Mary Heilmann, piktorja abstrakte me ndikim të madh, e cila realizoi ekspozitën e saj të parë personale në një muze të New Yorkut në të 60-at e saj, vdiq në moshën 86-vjeçare në Riverhead, New York. Studioja e saj e njoftoi duke shtuar se ajo vdiq “si pasojë e komplikimeve nga një rrëzim”.
Heilmann ishte një pioniere e pikturës abstrakte, e cila ndërthuri me lehtësi dhe zgjuarsi elemente nga kultura popullore, artizanati dhe historia e artit. Në katalogun e retrospektivës së Heilmannit në vitin 2008 në “New Museum” – që ishte gjithashtu ekspozita e saj e parë solo në një institucion të New Yorkut – kritiku i artit Dave Hickey shkroi: “Kanonet e abstraksionit gjeometrik, pikturës Color Field dhe Minimalizmit nderohen në frymë, por jo në shkronjë. Në sintezën e Heilmannit, ato plaçkiten drejtpërdrejt si pararendës të gatshëm për t’u përdorur”.
Kjo ekspozitë ishte prezantuar më herët në “Orange County Museum of Art” në Newport Beach, California, dhe në “Contemporary Art Museum” në Houston, ku kishte marrë vlerësime të shumta. Para kësaj ekspozite, Heilmann kishte pasur një ekspozitë përmbledhëse në “ICA Boston” në vitin 1990, si dhe ekspozitën “All Tomorrows Parties” në “Vienna Secession” në Austri. Ajo kishte marrë pjesë gjithashtu në edicionet e viteve 1972, 1989 dhe 2008 të “Whitney Biennial”.
Megjithatë, ekspozita në “New Museum” i solli asaj vëmendje dhe vlerësime të gjera, duke çuar më pas në një varg të pandërprerë ekspozitash në institucione si “Whitney”, “Bonnefantenmuseum” në Holandë, “Hamburger Bahnhof” në Berlin, “Whitechapel Gallery” në Londër, “Dia Beacon” dhe sërish “Whitney”, ku ekspozita e saj u mbyll në janar.
Heilmann është cilësuar si një ndikim i rëndësishëm për një brez piktorësh, ndërsa Ellsworth Kelly shkoi aq larg sa, me rastin e ekspozitës së vitit 2008, e quajti atë “më të mirën e abstraksionistëve të rinj”. Ajo ishte gjithashtu për shumë vite artiste e galerisë “Hauser & Wirth”, me të cilën realizoi ekspozitën e parë në vitin 1997, vetëm pesë vjet pasi ishte themeluar galeria.
“Manuela, Ursula dhe unë u takuam me Maryn në pranverën e vitit 1994. Me të na prezantoi artistja Patty Martori dhe ne nisëm menjëherë të koleksiononim veprat e saj”, kujtoi Iwan Wirth, president i “Hauser & Wirth”.
“Mary na prezantoi gjithashtu me artistë të tjerë që njihte dhe admironte, si Louise Bourgeois. Projekti ynë i parë me Maryn ishte libri i saj ‘The All Night Movie’, i cili është një lloj autobiografie në formën e një libri artistik, ndërsa ekspozita jonë e parë me të u zhvillua në vitin 1997, e më pas pasuan shumë të tjera. Mary ishte vërtet dashuria jonë e parë”.
also
"DAM" returns with a jubilee that unites youth, experimentation and musical dialogue
Mary Ann Heilmann u lind në San Francisco më 3 janar 1940. E bija e Mary Florence Webb, infermiere, dhe John Sherman Heilmann, inxhinier civil, Heilmann e ndau fëmijërinë e saj mes Bay Area dhe, pasi i ati mori një punë në ndërtimin e autostradave, Los Angelesit, përmes El Segundos, një qytezë bregdetare aty pranë.
Që herët, Heilmann u njoh me lëvizjen për lirinë e fjalës, “Beat Generation” dhe kulturën e surfimit, të gjitha këto patën ndikim të fortë te artistja e re. Ajo e nisi karrierën si qeramiste, duke marrë diplomën në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, në vitin 1962. Më vonë u regjistrua në “UC Berkeley”, ku studioi qeramikën nën drejtimin e Peter Voulkos, i cili aplikonte idetë e ekspresionizmit abstrakt në këtë medium.
Pas përfundimit të magjistraturës në arte të bukura në Berkeley në vitin 1967, Heilmann u zhvendos në New York, ku nisi të merrej me pikturë, duke parapëlqyer bojërat akrilike me ngjyra të ndezura dhe paleta të pasura kromatike, ndërsa veprave të saj u referohej si “material skulpturor”. Ajo shpesh e mjegullonte kufirin mes veprave të saj dhe hapësirës së ekspozimit.