Edon Zhegrova luajti prej minutës së 60-të të dielën mbrëma për Juventusin. I shënoi dy gola, që megjithatë nuk i mjaftuan “Zonjës së Vjetër”.
Sassuolo fitoi 3:2 në shtëpi, në kuadër të xhiros së katërt të Serie A. Për Zhegrovën janë golat e parë me Juventusin. Ai ka pritur gjatë për këta gola, por ka shpresuar që skuadra të marr më shumë prej tyre. Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur për Zhegrovën pas ndeshjes, duke treguar se kur ai është i pandalshëm dhe çka i mungon.
Kosovari shënoi për 1:1 në minutën e 82-të dhe për 2:2 në minutën e 91-të. Më pas Juventusi kërkoi golin e fitores dhe shumë lojtarë u hodhën në sulm. Dhe Sassuolo përmes kundërsulmit realizoi për 3:2 në minutën e 94-t. Portieri Aro Muriq kishte paraqitje të madhe te kjo skuadër.
“Ai bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon situata ‘një kundër një’ në hapësira të ngushta”, ka thënë Spalletti për Zhegrovën pas ndeshjes, shkruan “Tuttosport”.
“Sigurisht, mund të humb ndonjë top të lehtë dhe i mungon cilësia mbrojtëse për t’u kthyer prapa në krah. Por nëse luan lojë sulmuese, ai është lojtar i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Spalletti.
Zhegrova ka pasur verë të vështirë. Për javë të tëra është raportuar për një largim të tij nga Juventusi. Më pas klubi e la jashtë ekipit që do të paraqitet në Evropë.
Dhe me gjithë golat e së dielës, Spalletti ka vënë në pah kontributin e tij jo të mjaftueshëm në lojën defanzive të skuadrës.
Për golin e pësuar në kohën shtesë, Spalletti ka “fajësuar” mungesin e balancës.
“Lojtarët u munduan të fitojnë ndeshjen. Unë isha ai që i shtyva të shkonin për fitore dhe ndoshta ata e tepruan pak me atë që kërkova. Në fund kishim shumë lojtarë që shkonin drejt zonës së Sassuolos. Kemi humbur pasi kemi dhënë çdo gjë për të fituar e jo për të barazuar. Natyrisht, ka përgjegjësi nga ana jonë, por e tëra erdhi nga dëshira për të fituar ndeshjen”, ka thënë Spalletti.