Support TIME. Preserve the truth.
Culture

The choir begins the season with a story of difficult times and sacrifice

kori

Koncerti ka nisur me veprën “Move Him into the Sun” të Marion Wood, e ndërtuar në gjashtë pjesë për të kaluar te vepra e kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi e cila ka bashkuar traditën me frymë korale në një rrëfim prekës (Foto: Arben Llapashtica)

Në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, të shtunën mbrëma, nën dirigjimin e Marion Wood, janë interpretuar “Move Him into the Sun” e vetë dirigjentes dhe kompozitores britanike dhe “Flijimi” i Rafet Rudit. Në koncert janë bashkuar dy vepra që, ndonëse të ndryshme në gjuhën muzikore, janë takuar në temat e humbjes, dhimbjes dhe kujtesës

Me zërat që kanë kaluar nga tingëllima e brishtë dhe e përmbajtur te fuqia dramatike e rrëfimit për luftën dhe flijimin, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka hapur sezonin e ri koncertal. Në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, të shtunën mbrëma, nën dirigjimin e Marion Wood, janë interpretuar “Move Him into the Sun” e vetë dirigjentes dhe kompozitores britanike dhe “Flijimi” i Rafet Rudit. Në koncert janë bashkuar dy vepra që, ndonëse të ndryshme në gjuhën muzikore, janë takuar në temat e humbjes, dhimbjes dhe kujtesës.

Koncerti ka nisur me veprën “Move Him into the Sun” të Marion Wood, e ndërtuar në gjashtë pjesë: “Move him into the sun”, “What passing bells?”, “Halted against the shade”, “Durch die Büsche”, “Wildgänse rauschen” dhe “Dein ist kein Grab”. Përmes tyre, kori ka kaluar nëpër atmosfera të ndryshme, nga momentet e qeta e intime deri te pjesët më të dendura, ku zërat janë bashkuar krejt bashkë për interpretim më të fuqishëm. 

Në këtë vepër, Wood ka sjellë edhe zërat individualë. Sopranoja Shkurta Hykaj dhe Kaltrina Miftari, altoja Diellza Sylejmani, tenori Rizah Jahaj dhe basi Harris Bajraktari kanë qenë pjesë e formacionit solistik të veprës.

Tingëllima e korit ka ndryshuar vazhdimisht gjatë gjashtë pjesëve, duke krijuar kontraste midis solistëve dhe pjesës tjetër të formacionit. Në disa momente muzika është shfaqur më e hollë, pothuajse si një pëshpëritje kolektive, ndërsa në të tjera është zgjeruar në tingull më të plotë e dramatik. Kjo larmi ngjyrash ka qenë edhe një nga elementet që Wood e ka veçuar pas koncertit.

“Ky është koncerti im i dytë në Prishtinë. Këtë herë pata shumë më tepër kohë gjatë provave për të punuar me ta dhe kjo ishte vërtet e mrekullueshme. Ata janë të hapur ndaj gjithçkaje, ndaj punës së detajuar, punës dramatike. Kanë shumë, shumë ngjyra”, ka thënë Wood.

Ajo ka treguar se Kori mund të kalojë nga një tingull i fuqishëm në një tingull të ngrohtë e më pas në një interpretim shumë delikat, duke krijuar edhe tekstura përmes zërave individualë.

“Ata kanë tingull të fuqishëm, por njëkohësisht edhe tingull të ngrohtë, ose mund të jenë shumë delikatë dhe të detajuar. Ajo që ishte e veçantë te veprat që interpretuam këtë mbrëmje ishte se kishte edhe mundësi që zërat individualë të krijonin teksturë, solo të vogla apo pjesë shumë të ndërlikuara që së bashku krijonin një tablo të plotë”, ka treguar ajo.

Për dirigjenten, puna me Korin e Filharmonisë gjatë një jave provash ka qenë veçanërisht e rëndësishme. Wood ka treguar se gjatë ditëve të përgatitjes kanë punuar me ndryshimet e ngjyrës dhe të atmosferës, duke e ndërtuar gradualisht karakterin e veprave.

“Ata ishin vërtet të hapur ndaj kësaj dhe, gjatë kësaj jave me prova, bënë kaq shumë ndryshime në ngjyrë dhe në atmosferë. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të kaloja më shumë kohë me korin”, ka thënë Wood duke shtuar se në vizitën e saj të mëparshme në Prishtinë kishte pasur vetëm dy prova me korin.

Në pjesën e dytë të koncertit, kori ka sjellë veprën “Flijimi” të Rafet Rudit, vepër në të cilën rrëfimi dramatik është ndërthurur me ngjyra të ndryshme instrumentale dhe vokale. 

Në këtë vepër, kori është shoqëruar nga një formacion instrumentesh ku kanë qenë flautet me instrumentiste si Zane Abazi, Embla Dana dhe Anada Gjini, kavalli i Vendim Kapajt dhe Yllka Simnicës, violinistët Pleurat Doli, Erëza Devaja dhe Mërgime Sadikaj, kontrabasi i Çlirimtar Alijës, si dhe perkusionet e Meriton Zajmit dhe Luftrak Buzës. Në pjesët solistike kanë marrë pjesë sopranoja Elonë Sadiku dhe basi Endrit Rexhepi.

Programi i veprës është ndarë në pesë pjesë. “Pritja – Daullet e Luftës” ka sjellë atmosferë të tensionuar. Loja e Vendim Kapajt e ka bërë veprën të duket se flet për një kohë të lashtë. Nis me lojën e këtij instrumenti në qendër, por nuk ndalet as tek shoqëron zërat e korit. Papritmas perkusionet ua ndalin hovin dhe tingulli i butë i kavallit vjen në qendër. Për nga ana muzikore e ajo e vokalit, vepra ka shumë elemente tradicionale. Ekspresiviteti i saj e bën shumë atraktive për t’u dëgjuar.

Te “Dasma”, kavalli sikur përshkruan gjithë peizazhin e ngjarjes që zhvillohet në vepër. Kjo pjesë nis e qetë dhe mbërrin në pikën ku ka shumë zhurmë, shumë biseda, nganjëherë më e qetë, nganjëherë më e tensionuar, duke ngjarë të ketë qenë duke përshkruar dasmën tradicionale që paraprihet nga ndejat në oda. 

“Akejtë” flet për lirinë ndërsa “Ifigjenia” e “Epilog” aktivizon lojën e kavalleve për të vazhduar më pas me korin në këngën që ngjan si në stil sakral. 

Zëri i instrumentit tradicional është vendosur përballë korit dhe instrumenteve të tjera, duke krijuar momente ku tingulli i tij është dëgjuar si një zë i veçuar. 

Pikërisht në këtë vepër, roli i Vendim Kapajt ka qenë i veçantë. Me kavall, ai ka sjellë ngjyrën e lidhur drejtpërdrejt me traditën muzikore shqiptare. 

Kapaj ka treguar se kjo ka qenë hera e dytë që bashkëpunon me Filarmoninë e Kosovës, ndërsa ka kujtuar edhe një paraqitje të mëhershme në Prishtinë. Më 17 shkurt, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai ka performuar në Sallën e Kuqe.

Për të, “Flijimi” ka shkuar përtej rrëfimit të mitologjisë greke. Kapaj ka treguar se, pasi e ka njohur veprën, e ka ndier atë si një rrëfim që lidhet edhe me përvojën e popullit shqiptar dhe veçanërisht me tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës.

“Kur ma sollën demon e veprës, fillimisht e pashë si vazhdimësi të mitologjisë greke, si një ide që lidhet me për flijimin. Por më dukej një vepër shumë e kohës sonë, që i përket aktualitetit të popullit tim, popullit shqiptar dhe popullit të Kosovës, për gjithë atë tragjedi që ka përjetuar”, ka thënë Kapaj.

Ai ka treguar se në veprën e Rudit ka luajtur një vajtim për vuajtjet e shqiptarëve. 

“Ishte një vajtim, një vajtim për vuajtjet që ka përjetuar populli shqiptar dhe veçanërisht shqiptarët e Kosovës. E pashë si vazhdimësi të vajtimeve të Labërisë. Ishte thjesht një ligjërim i një nëne që kërkon bijtë e saj. Prandaj, edhe gjatë interpretimit, unë lotoja”, ka thënë ai.

Edhe për dirigjenten Wood, kalimi nga vepra e saj te “Flijimi” ka sjellë një moment të papritur muzikor. Ajo ka treguar se, kur ka marrë partiturën e Rudit, ka vërejtur ngjashmëri në disa prej akordeve dhe mënyrës së ndërtimit të tingullit.

“Kur më dërguan veprën e profesorit Rudi, kishte shumë vende ku akordet në veprën e tij ishin shumë të ngjashme me momente në veprën time. Puna që do të bënim me korin për veprën time ishte e njëjta punë që na duhej ta bënim edhe për veprën e tij”, ka thënë Wood.

Ajo ka treguar se në disa momente, duke lexuar partiturën e “Flijimit”, ka hasur akorde që i kishte edhe në veprën e saj. 

“Ishte e mrekullueshme. Nuk do të mund ta imagjinoja një përshtatje më të mirë mes dy veprave. Dhe kjo ishte një magji krejtësisht e papritur”, ka thënë Wood.

Kjo përvojë është pjesë e një vargu bashkëpunimesh të Kapajt në projekte ku tingujt tradicionalë shqiptarë kanë kaluar përtej hapësirës vendore. Duke folur për përfshirjen e tij në projektin filmik “The Odyssey” ai ka thënë se suksesi i tij ka qenë i rëndësishëm jo vetëm për të, por edhe për muzikën tradicionale shqiptare.

“Ky ishte një sukses i madh, jo vetëm për mua dhe Labërinë time, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët. Arsyeja është se vlerat tona tradicionale shkuan përtej Atlantikut dhe u dëgjuan në mbarë botën. Tradita muzikore e popullit shqiptar u përhap tashmë në të gjithë botën”, ka thënë ai.

Nën drejtimin e Marion Wood, dy veprat kanë sjellë tematika të ngjashme, por nëpërmjet stileve të ndryshme.