Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Henri Matisse and the world that inspired his art

Exhibition "Matisse, the world in one room"

“Matisse, bota në një dhomë” vë në pah më shumë se pesë dekada të krijimtarisë së artistit të shquar

Photo: Associated Press

Ai është një nga emrat më të mëdhenj të artit të shekullit XX. Një ekspozitë e re në Milano eksploron mënyrën se si u frymëzua nga kultura të tjera. Ekspozita i fton vizitorët të përqafojnë një këndvështrim tjetër, më të hapur dhe më të vetëdijshëm se vetë arti evropian është formësuar nga një udhëtim që shtrihet shumë përtej kufijve të kontinentit

Arti i mjeshtrit Henri Matisse shihet nëpërmjet kulturave që e frymëzuan, të cilat ai i njohu gjatë studimeve dhe udhëtimeve të tij përtej Evropës. Kjo është ideja ambicioze e një ekspozite të re e hapur në “MUDEC”, Muzeun e Kulturave në Milano, me titull “Matisse, bota në një dhomë”, e cila bashkon rreth njëqind objekte dhe vepra arti të artistit.

“Me këtë ekspozitë jemi përpjekur të vëmë në pah më shumë se pesë dekada të krijimtarisë së Matisses. Të tregojmë se si shumë prej ideve të tij novatore dhe teorive mbi paraqitjen artistike nuk përfaqësonin thjesht një refuzim të traditës evropiane, por edhe një vënie të thellë në pikëpyetje të shumë prej bindjeve të tij, përmes studimit dhe përdorimit të artit jashtë Evropës”, ka shpjeguar Ellen McBreen, bashkëkuratore e ekspozitës.

Portretet paraqesin njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, përtej Francës, vendlindjes së Matisses. Ndikimet e Afrikës së Veriut janë të dukshme, për shembull, te figura femërore në veprën “Marocaine Assise” (Gruaja marokene e ulur).

Ekspozita shtrihet në disa seksione, ku objektet dhe veprat e artit vendosen në dialog me njëra-tjetrën (Foto: AP)

“Ishte një kërkim, një formë eksplorimi jashtëzakonisht e përpiktë, nxitur nga një kureshtje e madhe për kulturat dhe gjuhët e tjera. Kjo ndodhi në një kohë kur kultura perëndimore, veçanërisht kanonet e kulturës klasike, ishin bërë pothuajse të papërballueshme për artistët evropianë, deri në atë pikë sa ata ndiheshin të detyruar të kërkonin frymëzim të ri jashtë Evropës”, ka deklaruar bashkëkuratorja Chiara Gatti.

Ekspozita shtrihet në disa seksione, ku objektet dhe veprat e artit vendosen në dialog me njëra-tjetrën.

“Nuk ka një temë të vetme që mbizotëron mbi të tjerat. Bëhet fjalë për një jetë të tërë kureshtjeje dhe vëzhgimi të thelluar. Matisse ka thënë dikur se të shohësh një artist tjetër, nga një periudhë tjetër historike dhe një kulturë ndryshe, i cili përpiqet të zgjidhë të njëjtat sfida krijuese sikur ti, të ndihmon jashtëzakonisht shumë, siç shprehej ai, ‘ta kapërcesh hendekun’. Në njëfarë mënyre, kjo përbënte një konfirmim të shumë zgjedhjeve që ai bënte, përmes këtij dialogu imagjinar me krijues nga kultura të tjera. Mendoj se pikërisht kjo e mbajti vazhdimisht kureshtar dhe krijues”, ka shpjeguar McBreen.

Format, linjat dhe ngjyrat rrëfejnë historinë e një udhëtimi global, ndikimet e të cilit u shfaqën vazhdimisht, në forma të ndryshme, në veprat e Matisses. Ekspozita i fton vizitorët të përqafojnë një këndvështrim tjetër, më të hapur dhe më të vetëdijshëm se vetë arti evropian është formësuar nga një udhëtim që shtrihet shumë përtej kufijve të kontinentit.

Portretet paraqesin njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, përtej Francës, vendlindjes së Matisses. Ndikimet e Afrikës së Veriut janë të dukshme

“Personalisht, mendoj se është e rëndësishme të shqyrtojmë faktin se historia e kulturës moderne evropiane nuk është një dialog që zhvillohet vetëm brenda Evropës. Matisse është shembull i një artisti, arti i të cilit u pasurua thellësisht nga ndërthurja e kulturave dhe nga kjo frymë e hapur ndaj botës. Natyrisht, në shumë raste, objektet që ai mundi të koleksiononte dhe ato që pati mundësinë të shihte, u bënë të qasshme falë strukturave koloniale dhe një konceptimi eurocentrik të botës. Megjithatë, mendoj se Matisse dëshmon se risitë artistike nuk janë fryt vetëm i një individi”, ka thënë McBreen.

Ky është mesazhi që kuratoret shpresojnë të përcjellin te vizitorët.

“Në botën e sotme të vështirë, të mureve dhe kufijve, vështrimi i tij kaq universal dhe i hapur ofron një mësim të thellë”, ka deklaruar Gatti.

Ekspozita “Matisse, The World in a Room” do të qëndrojë e hapur deri më 21 shkurt 2027.