Support TIME. Preserve the truth.
Culture

"A wall separates us..." gives life to love as a weapon in war

Letters exchanged between Xhevë Krasniqi-Lladrovci and Fehmi Lladrovci

Letrat e shkëmbyera midis Xhevë Krasniqi-Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit kanë marrë vëmendjen kryesore në “Një zog me krah prej guri”. Ekspozimi i letrave të çiftit që u vra duke luftuar në kuadër të UÇK-së më 1998 vjen bashkë me eksponate të tjera, ku bën pjesë edhe një kostum i Xhevë Krasniqi-Lladrovcit

“Një mur na ndan – Xheva” në “Reporting House” me letrat e çiftit Xhevë e Fahmi Lladrovci, është një kapitull unik që në Prishtinë vjen bashkë me ekspozitën “Një zog me krah prej guri”, që është projekt ndërkombëtar. Ekspozimi i letrave nuk shpaloset veç si rrëfim intim. Aty portretizohen dy figura idealistësh për lirinë e Kosovës dhe dashuria edhe si armë në luftë

Është një histori gati krejt e panjohur. Prek thellë formimin e dy dëshmorëve: Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci. Letërkëmbimi i tyre në periudhën 1985-1990 përthekon portretet, ndjenjat ndaj njëri-tjetrit dhe idealet që i formësonin çdo ditë për lirinë e Kosovës.

“Një mur na ndan – Xheva” në “Reporting House” në Prishtinë vjen bashkë me ekspozitën “Një zog me krah prej guri”, që është projekt ndërkombëtar.

Ekspozimi i letrave të çiftit që u vra duke luftuar në kuadër të UÇK-së më 1998 vjen bashkë me eksponate të tjera, ku bën pjesë edhe një kostum i Xhevë Krasniqi-Lladrovcit. Ai i ditës kur, veçse simbolikisht, u bë nuse në familjen Lladrovci, pasi të fejuarin e kishte në burg. Është kostum me të kuqen e rezistencës. Rezistencë kërkojnë edhe veprat e ekspozitës “Një zog me krah prej guri”, ku artistë vendas e të huaj janë bashkuar brenda konceptit të titulluar “Antifashizëm: Tani”.

Derisa komunikimi i çiftit tregonte frymën kundër fashizmit të pushtetit serb në Kosovë, artistët, në anën tjetër, nëpërmjet veprave në “Reporting House” dhe në muzeun e ish-Burgut të Prishtinës, “Burgu i idealit”, kanë një thirrje ndërkombëtare për ndaljen e gjuhës së urrejtjes e deri te zbutja e gjakrave në luftërat që po zhvillohen aktualisht dhe në ato që potencialisht mund të ndizen.

Derisa komunikimi i çiftit tregonte frymën kundër fashizmit të pushtetit serb në Kosovë, artistët, në anën tjetër, nëpërmjet veprave në “Reporting House” dhe në muzeun e ish-Burgut të Prishtinës, “Burgu i idealit”, kanë një thirrje ndërkombëtare për ndaljen e gjuhës së urrejtjes e deri te zbutja e gjakrave në luftërat që po zhvillohen aktualisht

Gazmend Ejupi, i cili është bashkëkurator i kapitullit të Prishtinës për ekspozitën ndërkombëtare, ka thënë se paraprakisht, në kapitullin e mbajtur në Munih të Gjermanisë, “Reporting House” ka dërguar tri vepra të tre artistëve. “Antifashizmi: Tani”, e organizuar nga “Lothringer 13 Hall” në bashkëpunim me “Reporting House” dhe Bienalen e Prishtinës, sipas Ejupit, vjen jo vetëm me një kuptim të drejtpërdrejtë.

“Antifashizmi nuk është kuptim i drejtpërdrejtë, e rrok gjerë. Qëllimi i ekspozitës është shumë i rëndësishëm, pasi unë jam i bindur se koncepti ‘Antifashizëm’ do të jetë një prej lëvizjeve më të rëndësishme të artit në 20 vjetët e ardhshme. Udhëtimet që do t’i ketë në Ballkan e më tej, besoj se do të marrin me vete shumë artistë, gazetarë, hulumtues në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ekspozita bashkon artistë si Blerta Haziraj, Ana Morina, Vigan Nimani, Fatmir Mustafa Karllo, Zef Shoshi me kolektivin “MANIFESTO”, Armando Lulaj, “Office for Postartistic Services” me Kemil Bekteši, “Error 417” me Alexey Borskin e “Rojava Center for Democratic Technologies”, Stefanos Levidis, Igor Grubić e të tjerë.

Vepra e Zef Shoshit me kolektivin “MANIFESTO” qëndron në “Reporting House”. Është aso tabloje e plotë e realizmit socialist që qëndron mbi një kafkë. Kokat që ishin viktima të asaj mendësie.

Kalas Liebfried, iniciator dhe drejtor artistik i projektit “Antifashizmi: Tani”, ka thënë se nuk bëhet fjalë për diçka që është thjesht ekspozitë. Sipas tij, projekti do të prekë 30 qytete të ndryshme të Evropës.

“Ky është kapitulli i parë pas Gjermanisë. Kemi nisur në Prishtinë, por do të vazhdojmë më pas në Ballkan e pastaj në Poloni, Turqi, Ukrainë...”, ka thënë Liebfried. Sipas tij, urgjenca që adreson “Reporting House” me qasjen gazetareske është prej më të fortave të kohës sonë.

“Vitin e kaluar kam bërë një hulumtim për gjashtë javë në Ballkan. Dhe kam menduar se këtu është vendi për të filluar, pasi historia e freskët është këtu. Projekti ‘Antifashizmi: Tani’ merret pikërisht me këto tema. Te burgu kemi pjesën më të madhe të veprave. Atje kemi artistë lokalë e edhe të tjerë. Është një vend shumë special”, ka thënë ai.

Por të enjten, letrat e shkëmbyera midis Xhevë Krasniqi-Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit kanë marrë vëmendjen kryesore.

“I shtrenjti Fehmi, mora letrën e datës 1 janar me lulet më të bukura që di t’i zgjedhësh vetëm ti për mua, Fehmi. Posa mora letrën, ndjeva me vrull të rrahurat e zemrës. Shkova shpejt në dhomën time. Vërtet, sikur më mbaje në kraharor, aq shumë e ndiej përqafimin tënd, ngrohtësinë e dorës tënde që më mban e më shoqëron në çdo kohë e vend. Përfytyroj një ëndërr të bukur, nga e cila u zgjova sot në mëngjes. Do ta tregoj vetëm atëherë kur do të jemi pranë njëri-tjetrit. Të përqafoj e të dashuroj me shumë dashuri e mall përjetë”, është vetëm një pjesë e njërës prej letrave të Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, e lindur më 1 qershor 1955 në fshatin Drenoc të Malishevës, e cila u vra si ushtare më 22 shtator të vitit 1998.

“Dua ta pranoj se kësaj radhe e kishe rregulluar gërshetin siç kam dëshirë unë; të rrinte aq bukur mbi supe. Ki kujdes, mos gabo ta shkurtosh!”, është një prej përgjigjeve të Fehmi Lladrovcit, i lindur më 15 maj 1956 në Gllanasellë të Drenasit, i cili u vra si ushtar më 22 shtator 1998. Letrat e dyshes janë plot emocione. Fehmiu gjendej në burgun e Stara Gradishës në Kroaci, ndërsa Xheva në shtëpinë e familjes së tij.

Gazetarja Jeta Xharra, e cila është marrë me hulumtimin e kësaj historie dhe që qëndron prapa “Reporting House”, ka thënë se këto janë letra të rralla.

“Madje, edhe në letërsinë shqipe nuk i kemi dy personazhe që shkruajnë në mënyrë kaq të hapur, pa komplekse. Kaq intelektualë, që i kanë shkruar njëri-tjetrit në formë të barabartë. Një çift krejtësisht i barabartë me njëri-tjetrin, që vendosin të fillojnë një letërkëmbim më shumë për shkak të zorit. Kanë qenë 45 ditë të fejuar kur Fehmiu e merr lajmin se është dënuar me 10 vjet burg politik”, ka thënë ajo. Sipas Xharrës, tejet shumë i ka bërë përshtypje se sa frymëzuese, optimiste dhe largpamëse janë këto letra.

Me “Një zog me krah prej guri” artistë vendas e të huaj janë bashkuar brenda konceptit të titulluar “Antifashizëm: Tani”

Kuratori Gazmend Ejupi ka thënë se gjeneratat që e kanë përjetuar luftën janë në moshë të shtyrë.

“Ideja jonë është që muzeu të jetë sa më i fuqishëm me materiale. Letrat e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit janë ndër më të rëndësishmet, sikurse është edhe fletorja e familjes Jashari. Puna e kurimit të materialeve është ndër sfidat më të mëdha që kam pasur deri më tash. Çfarë të qesim më përpara? Fakti që i kemi dy dëshmorë, pastaj është një histori dashurie që për të rinjtë është fuqia më e madhe që mund të tregohet me art. Çdo letër, çdo dedikim...”, ka thënë ai.

“Dëshira ime është që të punësohesh e të jesh sa më e lirë. Kërkoj nga Ti të më dërgosh ‘Botën e re’, ‘Fjalën’ dhe revistat shkencore kur dalin nga shtypi”, është një tjetër përmbajtje në njërën prej letrave të Fehmi Lladrovcit, i cili u martua me të fejuarën pasi doli nga burgu. “Një mur na ndan – Xheva” është pavijon më vete, që ka zënë vend të përhershëm në “Reporting House”. Ekspozita ndërkombëtare, pas Prishtinës, merr rrugë drejt qyteteve të tjera.