshtatur në një botë krejt tjetër tashmë ka nisur një tjetër fazë të udhëtimit. Atë në kinematë e vendit ku filmi do të shfaqet nga 25 shtatori, përpara se të vazhdojë sërish rrugën e tij në festivale ndërkombëtare.