Support TIME. Preserve the truth.
football

Taulant Hodaj with new accusations in the Rrahmani case, FFK does not declare

Amir Rrahmani

Ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka thënë se Amir Rrahmani “është treguar shumë modest dhe i përmbajtur në deklaratën e tij”, pas njoftimit se “nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”. 

Hodaj në një shkrim të gjatë të publikuar të dielën në rrjetet sociale ka thënë se largimi i kapitenit Rrahmani nga ekipi përfaqësues i Kosovës, “duhet të jetë alarm për të gjithë”.

“Kur Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës dhe aktualisht futbollisti shqiptar më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, deklaron se nuk mund të luajë për Kosovën përderisa FFK-ja udhëhiqet nga personat aktualë, kjo duhet të jetë alarm për të gjithë”, ka shkruar Hodaj.

Pak orë para se të premten mbrojtësi 32-vjeçar i Napolit të njoftonte për largimin nga Përfaqësuesja e Kosovës, zyra e avokatëve “Hodaj & Partners” njoftoi se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të futbollistit, “lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyçë dhe të lidhur brenda FFK-së”. Këtë zyrë  e drejton Taulant Hodaj, që për disa vjet mbajti pozitë me rëndësi në FFK.

Hodaj ka shkruar se Amir Rrahmani për më shumë se dy vjet është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme. 

Hodaj thotë se “ekzistojnë dyshime serioze për shkelje ligjore nga veprimet e udhëheqjes së FFK-së dhe disa personave të lidhur-paguar nga buxheti i federatës, për të diskredituar çdo zë që kërkon profesionalizëm në FFK”.

Avokati Hodaj ka theksuar se në FFK zëri kritik është penguar.

“Nga ajo që kam parë dhe përjetuar edhe vetë si ish-sekretar i përgjithshëm dhe ish-avokat i FFK-së, kërkesave për profesionalizëm, organizim dhe llogaridhënie jo vetëm që nuk u është dhënë përgjigjja e duhur, por njerëzit që i kanë ngritur këto shqetësime janë penguar, kërcënuar dhe luftuar pa zgjedhur mjete. Sot po tentohet e njëjta gjë edhe me kapitenin Amir Rrahmani”. 

Hodaj ka lënë të kuptohet se Rrahmani tashmë ka bërë deklaratë para organeve të drejtësisë.

“Siç pritej, tashmë është aktivizuar makineria e zakonshme e sulmeve dhe propagandës në rrjetet sociale kundër Amirit, fushatë kryesisht e orkestruar dhe paguar nga keqpërdorimi i buxhetit të FFK-së. Kjo nuk duhet ta largojë vëmendjen nga thelbi i deklaratës së tij dhe paraqitjes që ka bërë para organeve të drejtësisë.

Amiri nuk tha se po pensionohet nga Kombëtarja dhe as se është lodhur nga Kosova. Përkundrazi, në kulmin e karrierës së tij, ai po sakrifikon pozitën e kapitenit për të kërkuar ndryshim, profesionalizëm dhe një Kombëtare të organizuar në nivelin që Kosova dhe futbollistët e saj meritojnë”, ka shkruar Taulant Hodaj.

KOHA edhe të dielën nuk ka mundur të vërë kontakt me drejtuesit dhe përgjegjësit e federatës, me gjithë përpjekjet. FFK-ja nuk është deklaruar ende lidhur me vendimin e Rrahmanit.