Krahas anijeve të mbytura të periudhës naziste, bombave të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore dhe mbetjeve të tjera, disa lumenj zbulojnë histori të shkruar fjalë për fjalë në gur. Një mbishkrim i tillë, në gjermanisht, thotë: “Wenn du mich siehst, dann weine” (Nëse më sheh, qaj). Këto fjalë janë gdhendur në një gur urie në lumin “Elbe”, pranë Děčínit në Çeki, afër kufirit me Gjermaninë
Derisa lumenjtë e Evropës tkurren gjatë periudhave të thatësirës, gjurmë të fshehura prej kohësh të së kaluarës kanë dalë sërish në sipërfaqe.
Krahas anijeve të mbytura të periudhës naziste, bombave të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore dhe mbetjeve të tjera, disa lumenj zbulojnë histori të shkruar fjalë për fjalë në gur.
Një mbishkrim i tillë, në gjermanisht, thotë: “Wenn du mich siehst, dann weine” (Nëse më sheh, qaj).
Këto fjalë janë gdhendur në një gur urie në lumin “Elbe”, pranë Děčínit në Çeki, afër kufirit me Gjermaninë.
Gurët e urisë, ose “Hungersteine” në gjermanisht, janë blloqe të mëdha guri në shtratin e lumenjve, të cilat zakonisht qëndrojnë nën ujë dhe të fshehura, por dalin në sipërfaqe kur niveli i lumenjve bie ndjeshëm gjatë periudhave të zgjatura të thatësirës.
also
"Ocarina" takes Kosovo's voice to Germany's most prestigious stages
Ndryshe nga shenja e nivelit të lartë të ujit, e cila regjistron nivelin më të lartë të arritur nga uji, guri i urisë shënon nivelin më të ulët.
Për shekuj me radhë, komunitetet gdhendnin data ose mbishkrime mbi këta gurë sa herë që ujërat e lumenjve, si “Elbe”, “Danub” apo “Rini”, tërhiqeshin në mënyrë të konsiderueshme. Në disa gurë urie janë gdhendur lista vjetësh, ndër të cilat 1616, 1746 dhe 1842.
Në një studim të vitit 2019, me titull “Extreme Droughts and Human Responses to Them: The Czech Lands in the Pre-Instrumental Period” (Thatësirat ekstreme dhe reagimet njerëzore ndaj tyre: Tokat çeke në periudhën para matjeve instrumentale), historiani dhe klimatologu çek Rudolf Brazdil dhe kolegët e tij u mbështetën në kronika, dokumente administrative dhe burime të tjera dokumentare për të shqyrtuar mënyrën se si jetonin komunitetet e prekura nga thatësirat, shumë kohë përpara se të kryheshin matje sistematike të motit.
Për njerëzit që jetonin përgjatë lumenjve si “Elbe”, niveli i ulët i ujit krijonte një sërë problemesh. Anijet e ngarkuara me dru, drithëra dhe mallra të tjera e kishin të vështirë të lundronin në kanalet e cekëta, duke penguar tregtinë përgjatë një prej rrugëve të rëndësishme të transportit në Evropën Qendrore. Në raste të rënda, lundrimi duhej të kufizohej ose të ndërpritej tërësisht.
Dhe thatësira nënkuptonte gjithashtu dështim të të mbjellave, rritje të çmimeve – dhe uri.
Megjithëse gurët e urisë shpesh konsideroheshin si kujtesa simbolike të thatësirave, ata kanë dëshmuar se janë më shumë se kaq.
Një studim i vitit 2020, i botuar në revistën “Climate of the Past”, zbuloi se shumë prej datave dhe shenjave të gdhendura në gurët e urisë të “Elbe” përputheshin ngushtë me periudhat e dokumentuara të niveleve jashtëzakonisht të ulëta të ujit. Studiuesit arritën në përfundimin se shumë prej mbishkrimeve kishin për qëllim të regjistronin se sa poshtë kishte rënë niveli i lumit, dhe jo thjesht të përkujtonin vjetët e thatësirës.
Studimi dokumentoi gjithashtu shënime për vjet të thata në gurin e Děčínit që datojnë të paktën nga shekulli 16-të, duke nënvizuar se mbishkrimi i famshëm “Nëse më sheh, qaj”, i vitit 1904, përfaqëson vetëm një kapitull në historinë shumë më të gjatë të këtij guri urie.
Megjithatë, fama e tij lidhet kryesisht me mesazhin e tij në dukje ogurzi. Edhe shfaqja e tij gjatë thatësirave më të fundit evropiane të vitit 2020 dhe vitit 2022 frymëzoi raportime mediatike, të cilat e përshkruanin mesazhin e tij si “rrëqethës”, “të zymtë” ose si “paralajmërues të kohëve të vështira”.
Në studimin e tij të vitit 2019, “Die Botschaft der Hungersteine” (Mesazhi i gurëve të urisë), Bernd Gross u mbështet në artikuj gazetash, kartolina dhe dokumente të historisë lokale për të rindërtuar historinë e gurit të urisë në Děčín dhe vuri në dukje se mbishkrimi i tij mund të jetë frymëzuar nga një mbishkrim edhe më i vjetër.
Gross citoi artikuj gazetash të viteve 1890, të cilët përshkruanin një gur urie pranë Techlovice, në rrjedhën e sipërme të lumit nga Děčíni, që thuhej se kishte mbishkrime në gjermanisht, si: “Ne qamë – ne qajmë – dhe ju do të qani”.
also
"DokuNights" returns to its origins at the 25th anniversary celebration
Njeriu që lidhet më së shumti me mbishkrimin e gurit të Děčínit është F. Mayer, një hanxhi dhe varkëtar vendas, si dhe anëtar i komunitetit të lundruesve të “Elbes”.
Sipas Grossit, Mayeri urdhëroi që fraza tashmë e famshme të gdhendej në gur gjatë thatësirës së vitit 1904, më 18 korrik, së bashku me emrin e tij.
Në atë kohë, gazetat i referoheshin atij si guri i urisë i Bodenbachut ose Tetschenit, sipas qyteteve fqinje që sot janë pjesë e Děčínit. Ato raportuan për gurin e dalë në sipërfaqe dhe mesazhin e tij, ndërsa dëshmitë e kohës përshkruanin mijëra vizitorë që shkonin për ta parë.
Edhe kartolina me pamje të gurit të urisë qarkulluan gjerësisht, duke e bërë të njohur vendndodhjen shumë përtej luginës së “Elbes”.
“Reichenberger Zeitung”, gazetë që qarkulloi nga viti 1860 deri më 1938, raportonte më 28 gusht 1904: “Ditë pas dite, grupe njerëzish mblidhen mbi shkëmb; të gjithë duan të shkelin mbi të, të paktën një herë. Megjithatë, shenjat e gdhendura në gurin ranor ka të ngjarë të humbasin dukshmërinë për shkak të shkeljeve të shpeshta”.
Thuhet se vizitorët ishin të intriguar jo vetëm nga mbishkrimi, por edhe nga datat më të hershme të gdhendura në gur, të cilat shënonin vjetët e thatësirës që shkonin pas në shekuj.
Në mënyrë ironike, thatësira e vitit 1904, e cila e bëri gurin e Děčínit dhe mbishkrimin e tij të njohur, për pak sa nuk shkaktoi shkatërrimin e tij.
Autoritetet lokale të lumit vendosën të hiqnin shkëmbinjtë dhe pengesat e tjera nga “Elbe” për të përmirësuar lundrimin dhe, sipas studimit të Grossit, ekzistonte shqetësimi se edhe guri i urisë i Děčínit mund të hiqej.
Pas ndërhyrjes së Kooperativës së Varkëtarëve të Tetschenit, e cila iu drejtua autoriteteve perandorake me një peticion, guri u kursye. Raportet e kohës bënin të ditur se zyrtarët kishin rënë dakord që punimet e planifikuara në lumë të devijoheshin rreth tij, me qëllim ruajtjen e asaj që tashmë konsiderohej një pikë referimi historike e “Elbes”.
Dhe ndërsa pengesat e tjera u hoqën nga lumi, guri i urisë i Děčínit mbijetoi.
also
"Siparantum" heads to Malaysia for festival where 200 choirs join
Historia e gurit nuk përfundoi aty. Kur një tjetër thatësirë e rëndë e nxori atë në sipërfaqe në vitin 1911, mbishkrimi i famshëm i Mayerit thuhet se u gdhend përsëri, këtë herë më thellë. Më vonë, në vitin 1938, pranë shenjave më të vjetra u shtua edhe një mbishkrim në gjuhën çeke.
Së bashku, këto data dhe mbishkrime dokumentojnë historinë shumëshekullore të gurit dhe rolin e tij si tregues i niveleve jashtëzakonisht të ulëta të ujit në lumin “Elbe”.