UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe CONCACAF, që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe, lëshuan një letër të hapur të hënën duke sulmuar Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për sjelljen e tij gjatë shitjes së planifikuar të aksioneve të Kupës së Botës tek investitorët privatë.
Deklarata, që po ashtu bënë thirrje të hapur për një udhëheqje të re, tha se Infantino kishte shkelur besimin “përmes mashtrimit” me propozimin tashmë të anuluar. UEFA, AFC dhe CONCACAF thonë se Infantino kishte vendosur veten mbi kolektivin. Tri konfederatat kanë bërë thirrje për një shqyrtim plotësisht të pavarur të asaj që kishte ndodhur.
“Forca e futbollit ka qenë gjithnjë uniteti i tij”, thuhet në letrën e hapur drejtuar familjes së futbollit.
“Ne bëjmë thirrje që ky unitet të nderohet tani, për udhëheqjen që i shërben futbollit e jo që e komandon atë”.
Zvicerani Infantino është përballur me revoltë të hapur në botën e futbollit, që kur propozoi dhe më pas hoqi dorë nga plani për të hequr dorë nga të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe për të shitur 20 për qind të tyre investitorëve privatë, për të mbledhur 4,2 miliardë dollarë.
also
FIFA surrenders, abandons controversial plan
UEFA, që drejton futbollin në Evropë, së bashku me AFC-në dhe CONCACAF-in, ka kërcënuar të bojkotojë ngjarjet e FIFA-s derisa të marrë një premtim se nuk do të propozohen skema të ngjashme në të ardhmen.
“Lidershipi në futboll nuk është zotërim”, thuhet në deklaratën e së hënës.
“Nuk ka të bëjë me mbajtjen, ose kërkimin, e pushtetit që duhet mbajtur. Është detyrë shërbimi ndaj familjes së futbollit që ia jep besimin. Kur besimi thyhet përmes mashtrimit, kur një individ e vendos veten mbi kolektivin që ia besoi autoritetin, kjo detyrë duhet braktisur”.
Tri konfederatat gjithashtu kritikuan takimin urgjent të FIFA-s të mbajtur javën e kaluar në Marok, duke thënë se prezent ishte vetëm një zyrtar i zgjedhur. Tri konfederatat kanë kërkuar shqyrtim të pavarur në të cilin FIFA nuk do të kishte rol, për të përcaktuar se çka dërgoi në këtë “dështim të thellë të gjykimit”.
Të premten presidentja e Federatës së Futbollit të Norvegjisë, Lise Klaveness, i bëri thirrje 56-vjeçarit të japë dorëheqje menjëherë. Klavens pre kohësh është kritike e hapur e Infantinos.
Pas shuarjes së mospajtimeve të brendshme në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur të mërkurën, FIFA u kërkoi falje 211 federatave nacionale. Infantino nisi të kthejë mbështetjen e tij në mesin e gjashtë konfederatave që përbëjnë organin qeverisës të futbollit botëror.
Konfederata Afrikane mbështet Infantinon, njëjtë si Meksika që është pjesë e CONCACAF. Argjentina, Paraguai, Ekuadori dhe Bolivia, vendet e Amerikës së Jugut, po ashtu i kanë ofruar përkrahje zviceranit.
Lufta me deklarata po vazhdon, me FIFA-n që e lëshoi komunikatën e fundit të premten mbrëma.
also
What you need to know about football governance? FIFA, UEFA and the balance of power
Deklarata e fundit e FIFA-s erdhi pasi “The Telegraph” publikoi shkrimin për shpërblimin financiar të së dashurës së Infantinos, gjatë kohës sa ai ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s. E dashura e pretenduar e Infantinos, sipas raportimit, ishte larguar nga vendi i punës në UEFA pasi i ishte dhënë një shpërblim financiar. FIFA e ka mohuar këtë.
70 prej 211 vendeve anëtare të FIFA-s kanë premtuar përkrahje për Infantinon, ndërkohë që në Evropë vazhdon tërheqja e përkrahjes për zviceranin.