Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Restoration begins on monument that was classified as highly dangerous 10 years ago

Residential house - Musli Hoxha

Është dashur ndërhyrja e autoriteteve, përfshirë Policinë e Kosovës, që punonjësve t’u krijohej qasja në vendpunishte. Punonjësit e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin e plotë të monumentit, pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, e kanë rrethuar ndërtesën pas rezistencës së të paktën dy pretenduesve të pronës, e cila, sipas dokumentacionit që posedon Ministria e Kulturës, është në pronësi të Komunës së Prishtinës. Për këtë arsye ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës.

Ministria e Kulturës, që nga viti i kaluar, pas raportimit të KOHËS, është në dijeni se për atë zonë është projektuar një shumëkatëshe. Monumenti në qendër të Prishtinës, i mbështetur në shtylla, paraqet rrezik për qytetarët dhe është rrethuar në mënyrë që ata të shmangin kalimin pranë objektit. Disa pretendues të pronësisë mbi këtë aset të trashëgimisë kulturore kanë rezistuar ndaj nisjes së restaurimit. “Nëpërmjet Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore është njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe më pas, me asistimin e Policisë, është zgjidhur situata”, i kanë thënë KOHËS në Ministrinë e Kulturës

Pavarësisht rezistencës së konsiderueshme të pretenduesve të pronës në qendër të Prishtinës, ka nisur restaurimi i monumentit që mbrohet nën emrin “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”. Kjo ndodh dhjetë vjet pasi ndërtesa u shpall objekt me rrezikshmëri të lartë dhe qëndroi e rrethuar ndërsa skelet e mbajtën në këmbë. Ndërtesa në rrugën “Luan Haradinaj” do të restaurohet për 119 mijë e 862 euro.
Janë dashur disa ditë që punonjësit e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin e plotë të monumentit, pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të nisnin rrethimin e punishtes. Të paktën dy pretendues të pronës, e cila, sipas dokumentacionit që posedon Ministria e Kulturës, është në pronësi të Komunës së Prishtinës, kanë rezistuar me mjaft ashpërsi. Të dy pretenduesit, persona publikë, që kanë mbajtur pozita në legjislaturat e mëparshme të Kuvendit të Kosovës dhe në përbërje të mëparshme qeveritare, kanë synuar ta pengojnë nisjen e restaurimit, me pretendimin se janë pronarë dhe se nuk duan të lejojnë një gjë të tillë. Është dashur ndërhyrja e autoriteteve, përfshirë Policinë e Kosovës, që punonjësve të premten e javës së kaluar t’u krijohej qasja në vendpunishte. Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Kulturës, në tentimin e pestë, ka gjetur një kompani të interesuar për ta bërë restaurimin. Ajo ka përzgjedhur kompaninë “Toni O.P.”.

“Nëpërmjet Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore është njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe më pas, me asistimin e Policisë, është zgjidhur situata”, i kanë thënë KOHËS në Ministrinë e Kulturës.

Ministria e Kulturës, që nga viti i kaluar, pas raportimit të KOHËS, është në dijeni se për atë zonë është projektuar një shumëkatëshe. Ndërsa monumenti, i mbështetur në shtylla, paraqet rrezik për qytetarët dhe është rrethuar në mënyrë që ata të shmangin kalimin pranë objektit.

Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet, ndërtesa ishte përfshirë në Listën e objekteve me rrezikshmëri të lartë. Më 1 shkurt 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit, duke bllokuar kalimin në afërsi të saj. Më pas, ndërtesa u rrethua edhe me llamarinë. Pas një kohe, shiritat u hoqën. Problemet me këtë monument janë të hershme.

Familja Hoxha kishte këmbëngulur vazhdimisht që shteti të gjente një zgjidhje për çështjen e banimit të saj. Shtëpia, e ndërtuar më 1927, nuk ofron kushte të përshtatshme banimi dhe as siguri për familjarët, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës.

KOHA ka marrë vesh se ekziston edhe një problem sa i përket pronësisë së ndërtesës. Njëra prej trashëgimtareve të shtëpisë, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe ish-deputete, më 2019 i kishte thënë gazetës se nuk dëshironte t’i përmendej emri dhe se nuk do të fliste për gjendjen pa u zgjidhur çështja në gjykatë. Ajo kishte thënë se, nëse shteti ka interes për atë shtëpi, duhet të gjendet një zgjidhje për familjarët.

“Tash presim që gjykata të na e bëjë një zgjidhje”, kishte thënë ajo. Për këtë, ajo bazohej në Ligjin për Trashëgimi Kulturore. Në atë kohë, ndërtesa gëzonte vetëm mbrojtje të përkohshme.

“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në pikën 6 të nenit 3 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

Një dekadë pasi ndërtesa u shpall objekt me rrezikshmëri të lartë dhe qëndroi e rrethuar, ndërsa skelet e mbajtën në këmbë, monumenti në rrugën “Luan Haradinaj” do të restaurohet për 119 mijë e 862 euro.

Pikërisht duke u bazuar në këtë nen, familja e kishte dërguar çështjen në gjykatë. Një rivlerësim të shtëpisë, familja ia kishte kërkuar MKRS-së në vitin 2017.

“Familja ka bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës në majin e këtij viti që të bëhet një rivlerësim i shtëpisë. Në momentin që bëhet rivlerësimi, familjes duhet t’i dorëzohen raporti dhe vendimi. Ajo është duke mbetur e listuar çdo vit dhe ne po mbesim peng. Duhet të dihet statusi i shtëpisë dhe të tregohet se çfarë do të ndërmarrë Ministria e Kulturës”, kishte thënë përfaqësuesja e familjes Hoxha.

Sipas saj, nëse MKRS-ja dëshiron që shtëpia të jetë monument, duhet të negociojë me familjen për të gjetur një zgjidhje.

“Ne jemi jashtë shtëpisë dhe nuk mund të paguajmë qira, ndërsa shtëpia të jetë e listuar çdo vit. Le të na e tregojnë çmimin dhe ne e shohim mundësinë për ta shitur, pasi ne jemi duke paguar qira”, kishte thënë ajo. Ajo kishte kërkuar që të kontaktohej në lidhje me këtë çështje.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në qershor të vitit të kaluar i kishte thënë KOHËS se ishte lajm i mirë që do të ndërhyhej në këtë ndërtesë, pasi Komuna është e kufizuar në raste të tilla kur bëhet fjalë për asete të trashëgimisë kulturore.

“Së paku njëra prej shumë ndërtesave që janë nën mbrojtje dhe paraqesin rrezik është në procedurë të restaurimit. Shpresojmë që të vazhdohet edhe me monumente të tjera, si për shembull “Shkolla e Parë Shqipe”, kishte thënë Fushtica. Sipas tij, monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” ka edhe probleme pronësore dhe është në kontest gjyqësor. “Edhe ky aspekt ka paraqitur problem”, kishte thënë ai.

Monumenti, i cili tash është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, është i vetmi në atë zonë me këtë status. Ata që merren me trashëgiminë kulturore janë të ndarë sa u përket vlerave të ndërtesës.