Support TIME. Preserve the truth.
Culture

"Romeo and Juliet" in the missing conflict facing today

Romeo and Juliet

“Romeo dhe Xhuljeta” është histori që dihet fillim e fund. Çka mbetet është se në çfarë koncepti dhe në çfarë “matematike teatrore” vjen

“Koncepti im është gjetja e një konflikti që i mungon Shakespeareit”, ka thënë regjisori Ilir Bokshi, i cili ka marrë përsipër që në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës ta rikthejë “Romeo dhe Xhulietën” si një produksion madhor. Shfaqja është në “konflikt” edhe me hapësirën ku është inskenuar, por zgjidhjet regjisoriale i lënë deri diku në hije. Ngjarja e mesjetës i flet të sotmes nëpërmjet kësaj kryevepre e cila në skenën teatrore të Kosovës vjen si freski përkundër kushteve

Armiqësia veçse është evidente. Por asaj i shtohet hovi nga një lojë futbolli. Qysh në minutat e parë lexohet një intervenim për t’i dhënë pak frymë bashkëkohore një ngjarjeje të mesjetës. Ashtu siç është bërë edhe me poster. 

“Romeo dhe Xhuljeta” është histori që dihet fillim e fund. Çka mbetet është në çfarë koncepti dhe në çfarë “matematike teatrore” vjen. Shfaqja e dhënë premierë të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Ilir Bokshit, merr frymë në një ambient të ngushtë. Por me një pikëpamje që, pavarësisht se ka limite shkaku i kushteve skenike, i kalon deri diku barrierat. Në rreth tre orë, me një pushim në mes, komedia e tragjedia e William Shakespeareit, në 410-vjetorin e vdekjes së tij, merr ngjyra moderne.

Në Veronë dy familje, Kapuletët dhe Montagët, s’shkojnë mirë. Të rinjtë e tyre kanë ëndrra adoleshentësh, por edhe një armiqësi që u shtresohet ditë pas dite. Ana e komedisë e bën publikun që të qeshë me të madhe. Ylber Bardhi në rolin e priftit është “piperi” i kësaj pikëpamjeje. Me 25 aktorë në skenë ku koreografia e Robert Nuhës ka peshën e vet, dhe me skenografi të Petrit Bakallit, në shfaqje skenat janë të shpeshta. E skenografia mobile i përgjigjet ngjarjes e vendit ku inskenohet.
Një festë e Kapuletëve i bën “nikoqirllëk” edhe Romeos së Montagëve. E këtu hyn në lojë romantikja. Ai takohet me Xhuljetën. Dy kryepersonazhet, që portretizohen nga Valmir Krasniqi e Qëndresa Jashari, janë të rinj dhe bien në dashuri shumë shpejt. S’u bën përshtypje më armiqësia. Xhuljeta s’është as 14 vjeçe. Dhe Qëndresa Jashari ia jep edhe nuancat e një adoleshenteje. Siç ngjan shpesh pas dy-tri reprizave, rolet “piqen” edhe më tej. E pritshme për krejt kastën edhe në këtë rast. Në premierë, disa sosh kanë qenë pak më të zbehta sesa në provat përfundimtare. Takimi në ballkonin e familjes së Montagëve i përgjigjet atyre premtimeve rinore për dashuri të përjetshme. Pason martesa e fshehtë në kishë. Janë skena ku dashuria e bota e adoleshentëve i bëjnë të lezetshme. Muzika e Memli Kelmendit, me tone të kohës kur paraqitet ngjarja, i përgjigjet dhe e plotëson shfaqjen, njashtu sikurse kostumet e Njomëza Lucit.

Thuhet se Shakespeare e ka nisur ta shkruajë si komedi dhe në punë e sipër ka dalë në tragjedi. Atë frymë e ka ruajtur edhe shfaqja

Tragjedia nis të marrë formë kur, në një përplasje midis Merkutit të Montagëve dhe Tibaltit të Kapuletëve, kushëriri i Romeos vritet. I vritet Romeos në dorë pasi ai hyn që t’i ndajë, i ndikuar edhe nga dashuria ndaj Xhuljetës. E në këtë rast Romeo harron veten dhe vret Tibaltin. Dënohet me dëbim. Këtu rruga e dyshes së dashuruar bëhet e rëndë. Prindërit e Xhuljetës vendosin që atë ta martojnë me një princ. Ana tragjike veçse merr formë edhe më. Ideja e priftit që ajo, nëpërmjet një bari, të duket si e vdekur s’finalizohet, pasi prijësi fetar dështon ta njoftojë Romeon për planin. Ai kthehet te varrezat, rrëfehet para trupit të Xhuljetës dhe pi helm në emër të dashurisë. Më pas zgjohet Xhuljeta, që po në emër të dashurisë vret veten me thikën e Romeos. Dyshja këto skena i luan me goxha delikatesë. Amfiteatri i Pallatit të Sportit dhe Rinisë, që përdoret aktualisht nga Teatri Kombëtar i Kosovës, është “zgjeruar” me efekte që i japin edhe pamjen e Veronës.

“Kjo sallë e Amfiteatrit vërtet nuk është shumë e favorshme për shfaqje të mëdha, pasi e ka një hapje shumë të keqe. Por, duke i ditur problemet e skenës, kemi ardhur te ky koncept i skenografisë mobile dhe te ndërrimi i skenave në formë mobile”, ka thënë regjisori Ilir Bokshi. Ka treguar se është munduar ta gjejë një konflikt që mungon. Ia ka dalë. Nganjëherë duket sikur, në emër të interaktivitetit, janë krijuar disa rrëmuja që s’çojnë peshë, si ajo me lëvizjen e vazhdueshme të skenografisë në dyluftimin midis Romeos dhe princit që pretendonte martesë me Xhuljetën.

“Koncepti im është gjetja e një konflikti që i mungon Shakespeareit. Ai nuk flet për konfliktin midis Kapuletëve dhe Montagëve. Besoj që e kemi gjetur dhe ka funksionuar, që është për shkak të tifozllëkut, futbollit dhe asaj që përjetojmë sot. Kemi dashur të tregojmë një dashuri të vërtetë ose një ide se si mund të duhen fëmijët. Vetëm ata mund të duan deri në vdekje, pasi ne të rriturit kemi barriera dhe nuk vdesim për njëri-tjetrin. Është diçka shumë poetike dhe një ndër veprat më romantike që është shkruar ndonjëherë”, ka thënë ai. Prekja me modernen i jep kontekst bashkëkohor shfaqjes. Njësoj sikurse ajo që dihet në krye të herës, se të rinjtë janë ata që sakrifikohen më lehtë sesa moshat e tjera në emër të dashurisë. Ekipi i ka qëndruar besnik goxha tekstit. Bashkë me rimat që janë në përkthim.

“Pos shkurtimit të tekstit, pak përshtatjes dhe disa gjetjeve s’kemi bërë ndërhyrje të tjera. Është vepra e vetme e Shakespeares që fillon me komedi dhe përfundon me tragjedi. Është eksperiment që e ka bërë Shakespeare dhe, për fat, ka mbërritur deri te ne dhe na jep mundësinë që të flasim për komedi, romancë e tragjedi brenda së njëjtës vepër”, ka thënë Bokshi.

“Romeo dhe Xhuljeta” e TKK-së ia del që të kthejë në skenë një produksion të madh. Aso që u rri karshi shfaqjeve që hyjnë te realizimet e mira në ditët e sotme

Valmir Krasniqi, aktor në perspektivë, sikurse Qëndresa Jashari, ka thënë se, falë krejt bashkëpunëtorëve, ka mundur të jetë një Romeo siç ka dëshiruar.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme për një aktor ta ketë fatin ta luajë Romeon. Të gjithë aktorët e duan Shakespearein, kanë dëshirë t’i luajnë dramat e tij, e të mos flasim për role kryesore, siç është Romeo, që është kryerol për karrierën e një aktori. Unë mendoj se Romeo është shumë aktual. Të gjithë kemi qenë Romeo në një fazë të caktuar të jetës, kur kemi pasur gjakun e nxehtë, kur kemi qenë të rinj, gjithmonë kemi besuar se po duam më së shumti në botë. Këtë ndjenjë e ka edhe Romeo dhe shpresoj që këtë ndjenjë e kemi përçuar edhe te publiku”, ka thënë ai.

“Romeo dhe Xhuljeta” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që si kosto shkon në prag të 75 mijë eurove, bashkon komedinë, romantiken e tragjedinë. Thuhet se Shakespeare e ka nisur ta shkruajë si komedi dhe në punë e sipër ka dalë në tragjedi. Atë frymë e ka ruajtur edhe shfaqja. Kasti, që pos dyshes në role kryesore përbëhet edhe nga Edona Reshitaj, Ylber Bardhi, Teuta Krasniqi, Eshref Durmishi, Veton Osmani, Blin Mani, Edlir Gashi, Labinot Rraci, Gani Rrahmani, Shpejtim Kastrati, Florie Bajoku, Alban Goranci, Elton Tahiri, Rrezon Zhinipotoku, Erza Sejdiu, Ergjan Mehmeti, Etnike Bogaj, Erina Sahiti, Aurora Hyseni, Elsa Belegu, Lis Maliqi, Erëza Osmani dhe Medin Beqiri, ka edhe aktorë që janë pjesë e ansamblit rezident të institucionit e rrallë shihen në skenë. Janë veç barrë financiare e TKK-së. E dëshmojnë këtë edhe te “Romeo dhe Xhuljeta”. Siç është bërë zakon kohëve të fundit, shumë anëtarë të komunitetit artistik hezitojnë të japin mendim për punën e kolegëve të tyre. Por “Romeo dhe Xhuljeta” e TKK-së ia del që të kthejë në skenë një produksion të madh. Aso që u rri karshi shfaqjeve që hyjnë te realizimet e mira në ditët e sotme.