Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Archaeological finds in Tepelena – evidence of life in antiquity

Gërmimet në Qesarat të Tepelenës kanë nxjerrë në pah ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë pjesërisht të dëmtuar, që mendohet se i përkasin shekullit III

Gërmimet në Qesarat të Tepelenës kanë nxjerrë në pah ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë pjesërisht të dëmtuar, që mendohet se i përkasin shekullit III

Të dhëna të reja për të kaluarën antike të zonës së Tepelenës po dalin në dritë nga gërmimet arkeologjike në Qesarat, ku puna e specialistëve ka nxjerrë në pah gjurmë të një kompleksi me ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë që mendohet se datojnë në shekullin III.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë të enjten në rrjetet sociale pamje nga gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Qesarat.

“Vijojnë gërmimet arkeologjike në Qesarat të Tepelenës, në kuadër të projektit ‘Arkeologji e peizazhit në zonën Memaliaj–Tepelenë dhe rrethinat 2026’, ku po dalin në pah ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë pjesërisht të dëmtuar, që mendohet se i përkasin shekullit III. Po punohet për dokumentimin, pastrimin dhe konservimin e këtyre zbulimeve, të cilat hedhin dritë mbi mënyrën e jetesës dhe historinë e kësaj zone në antikitet”, citohet të ketë thënë Rama.

Këto zbulime përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për zhvillimin e vendbanimit dhe jetën e komuniteteve që kanë banuar në këtë zonë në periudhën antike.

Aktualisht, puna e specialistëve është përqendruar në dokumentimin e strukturave dhe materialeve të zbuluara, si dhe në pastrimin dhe konservimin e mozaikëve, me qëllim ruajtjen e tyre dhe studimin e mëtejshëm.

Procesi do të ndihmojë në përcaktimin më të qartë të funksionit të ambienteve të zbuluara dhe në kuptimin e kontekstit arkeologjik në të cilin ato janë ndërtuar.

Gërmimet në Qesarat janë pjesë e përpjekjeve për të dokumentuar dhe nxjerrë në pah trashëgiminë arkeologjike të zonës Memaliaj–Tepelenë, një territor me potencial të rëndësishëm historik dhe kulturor.

Çdo zbulim i ri i ardhur nga puna në terren plotëson mozaikun e njohurive mbi të kaluarën e kësaj treve dhe krijon mundësi për kërkime të mëtejshme shkencore dhe promovimin e saj si destinacion me vlera të trashëgimisë kulturore.