Support TIME. Preserve the truth.
Culture

The potential effect of the decision in The Hague postpones the edition of the Jazz Festival

Mitrovica International Jazz Days

Vendimi vjen në prag të një edicioni që ishte paralajmëruar si një prej më të rëndësishmëve të festivalit. Në hapje, më 16 shtator, ishte planifikuar të performonte për herë të parë në Kosovë grupi amerikan i jazz-fusionit “Snarky Puppy”, i udhëhequr nga basisti Michael League dhe fitues i pesë çmimeve “Grammy”

“16 shtatori ishte një datë që e prisnim me padurim prej më shumë se gjashtë muajsh. Ajo duhej të shënonte hapjen madhështore të festivalit tonë të dashur dhe të ishte një ditë për të festuar muzikën xhaz, si dhe atë që na bashkon si komunitet ballkanik i xhazit. Fatkeqësisht, për arsye jashtë kontrollit tonë, u detyruam të merrnim vendimin tejet të dhimbshëm për ta shtyrë edicionin e këtij viti, të planifikuar për datat 16-18 shtator 2026”, shkruhet në njoftim. KOHA ka marrë vesh se organizatorët kanë marrë disa rekomandime për shtyrje të edicionit shkaku i vendimit që do të merret në Hagë dhe efektit potencial në Kosovë

Edicioni i katërt i festivalit “Mitrovica International Jazz Days” është shtyrë, vetëm pak ditë para se të niste në Parkun e Qytetit në Mitrovicë. Organizatorët kishin paraparë që festivali të mbahej më 16, 17 dhe 18 shtator, por përmes një njoftimi të publikuar të hënën kanë bërë të ditur se edicioni i sivjetmë nuk do të zhvillohet në datat e planifikuara.

Në njoftimin e saj, drejtoresha e festivalit, Rona Nishliu, ka thënë se vendimi është marrë për “arsye jashtë kontrollit” të organizatorëve, fillimisht pa dhënë detaje të tjera rreth rrethanave që kanë çuar në shtyrje.

“16 shtatori ishte një datë që e prisnim me padurim prej më shumë se gjashtë muajsh. Ajo duhej të shënonte hapjen madhështore të festivalit tonë të dashur dhe të ishte një ditë për të festuar muzikën xhaz, si dhe atë që na bashkon si komunitet ballkanik i xhazit. Fatkeqësisht, për arsye jashtë kontrollit tonë, u detyruam të merrnim vendimin tejet të dhimbshëm për ta shtyrë edicionin e këtij viti, të planifikuar për datat 16-18 shtator 2026”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Ka thënë se Festivali do të kthehet, por pa dhënë detaje.

“Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë partnerët dhe miqtë tanë, institucionet vendore dhe qendrore, ambasadat dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë, muzikantët dhe komunitetin e gjerë të xhazit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi marrë gjatë kësaj periudhe. Do të kthehemi së shpejti, do të kthehemi më të fuqishëm”, ka shkruar Nishliu. E kontaktuar nga KOHA ajo ka përmendur arsye më konkrete.

“Arsyet e shtyrjes së festivalit, siç kemi theksuar edhe në njoftimin tonë, lidhen me rrethanat e veçanta që shoqërojnë datën 16 shtator dhe me nevojën për të pasur një planifikim sa më të saktë dhe të përgjegjshëm të të gjithë komponentëve logjistikë dhe organizativë. Datat e festivalit janë përcaktuar shumë muaj më parë, në një kohë kur data 16 shtator nuk ishte paraparë si datë për zhvillime të rëndësishme institucionale”, ka thënë ajo. Më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi për katër ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dëshira jonë është që festivali të zhvillohet në rrethana të përshtatshme, me vëmendjen dhe atmosferën që meriton, duke mundësuar njëkohësisht një organizim sa më të mirë për të gjithë pjesëmarrësit dhe publikun. Për këtë arsye, kemi marrë vendimin për shtyrjen e festivalit dhe zhvendosjen e tij në data të reja, të cilat do t'i bëjmë të ditura në kohën e duhur”, ka thënë ajo. Gjatë ditës KOHA ka marrë vesh se organizatorët kanë marrë disa rekomandime për shtyrje të edicionit shkaku i vendimit që do të merret në Hagë dhe efektit potencial në Kosovë.

Organizatorët ende nuk kanë bërë të ditur datat e reja të festivalit. Po ashtu, nuk është bërë e qartë nëse programi i paralajmëruar do të ruhet në tërësi pas shtyrjes.

Vendimi vjen në prag të një edicioni që ishte paralajmëruar si një prej më të rëndësishmëve të festivalit. Në hapje, më 16 shtator, ishte planifikuar të performonte për herë të parë në Kosovë grupi amerikan i jazz-fusionit “Snarky Puppy”, i udhëhequr nga basisti Michael League dhe fitues i pesë çmimeve “Grammy”.

Koncerti në Mitrovicë ishte pjesë e turneut të tyre botëror dhe ishte një prej pikave kryesore të programit të festivalit. Pas Mitrovicës, grupi ishte planifikuar të vazhdonte turneun në Stamboll e më pas në Athinë.

Kur ishte paralajmëruar ardhja e “Snarky Puppy” në Kosovë, Nishliu kishte thënë se përfshirja e Mitrovicës në turneun evropian të bendit përbënte një moment të rëndësishëm për festivalin dhe skenën kulturore të vendit.

“Sjellja e ‘Snarky Puppy’ në ‘Mitrovica International Jazz Days’ është një moment shumë i rëndësishëm për skenën kulturore në Kosovë. Duke qenë pjesë e turneut të tyre evropian, Mitrovica automatikisht rreshtohet në listën e qyteteve dhe metropoleve evropiane ku grupi performon këtë vit. Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se ky është lokacioni i vetëm në Ballkanin Perëndimor në këtë turne. Kjo tregon se festivali ynë po fiton besim dhe vëmendje ndërkombëtare, si dhe është rezultat i një pune dhe përpjekjeje të gjatë për ta sjellë një grup të këtij niveli në Mitrovicë”, kishte thënë ajo për KOHËN. Në epokën kur  jazzi perceptohet si gjuhë e rafinuar e skenave elitare, ardhja e bendit të vlerësuar me pesë çmime “Grammy” pritej të zgjonte interesimin e publikut. Athina dhe Mitrovica qenë destinacionet e vetme në Ballkan ku pritej të ndalej bendi i shquar.

Programi i paralajmëruar për tri ditët e festivalit përfshinte edhe emra të tjerë ndërkombëtarë të skenës së jazzit. Mbrëmja e 17 shtatorit ishte konceptuar si “Women Bandleaders Night”, me performancat e “Olivia Trummer Trio” nga Gjermania, “Eleonora Strino Trio” nga Italia dhe projektit zviceran “KNOBIL”, të Louise Knobil.

Edicioni ishte paralajmëruar t’u kushtohej muzikantëve të rinj që kanë ndryshuar perceptimin për muzikën jazz dhe që po e çojnë këtë zhanër drejt audiencave të reja.

Vjet unifikimi i kombeve në Ballkan qe prej qëllimeve kryesore të edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica International Jazz Days”. Qenë planifikuar programe të veçanta për të rinjtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor e performancat e tyre qenë planifikuar të zhvilloheshin në jug e në veri të qytetit që për shumë vjet ka qenë në plan të parë kur është folur për tema kontroverse. Në hapje në gushtin e vjetëm në skenën alternative në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut ishin shkaktuar trazira të vogla. Disa të rinj serbë qenë ngritur në revoltim dhe organizimin atje e kanë parë si provokim dhe nxitje për konflikt nga ana e shqiptarëve, duke thënë se është “politikisht e motivuar”. Kjo ka rrjedhur nga rastësia e mbajtjes në të njëjtën kohë të festivalit “Ditët e Mitrovicës”, që tradicionalisht organizohet nga komuniteti serb në veri.

Trazirat e vogla nuk kishin ndikuar që gjithçka tjetër të shkojë në vijë me festivalin. Skena kryesore ishte vendosur në parkun e qytetit në Mitrovicë të Jugut dhe mbrëmja ka nisur me katër koncerte. Të pranishëm kanë qenë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarët e dy komunave, veriore e jugore të Mitrovicës, përkatësisht Bedri Hamza dhe Erden Atiq asokohe kryetar i komunës veriore. Gjatë fjalimit të tij, Hamza kishte theksuar rëndësinë e organizimit të një festivali në qytetin e Mitrovicës.

“Është fat i madh që kemi artistë të mëdhenj, siç është Rona. Rona, faleminderit shumë që gjithmonë kujdesesh që organizimet e tilla të këtij niveli ku performojnë artistë të përmasave botërore t’i organizosh dhe t’i sjellësh në Mitrovicë”, kishte thënë ai në skenën kryesore para se të nisë performanca e parë e natës hapëse.