Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

On “fake news”, “pseudonyms” and “anonymous sources”

Qëkur ekziston gazetaria, ekzistojnë edhe parimet etike, standardet dhe rregullat e saj. Ato lënë hapësirë edhe për citime të burimeve anonime, për botimin e shkrimeve me pseudonime, por gjithmonë duke i respektuar rregullat, e parimi kryesor është se nuk bën të shpifet dhe shpiket. Në kohën kur secili tash përmes rrjeteve sociale mund të përhap lajme, rrena, thashetheme dhe dezinformata, në rrezik është vënë edhe profesioni. Efekti i rrenës nuk është pse i besojnë asaj, por pse ajo e bën të pabesueshme edhe të vërtetën, ose e relativizon atë

Para disa ditësh po bisedoja me një koleg, ndër gazetarët më të respektuar në Evropë, lidhur me një hulumtim që po bënte për disa javë për të shkruar një artikull. Ai edhe ka mundësi, apo luks në kohën e sotme për gazetarë, që të marrë kohë për të hulumtuar. Sepse kur ai të shkruajë do të ketë jehonë. Edhe mediumi i tij është aq i madh, mund të investojë të hulumtimin e tij, dhe nuk ka nevojë të nxitojë për të botuar para se ai të jetë i bindur se gjetjet e tij i përmbushin standardet më të larta profesionale.
Por ai megjithatë, kishte një shqetësim: “Unë po hulumtoj për javë të tëra. Kam biseduar me disa njerëz. Kam lexuar dokumente nga arkivat dhe besoj se shpejt do ta kem të gatshëm për botim artikullin. Por një i ri mund të shkojë nesër në mëngjes në një kafene, të pijë kafen e mëngjesit, hap telefonin dhe të postojë për këtë temë diçka të pakonfirmuar dhe të ketë miliona lexues menjëherë”. Madje, tha kolegu, ai edhe mund të thotë “ja çfarë nuk duan t’u thonë mediat tradicionale”!. Ky ishte një shqetësim shumë legjitim. Sepse po jetojmë në kohën e “influencerëve”, “Tik tokerëve”, “Youtuberëve” dhe “Content creatorëve”. Ata nuk i përgjigjen askujt, nuk duhet të akreditohen askund, nuk duhet të tregojnë se kush i financon dhe nuk duhet as të kenë ndonjë përgatitje profesionale. Por fuqia e tyre është bërë aq e madhe, saqë nuk mund të neglizhohen nga strukturat politike, artistike, sportive, kulturore apo ekonomike. Madje të gjithë këta gjithnjë e më shumë i përdorin edhe keqpërdorin për të përhapur anën e tyre të së vërtetës.

Madje edhe në BE kanë paralajmëruar se do të nisin të japin disa akreditime “ad hoc” të kufizuara për “influencer” për të përcjellë edhe samitet e Bashkimit Evropian. Kjo ide ka shkaktuar indinjatë të madhe në mesin e mbi 1000 gazetarëve të akredituar në Bruksel. E për t’u akredituar në Bruksel, në BE është një procedurë mjaft e vështirë. Pos që duhet të dëshmohet se gazetari është vetëm gazetar e asgjë tjetër, duhet të dëshmojë dhe se jeton nga gazetaria, se ka kontratë pune apo bashkëpunimi, të sjellë artikuj apo material të transmetuar, të ketë vendbanim legal në Bruksel, të pranojë edhe që ndaj tij të bëhet kontrolli i sigurisë nga organet shtetërore dhe të obligohet se nuk do të merret me lobi mapo konsulencë, as me e as pa pagesë. Dhe duhet të nënshkruajë një kontratë të posaçme përmes së cilës obligohet të respektojë afatet e embargos kur merr ndonjë dokument për t’i ndihmuar në punë, por me embargo që të mos e botojë apo t’ia dërgojë dikujt tjetër derisa të mos bëhet ai dokument zyrtar.

Gazetarët obligohen edhe të respektojnë rregullat e dakorduara mes organizatës profesionale të gazetarëve të huaj në Bruksel me shërbimet e shtypit të institucioneve. Deri në detaje janë të rregulluara mënyrat e komunikimit. Dihet se kur mund të përdoret termi “zyrtar i BE-së” e kur “diplomat i BE-së” e kur “diplomat evropian”.  Dihet kur mund të citosh e kur vetëm të përdorësh si njoftim për vete atë që merr nga bashkëbiseduesit. Të gjitha këto burime ekzistojnë dhe gazetari nuk mund t’i shpifë.  Dhe pasojat janë shumë të rënda dhe të menjëhershme nëse këto rregulla shkelen. U hiqet akreditimi. Kjo është sikur një shoferi të autobusit t’i merret leja e vozitjes. Asnjë nga këto obligime nuk i kanë influencerët.

Po të donin shumë gazetarë, do të mund të bëheshin edhe influencerë, madje shumë të suksesshëm. Por nuk u lejon ndjenja e përgjegjësisë për fjalën e thënë apo të shkruar.

Ndoshta për dikë që shkruan në profilin e tij nuk është problem nëse me apo pa qëllim shkruan një të pavërtetë. Por për gazetarin është shumë e rëndë. Edhe gazetari mund të gabojë, mund të vihet në lajthitje dhe të botojë diçka që mund të dëshmohet më vonë se nuk ka qenë e vërtetë. Por gabimin nuk guxon ta bëjë me qëllim. Sepse kur një gazetar qëllimisht shkruan një të pavërtetë, ai kalon në rolin e manipuluesit dhe në fakt nuk është më gazetar. Ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, por gjithmonë lexuesi duhet ta dijë se ai është mendim i tij dhe mendimi nuk duhet të ngatërrohet me faktet. Mendimi mund të bazohet në fakte, do të ishte mirë të bazohet në fakte, por mendimi nuk mund të paraqitet si fakt. Këto janë vlerat e gazetarisë tradicionale që janë vënë në tundim në kohën e komunikimit global.       

Qëkur ekziston gazetaria, ekzistojnë edhe parimet etike, standardet dhe rregullat e saj. Ato lënë hapësirë edhe për citime të burimeve anonime, për botimin e shkrimeve me pseudonime, por gjithmonë duke i respektuar rregullat, e parimi kryesor është se nuk bën të shpifet dhe shpiket. Sikur të mos ekzistonin këto mundësi, gazetaria do të ishte shumë e varfër dhe nuk do të mund ta luante rolin e saj si shtyllë e një shoqërie demokratike.

Kur dikush shkruan me pseudonim mediumi që e boton, duhet ta dijë se kush është ai dhe të pajtohet që të botohet me pseudonim. Arsyet mund të jenë edhe frika, por edhe arsye profesionale që mund të lidhen me kontratë. Kur gazetari shkruan bazuar në “burime anonime”, ato burime duhet të ekzistojnë e jo të vijnë nga koka e autorit. Është një lloj rreziku profesional për gazetarin që të raportojë duke u bazuar në burime të tilla, por me kohë ai fiton besueshmërinë nëse dëshmohet se ajo që ka shkruar apo raportuar ka qenë e vërtetë.

Në kohën kur secili tash përmes rrjeteve sociale mund të përhapë lajme, rrena, thashetheme dhe dezinformata, në rrezik është vënë edhe profesioni. Efekti i rrenës nuk është pse i besojnë asaj, por pse ajo e bën të pabesueshme edhe të vërtetën, ose e relativizon atë. Nëse pas një të vërtete dikush për të njëjtën gjë del me një rrenë, pastaj thuhet se “e vërteta është diku në mes”, kjo natyrisht është një fitore për rrenën. Sepse e vërteta nuk është dhe nuk mund të jetë në mes. Jo sidomos për gjërat që mund të dëshmohen lehtë dhe për të cilat ka mjaft fakte.

Mundësia për njerëz të papërgjegjshëm që të përhapin dezinformata është bërë sikur një lloj armëmbajtje pa leje. Ajo që duhet ndarë në mënyrë të prerë është profesioni i gazetarit nga ai i “influencerëve” apo “youtuberëve” apo “Tik-tokerëve”. Nuk duhet t’u mohohet atyre e drejta për të përhapur mendimet apo tregimet e tyre. Por nuk duhet të ngatërrohen me mediat tradicionale që kanë përgjegjësi, të cilën nuk mund ta shkelin.

Similar articles