Në situatën në të cilën jemi, ku do të mund të mbesnim pa buxhet, pa kryetar, pa Kuvend dhe me një Qeveri në detyrë (të përhershme, tashmë), nuk e kuptoj mungesën e, bile, përpjekjes minimale për ta arritur një marrëveshje që na nxjerr prej këtij lloçi ku na kanë futur politikanët e papërgjegjshëm e interesxhinj
Nëse brenda tri ditësh nuk zgjidhet kryetari/ja i/e shtetit, për të katërtën herë brenda dy vjetësh shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Përderisa herën e parë shkuam se i kaloi mandati i plotë i qeverisë, dy të tjerat që pasuan qenë rezultat i kombinimit të inateve dhe kalkulimeve të pafund politike që krejt çfarë arritën ishte që t’ia zgjasnin mandatin Kurtit edhe për dy vjet, e që Kosovën të mos e lënë të dilte mbi sipërfaqe, pasi e fundosën në krizë të thellë edhe ekonomike.
Në çastin kur po shkruhet kjo kolumne, nuk ka emra që do të vendoseshin në fletëvotimet në Kuvend – së paku jo publikisht.
E aktualisht, është VV-ja e cila thotë se duhet zgjedhur kryetarin/en për t’i shmangur zgjedhjet; është LDK-ja me gjashtë deputetët që çfarëdo opsioni do t’u ofrohej duket se do ta refuzonin; është AAK-ja e cila insiston në gjashtë kushtet, ani që njëra nga to është gazi amerikan, i mbërthyer në një skandal diplomatiko-oligarkik në Greqi, sipas prestigjiozes Wall Street Journal, dhe në fund është PDK-ja me insistimin kokëfortë të kalimit të një projektligji të hartuar me nguti, pa ndonjë konsultë të gjerë, dhe me këmbënguljen se në Hagë më 16 shtator u dënua UÇK-ja, e jo katër ish-eprorë të saj individualisht, ku viktimat kryesisht duken të jenë shqiptarë.
Nuk e njoh përmbajtjen e projektligjit, nuk e di se cili është qëllimi i tij.
Por një gjë e kemi kuptuar është se projektligji nuk është ndarë paraprakisht me Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se kjo s’është e detyrueshme. Kusht i detyrueshëm për hyrjen në fuqi të ligjit, që edhe po ta kalonte me procedurë super urgjente nëpër komisione e seanca plenare, është që ligji të vlerësohej detyrimisht nga ky trup për t’u siguruar se ndryshimet e propozuara nuk bien ndesh me amendamentin kushtetues (Nenin 162) apo me obligimet ndërkombëtare të marra përsipër nga Kosova.
Pra, në rrethanat aktuale, kur mbrojtja e të dënuarve i ka edhe dy javë kohë për ta bërë njoftimin për ankesë (ku duhet paraqitur baza ligjore mbi të cilën ndërtohet mbrojtja), e pas atij afati janë edhe 30 ditë të tjera për ta paraqitur parashtresën e ankesës me argumente të detajuara, insistimi për ta kaluar një ligj që, logjikisht, nuk do të mund ta ndërpriste procedurën dhe afatet që janë duke rrjedhur, nuk duket të ketë arsye tjetër pos të një shpëlarjeje të vonuar e fajit se përse para 11 vjetësh u votua themelimi i Speciales dhe bartja e sovranitetit te BE-ja për këtë rast specifik.
* * *
Pra, sa për të rikujtuar, Specialja kaloi me presionin e madh të Thaçit mbi deputetët e partisë së tij, pasi që votimi i parë dështoi në qershor të 2015-s. Dhe pavarësisht faktit se përbërja aktuale e grupit parlamentar të PDK-së është shumë më ndryshe se ajo e para një dekade, katër sish që kishin votuar “për”, janë ende deputetë: E. Hoxhaj; B. Deliu-Kodra; Xh. Haliti dhe E. Reçica. Deputete është edhe Ganimete Musliu, e vetmja që pati qëndrim konsistent dhe që votoi kundër si herën e parë, ashtu edhe të dytën. Prej këtyre, ajo gjithsesi ka të drejtë edhe morale që të kërkojë ndryshimin, pezullimin, shuarjen apo çfarëdo të Gjykatës Speciale.
Gjatë dy javëve të fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë eksponentë të PDK-së, qoftë ish-deputetë a ish-ministra, apo njerëz që janë deklaruar publikisht se do ta votonin Specialen me të dyja duart po qe nevoja, duke folur kundër gjykatës; duke akuzuar se ishin mashtruar nga amerikanët; duke e përsëritur e ripërsëritur se aktgjykimi e dënoi UÇK-në dhe Kosovën dhe duke e quajtur kalimin e ligjit prioritet kombëtar dhe shprehje të patriotizmit.
Dhe e gjithë kjo që po e dëgjojmë ditëve të fundit duket se e vërteton një fakt të hidhur, siç e thotë një mik imi: ata që e kanë votuar ligjin, me gjasë nuk do ta kenë lexuar fare, apo mbase edhe nuk e kanë kuptuar. Ashtu siç vazhdojnë, me gjasë, të mos e kuptojnë apo të mos e lexojnë ashtu siç duhet, për t’i bërë argumentet e tyre më të qëndrueshme dhe që shkojnë përtej frazave populiste që prekin në sentimentin popullor.
E, megjithatë, nuk ka prioritet kombëtar e patriotizëm më të madh sesa të themelohen, më në fund, institucionet, ashtu që të mund të punohet edhe në çështjen e apelit, ndër shumë gjëra të tjera për të cilat ka nevojë ky vend.
* * *
Sidoqoftë, për t’iu kthyer vargut të protestave dhe të gjithë energjisë që është duke e shkrirë PDK-ja në kauzën e projektligjit, duket shtruar pyetjen legjitime se përse as platforma “Liria ka emër” e as PDK-ja nuk e ndërmorën asnjë hap për ndryshimin e ligjit në çastin kur u shqiptuan dy dënimet e para mbi të njëjtat baza: ndaj Salih Mustafës, në dhjetor të 2022-s dhe ndaj Pjetër Shalës në korrik të 2024-s.
Do të kujtojmë se Cali (Mustafa) ka qenë epror i UÇK-së, komandant i BIA-s, kurse Shala ka qenë ushtar. Nëse në rastin e këtyre dyve nuk u vlerësua se ishte dënuar UÇK-ja, si ndodhi pra që në rastin e katërshes të vlerësohej e kundërta? Pjesëtarë të UÇK-së kanë qenë 15 mijë burra e gra (përfshirë dymijë dëshmorët), pra jo vetëm katër apo gjashtë pjesëtarë të saj.
Për Calin e Shalën procedura ka përfunduar, dhe mundësia e vetme që u mbetet është të kërkojnë zbutje të dënimit apo lirim të parakohshëm pasi të kenë vuajtur dy të tretat (2/3) e dënimit, që në praktikë do të thotë (me kusht që Kryetarja e Speciales të vendosë ashtu), që Shala mund të dalë në nëntor të 2029-s, e Cali në shtator të 2030-s.
Kjo ngase dënimi e përfshin qëndrimin në paraburgim që nga dita e arrestimit. Cali u arrestua në shtator 2020, u dënua në shkallë të parë në dhjetor 2022; Apeli vendosi në dhjetor të 2023-s; Gjykata Supreme e ktheu në Apel lëndën dhe kjo vendosi për të dyti në shtator të 2024-s dhe Gjykata Supreme e vërtetoi këtë vendim në shkurt të 2025-s. Pra, u deshën katër vjet e gjysmë që ky proces të përmbyllet.
Në rastin e Shalës, ai u arrestua në mars 2021, u dënua në shkallë të parë në korrik 2024; Apeli vendosi në korrik të 2025-s; Gjykata Supreme e refuzoi ankesën dhe e vërtetoi vendimin e Apelit në mars 2026. Mbrojtja paraqiti kërkesë para Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut apo edhe nëse gjykimi ka qenë i drejtë. Pra, kanë kaluar pesë vjet e gjysmë dhe procesi ende nuk është përmbyllur.
* * *
Dje kuptuam se Kurti u takua me Hamzën për ta diskutuar çështjen e kryetarit/es dhe projektligjit. Pas përfundimit të takimit, nga PDK-ja u tha se nuk ka marrëveshje, se ligji është prioritet dhe se do të vazhdojnë bisedimet.
Nuk është bërë e ditur po qe se do të ketë takime edhe me Abdixhikun dhe Gjinin, ani pse ky i fundit ka refuzuar me ngulm çfarëdo takimi që nga korriku i sivjetmë. Dhe në situatën në të cilën jemi, ku do të mund të mbesnim pa buxhet, pa kryetar, pa Kuvend dhe me një Qeveri në detyrë (të përhershme, tashmë), nuk e kuptoj mungesën e, bile, përpjekjes minimale për ta arritur një marrëveshje që na nxjerr prej këtij lloçi ku na kanë futur politikanët e papërgjegjshëm e interesxhinj.
Ajo që po shihet, madje edhe nuk po fshihet nga vetë deputetët e PDK-së, është se po llogaritet në mobilizimin e krijuar pas aktgjykimit, për rritjen e votës së partisë, e cila po paraqitet “si mbrojtësja autentike e UÇK-së”. Sikur ky të ishte qëllimi: që në zgjedhjet e nëntorit opozita bashkë të ketë më shumë deputetë se VV-ja, dhe që në bashkëpunim me deputetët e komuniteteve joserbe ta qesin Kurtin në opozitë.
Pa dyshim se është kalkulim puro politik me ambicie për pushtet, porse duket se nuk e merr parasysh faktin se LDK-ja do të mund të tkurrej ende, për shkak të çarjeve të brendshme; që hipotetikisht AAK-ja mund të mos e kalojë pragun po qe se pjesëmarrja në zgjedhje është më e lartë sesa herën e shkuar e që për pasojë, VV-ja të mbeste në nivelin ku është, apo mbase edhe ku ishte në shkurt të vjetëm – për shkak se gishti i fajësisë për shkuarjen në zgjedhje do të kthehet nga PDK-ja dhe insistimi euforik për kalimin e projektligjit për Specialen.
Vetëm pak pragmatizëm do të mjaftonte. A ka vullnet?