Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Daut Dauti – pena që kronikoi ditët e vështira të Kosovës

Daut Dauti (29 gusht 1960 – 1 shtator 2026)

Daut Dauti (29 gusht 1960 – 1 shtator 2026)

Gazetari, historiani e studiuesi Daut Dauti ka vdekur të martën në mëngjes në Britani të Madhe. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja Dauti. Ai ishte 66 vjeç. Veprimtaria e Dautit është përshkruar si ajo e një intelektuali që, si gazetar e studiues, ka dhënë kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës.

Daut Dauti, i lindur më 29 gusht 1960, në karrierën e tij është njohur si gazetar dhe historian. Ishte po ashtu jurist. Ka doktoruar në Universitetin e Leedsit me temën “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1876–1914”. Paraprakisht, pas përfundimit të Fakultetit Juridik në Prishtinë, ai kishte punuar gazetar në “Bota e Re” e “Zëri”. Prej vitit 1994 deri më 1999 ka raportuar nga Londra si korrespondent i “Zërit”, dhe prej vitit 1998 ka punuar si gazetar dhe redaktor në IWPR (Instituti për Raportime të Luftës dhe Paqes) në Londër. Qe themelues i kësaj zyre në Kosovë. Pas luftës, gjatë vitit 2004, ishte zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. Më pas konsulent për media në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrim) në Londër. Si studiues njihet për punimet “Si të ndërtohen mediat e pavarura në Kosovë”, “Kuvendimi sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit” e “Procesi i lashtë i vendimmarrjes në mesin e shqiptarëve”.

Familjes Dauti të martën me një telegram ngushëllimi i është drejtuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Sipas telegramit, Dauti la pas një veprimtari të pasur profesionale dhe intelektuale.

“Krahas gazetarisë, Dauti dha kontribut të rëndësishëm edhe në publicistikë, historiografi dhe studime, duke lënë pas libra, analiza dhe punime që trajtojnë Kosovën, çështjen shqiptare, mediat dhe marrëdhëniet shqiptaro-britanike. Veprimtaria e tij profesionale, e zhvilluar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, përbën një pjesë të vlefshme të trashëgimisë së gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar”, shkruhet në telegram.

Dauti është kujtuar nga kolegë gazetarë në Kosovë. Gazetari e publicisti Halil Matoshi e ka kujtuar se gazetar, autor dhe mik me të cilin kanë punuar bashkë në “Zëri”, siç ka thënë ai, në vitet e stuhishme të Kosovës.

“Gazetar, i pasionuar pas historisë. Kemi bërë disa polemika rreth nacionalizmit defansiv shqiptar dhe nacionalizmit të ri që po lindte e po rritej me moshën e shtetit Kosovar, por duke ruajtur ndershmërisht miqësinë e vjetër e baraspeshimin e fjalës”, ka shkruar Matoshi.

E, studiuesi Bejtullah Destani, me një shkrim përkujtues, Dautin e ka përshkruar si njeri që i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që dijen nuk e konsideronin privilegj vetjak, por përgjegjësi ndaj atdheut. Për Destanin, mbi të gjitha, ishte një njeri i përkushtuar ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ka treguar se në Londër, Dauti ishte njëri ndër organizatorët e referendumit për pavarësinë e Kosovës, të mbajtur në shtëpinë e Agron Loxhës.

“Gjatë viteve të rënda të Luftës së Kosovës, më 1998–1999, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Londër. Me fjalën, shkrimin, lidhjet dhe angazhimin e tij të palodhur, Dauti punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për paraqitjen e së vërtetës shqiptare përpara opinionit britanik. Në një kohë kur Kosovës i duhej zëri i çdo shqiptari, ai ishte ndër zërat më të ndërgjegjshëm, më të argumentuar dhe më të përkushtuar”, ka shkruar Destani. Sipas tij, doktorata e Dautit ka sjellë një kontribut të çmuar në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike dhe të historisë diplomatike të çështjes shqiptare. Ka treguar se punimi i tij i doktoratës u botua në gjuhën shqipe në Shkup, ndërsa në gjuhën angleze nga shtëpia botuese “Bloomsbury” në Londër.

“Me hulumtimet e tij në arkivat britanikë, Dauti nxori në dritë dokumente dhe dëshmi të rëndësishme, duke e pasuruar historiografinë shqiptare me burime, argumente dhe këndvështrime të reja”, ka shkruar Destani.

Gazetari e redaktori Agron Shala, Dautin e ka përshkruar si një njeri të veçantë, intelektual, me humor të mirë dhe me një pozitivitet që rrezatonte.

“Prandaj, asnjëherë nuk pata me të asnjë konflikt, asnjë mospajtim. Sepse ishte i matur e human dhe njëkohësisht i guximshëm, njeri që nuk i thyente parimet. Kosovën e nderoi jo vetëm gjatë paraqitjeve në televizionet britanike në kohën e luftës, por edhe me veprat e botuara nga shtëpi botuese të njohura si ‘Bloomsbury’, ‘Palgrave’ apo ‘Taschen’. Ai e jepte kontributin e vet pa kërkuar asnjë kompensim”, ka shkruar Shala. Ka rrëfyer se bashkë kanë biseduar shpesh, deri në javën e fundit.

“Sa herë që vinte në Kosovë, takoheshim. Besoja se do të takoheshim sërish, t’ia dhuroja pjesën e dytë të librit ‘Shekulli XX’, që tashmë ka dalë nga shtypi dhe ku ai është redaktor”, ka shkruar Shala.

Në njoftimin e familjes është bërë me dije se për detajet e ceremonisë së varrimit do të tregohet më vonë, pasi fillimisht duhet të organizohen procedurat e bartjes së kufomës për në Kosovë.