Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Appointment, notification and resignation of the director of the Ferizaj Theater

Mevlan Saraçi

“Mevlan Saraçi është drejtori i ri i Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj, një aktor i dëshmuar, profesionist i rrallë e mbi të gjitha emblemë e artit skenik jo vetëm në Ferizaj, por edhe më gjerë. Kënaqësi të takohemi sot bashkë për të vënë në tryezën tonë të punës planet e së ardhmes për Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu (Foto: Komuna e Ferizajt)

Drejtori i ri, ka qenë “shfaqja” e së mërkurës në Teatrin “Adriana” të Ferizajt. Njoftimi i kryetarit të Komunës, për “drejtorin e ri” ka nxitur pyetjen për konkursin, ka pasuar sqarimi se Mevlan Saraçi është vetëm ushtrues detyre, më pas njoftimi i radhës sërish ka krijuar mjegull dhe ka pasuar dorëheqja e Fatmir Hysenit tok me përmbledhjen për rrugëtimin 21-vjeçar të tij në këtë pozitë. KOHA ka marrë vesh se Komuna e Ferizajt para një kohe, i ka kërkuar Hysenit që të largohet nga pozita. Bashkë janë marrë vesh që kjo të bëhet me një dorëheqje

Një njoftim i kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për “drejtorin e ri” të Teatrit “Adriana” ka bërë bujë në skenën teatrore të mërkurën. Sapo Aliu ka njoftuar se Mevlan Saraçi do të drejtojë Teatrin e qytetit, në komunitetin artistik kanë lindur pyetje se me çfarë konkursi. Më pas, drejtori i deritanishëm, Fatmir Hyseni, ka publikuar një njoftim për dorëheqje nga pozita. Udhëheqësi i ri, Mevlan Saraçi, aktor rezident në Teatrin “Adriana”, s’ka pranuar të thotë asnjë fjalë për planet e tij në krye të institucionit.

“Mevlan Saraçi është drejtori i ri i Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj, një aktor i dëshmuar, profesionist i rrallë e mbi të gjitha emblemë e artit skenik jo vetëm në Ferizaj, por edhe më gjerë. Kënaqësi të takohemi sot bashkë për të vënë në tryezën tonë të punës planet e së ardhmes për Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

KOHA ka kërkuar nga Aliu sqarime se me çfarë procesi e ka marrë detyrën Saraçi. Ai ka udhëzuar të komunikohet me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Gazmend Bytyçi.

Nëpërmjet komunikimit me telefon, Bytyçi ka thënë se udhëheqësi i ri i Teatrit është veç ushtrues detyre.

“Drejtori i deritanishëm, Fatmir Hyseni, për arsye personale ka ofruar dorëheqjen. Aktori Mevlan Saraçi është ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit. Më pas, Zyra e Personelit do të zhvillojë procedurat e duhura për të zgjedhur drejtorin e Teatrit”, ka thënë ai. Sipas Bytyçit, njoftimi i kryetarit ka gabim në term, pasi bëhet fjalë për ushtrues detyre. Por, pas kësaj deklarate, faqja në Facebook, “Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Ferizaj”, ka lëshuar njoftimin për “emërimin e drejtorit”.

“Teatri ‘Adriana’ në Ferizaj nis një kapitull të ri të funksionimit me emërimin e aktorit Mevlan Saraçi në pozitën e drejtorit. Me këtë rast, në takimin e sotëm që pati drejtori i ri me kryetarin e Komunës, Agim Aliu, dhe drejtorin e Kulturës, Gazmend Bytyçi, u diskutua për planet dhe projektet e ardhshme, me synim zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë artistike dhe forcimin e rolit të teatrit në jetën kulturore të qytetit”, shkruhet në njoftim. Drejtoria po ashtu ka shprehur mirënjohje për Fatmir Hysenin, i cili për plot 21 vjet udhëhoqi Teatrin “Adriana”.

KOHA ka marrë vesh se Komuna, para një kohe, i ka kërkuar Hysenit që të largohet nga pozita. Bashkë janë marrë vesh që kjo të bëhet me një dorëheqje. Hyseni për dorëheqjen ka njoftuar në Facebook. Ai e ka mbajtur pozitën për mbi dy dekada edhe nëpërmjet një aktemërimi.

“Njoftim publik dhe letër dorëheqjeje nga pozita e drejtorit të Teatrit Profesional ‘Adriana’ në Ferizaj”, titullohet njoftimi i bërë pas lajmit të Komunës. Ka njoftuar se më 21 shtator 2026, pas plot 21 vjetësh në shërbim dhe udhëheqje të Teatrit “Adriana”, ka marrë vendimin për të përmbyllur kapitullin si drejtor i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

“Kur nisi ky udhëtim në vitin 2005, vizioni ynë ishte i qartë, por sfida ishte e jashtëzakonshme. Gjatë këtij rrugëtimi më shumë se dydekadësh, bashkërisht kemi kaluar nëpër epoka vendimtare që ndryshuan përgjithmonë historinë e teatrit tonë dhe të kulturës skenike në Kosovë”, shkruhet në njoftim. Ka përmendur ngritjen e nivelit të Festivalit të Teatrove.

“Ngritja e Teatrit në Statusin Profesional (2007): Puna e palodhshme bëri që edhe vetë teatri ynë të fitonte statusin zyrtar profesional, duke u bërë një nga shtyllat kryesore të skenës kombëtare”, shkruhet në njoftim. Ka përmendur udhëheqjen e Asociacionit të Teatrove të Kosovës, sigurimin e grantit të rregullt qeveritar për teatrot e qyteteve, faktin se më 2020 iu hap rruga teatrove të qyteteve që të bëheshin me ansamble rezidente.

“Realizimi i 87 Premierave (2005 – 2026): Nga viti 2005 e deri sot, në skenën e teatrit tonë janë realizuar gjithsej 87 premiera të reja të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore, duke e pasuruar jashtëzakonisht shumë jetën kulturore në qytet dhe më gjerë. Statistikat dhe Bilanci Skenik: Përgjatë kësaj periudhe 21-vjeçare, teatri ynë ka mbajtur një ritëm intensiv me një mesatare prej 4 deri në 5 shfaqje e repriza në javë. Kjo përkthehet në një bilanc mbresëlënës prej mbi 4,500 deri në 5,000 reprizave të rregullta të realizuara në skenën tonë – shifër kjo ku nuk përfshihen shfaqjet e shumta të organizuara për fëmijë dhe shfaqjet pjesëmarrëse gjatë edicioneve të Festivalit”, ka shkruar Hyseni, derisa ka falënderuar bashkëpunëtorët.

KOHA ka kontaktuar udhëheqësin e ri të institucionit, aktorin Mevlan Saraçi. Ai s’ka pranuar të thotë asnjë fjalë sa i përket planit të tij për institucionin. Thjesht ka konfirmuar se është ushtrues detyre.

“Sot nuk mund të flas për këto gjëra. Është herët”, ka thënë ai. S’ka treguar nëse do të konkurrojë nëse hapet konkurs i rregullt për drejtor.

Situata me ndërrimin e udhëheqjes së institucionit në komunitetin artistik është komentuar, por jo edhe aq publikisht.

“Ferizaj paska monark. Do të thotë e heq një drejtor e qet tjetrin pa konkurs, pa send”, ka thënë një artist i njohur i Ferizajt.

Ligji për artin dhe kulturën përcakton se drejtori zgjidhet me konkurs publik. Në pikën e 2-të të nenit 12 përcaktohet se drejtori i institucionit publik qendror dhe lokal të artit dhe kulturës zgjidhet përmes procesit të konkursit publik.

“Procedura e zgjedhjes së drejtorit organizohet nga Ministria përmes Këshillit Kombëtar të Arteve për institucionet qendrore të artit dhe kulturës, ndërsa nga komuna përkatëse për institucionet lokale të artit dhe kulturës, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, shkruhet në pikën e 3-të të këtij neni.

Shumica e institucioneve qendrore të artit dhe kulturës janë pa drejtorë. Galeria Kombëtare e Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Opera e Kosovës janë pa drejtorë, por me ushtrues detyre. Pritet që brenda këtij viti të hapen konkurset. Në nivel qendror, konkursi iniciohet nga Këshilli Kombëtar i Arteve. Përbërja e këtij organi është miratuar nga Qeveria në fund të korrikut të këtij viti.

Yll Rugova, përfaqësues nga fusha e arteve pamore, Baki Jashari, përfaqësues nga fusha e muzikës klasike dhe operës, Visare Aliu, përfaqësuese nga fusha e teatrit, Afrim Spahiu, përfaqësues nga fusha e filmit dhe fushës audiovizuale, Ardianë Pajaziti, përfaqësuese nga fusha e letërsisë dhe librit dhe Visar Munishi, përfaqësues nga fusha e këngëve dhe valleve folklorike, janë gjashtëshja e parë. Këshilli plotësohet edhe me Aulona Nuhiun, përfaqësuese nga fusha e baletit dhe vallëzimit modern, Alberta Tronin, përfaqësuese nga institucionet akademike dhe kërkimore në fushën e artit dhe kulturës, Arif Muharremin, përfaqësues nga sektori i pavarur kulturor që përfshin organizatat, institutet dhe shoqatat e fushës së artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura me kulturën, Artnet Haskukën, përfaqësuese nga fushat e ndërlidhura me kulturën, si dizajni, arkitektura apo fusha të ndërlidhura me industrinë kreative dhe Visar Haxhibeqirin, përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës. Kryesuese e organit, nga vetë anëtarët, është zgjedhur Alberta Troni.