Support TIME. Preserve the truth.
Culture

The Korça Orchestra in Pristina writes history through sounds

Me koncertin e Orkestrës Simfonike të Korçës, përtej vizitave të ndërsjella me Filharmoninë e Kosovës, është krijuar mundësia që publiku i dy vendeve të njihet me tradita dhe repertorë të ndryshëm muzikorë

Me koncertin e Orkestrës Simfonike të Korçës, përtej vizitave të ndërsjella me Filharmoninë e Kosovës, është krijuar mundësia që publiku i dy vendeve të njihet me tradita dhe repertorë të ndryshëm muzikorë

Një rrugëtim nëpër traditën muzikore shqiptare është harmonizuar me vepra të repertorit klasik botëror në koncertin e Orkestrës Simfonike të Korçës, i cili ka peshë të shumëfishtë historike. Përveç që ka hapur thesaret e muzikës shqipe të cilat shkruajnë në tinguj të bëmat e heronjve, koncerti ka qenë historik si i pari në Prishtinë i këtij formacioni. Konkretizon edhe “dialogun” me Filharmoninë e Kosovës

Orkestra Simfonike e Korçës ka debutuar para publikut në Prishtinë, me koncert në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Muzika shqiptare është ndërthurur me krijimtarinë klasike evropiane. Nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli, programi ka sjellë vepra të Çesk Zadesë, Feim Ibrahimit dhe Thoma Gaqit, krahas kompozimeve si Mozart, Mascagni, Brahms dhe Dvořák.

Koncerti ka shënuar hap shkëmbimi kulturor ndërmjet Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike të Korçës, pas paraqitjes së Filarmonisë së Kosovës në Korçë, në maj të këtij viti. Në këtë shkëmbim, përtej vizitave të ndërsjella të dy formacioneve, është krijuar mundësia që publiku i dy vendeve të njihet me tradita dhe repertorë të ndryshëm muzikorë.

Dirigjenti dhe kompozitori, Baki Jashari, i cili në maj kishte drejtuar koncertin e Filarmonisë së Kosovës në Korçë, ka thënë se paraqitja e orkestrës nga qyteti shqiptar në Prishtinë është vazhdim i një bashkëpunimi që i afron dy institucionet.

“Jam shumë i kënaqur që Orkestra Simfonike e Korçës u prezantua në Prishtinë. Në muajin maj, Filarmonia e Kosovës ishte mysafire në Korçë, ku unë pata rastin të jem dirigjent i koncertit. Kjo vizitë e sotme është pjesë e një bashkëpunimi të ndërsjellë, përmes të cilit të dyja institucionet shkëmbejnë koncerte. Kësaj here ishte radha e Orkestrës së Korçës të prezantohej para publikut në Prishtinë”, ka thënë Jashari.

Nëpërmjet koncertit në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Orkestra Simfonike e Korçës ka sjellë në Prishtinë programin që bashkon trashëgiminë muzikore shqiptare me repertorin klasik evropian

Programi është hapur me suitën simfonike “Skënderbeu” të Çesk Zadesë, një vepër që e ka sjellë në skenë figurën historike të heroit kombëtar përmes shtrirjes muzikore me kontraste të theksuara. Që në fillim, tingujt janë zhvilluar me vrull dhe tension, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm nga instrumentistët. Pas kësaj ngritjeje energjike, muzika ka zbritur në atmosferë më melankolike, për t’u ngritur sërish drejt kulmeve, në një rrjedhë që ka kërkuar përqendrim dhe energji nga i gjithë formacioni.

Pas veprës së Zadesë, programi ka vijuar me suitën simfonike nga baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” të Feim Ibrahimit. Kjo vepër ka sjellë tjetër dimension të muzikës shqiptare, me një motiv që nis në mënyrë më të përmbajtur dhe gradualisht bëhet më intensiv. Elemente të vallëzimit tradicional janë ndërthurur me tinguj harmonikë, duke krijuar rrjedhën ku ritmi dhe motivet muzikore zhvillohen e marrin intensitet përgjatë interpretimit.

Për Jasharin, prania e veprave të kompozitorëve shqiptarë në program ka pasur rëndësi të veçantë, veçanërisht për mundësinë që ato të dëgjohen në kontekstin e një koncerti që përfshin edhe repertorin klasik ndërkombëtar.

“Programi ishte pikërisht ashtu siç e kisha pritur. Duke qenë se bëhet fjalë për një orkestër joprofesionale, të përbërë nga dashamirë të muzikës dhe instrumentistë, disa prej të cilëve luajnë edhe në orkestra profesionale, duhet pasur parasysh se koncepti i saj dallon nga ai i formacioneve që punojnë çdo ditë, siç është Filarmonia e Kosovës. Prandaj, e vlerësoj shumë këtë aktivitet dhe i përgëzoj muzikantët për mundin”, ka thënë ai.

Jashari ka vënë në pak edhe rëndësinë e veprave shqiptare të krijuara në periudha të caktuara historike, përfshirë ato të kohës së realizmit socialist, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë edhe kërkesat e kohës dhe sistemit në të cilin janë shkruar.

Dirigjenti dhe udhëheqësi i Orkestrës Simfonike të Korçës, Petrika Afezolli, ka thënë se vizita e parë e formacionit në Prishtinë është menduar jo vetëm si përgjigje ndaj mikpritjes së Filarmonisë së Kosovës në Korçë, por edhe si mundësi për të përcjellë mesazhin e afërsisë historike e kulturore

Krahas dy suitave simfonike, publiku ka dëgjuar edhe “Valle shqiptare nr. 2” të Thoma Gaqit, e cila e ka sjellë në program frymën e vallëzimit shqiptar. Programi është plotësuar me vepra të Wolfgang Amadeus Mozartit, Pietro Mascagnit, Johannes Brahmsit dhe Antonín Dvořákut, duke kaluar nga muzika e kompozitorëve shqiptarë në gjuhë të ndryshme të traditës klasike evropiane.

Janë interpretuar uvertura e operës “Don Giovanni” si dhe ajo e “Flautit magjik” të Mozartit, “Valle hungareze nr.1” dhe “Valle hungareze nr.6” të Brahms, intermexo nga opera “Miku Fritz” nga Mascagni si dhe “Valle nr.2” dhe “Valle nr. 8” nga Dvořák.

Dirigjenti dhe udhëheqësi i Orkestrës Simfonike të Korçës, Petrika Afezolli, ka thënë se vizita e parë e formacionit në Prishtinë është menduar jo vetëm si përgjigje ndaj mikpritjes së Filarmonisë së Kosovës në Korçë, por edhe si mundësi për të përcjellë mesazhin e afërsisë historike e kulturore.

“Për ne ishte një kënaqësi e veçantë që erdhëm për herë të parë në Prishtinë, në kuadër të bashkëpunimit me Filarmoninë e Kosovës. Në muajin maj, orkestra e Filarmonisë së Kosovës ishte mysafire në Korçë dhe mbajti një koncert me shumë cilësi e dinjitet artistik. Me koncertin tonë në Prishtinë, ne po ia kthejmë vizitën, si shenjë e bashkëpunimit”, ka thënë Afezolli.

Ai ka treguar se përzgjedhja e programit është bërë me kujdes, duke marrë parasysh edhe domethënien historike të vizitës.

“Kur morëm informacionin se do të vinim në Kosovë, rreth dy muaj më parë, e pamë këtë vizitë edhe në një rrafsh historik. E kemi ndjekur dhe përjetuar historinë e Kosovës, ndaj mesazhi ynë i parë ishte se jemi bashkë”, ka thënë ai.

Afezolli ka veçuar edhe veprat që evokojnë figurën e Skënderbeut dhe simbolet e historisë së përbashkët, duke i dhënë programit një dimension që shkon përtej interpretimit muzikor.

Me koncertin në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Orkestra Simfonike e Korçës ka sjellë në Prishtinë programin që bashkon trashëgiminë muzikore shqiptare me repertorin klasik evropian.